2012-05-17 11:37:28

Më 17 maj kalendari kujton shën Pashk Bajlonin


Më 17 maj kalendari Kishtar përkujton Shën Pashk Bajlonin, rregulltar françeskan. Ndër shqiptarë emri i Shenjtit ka marrë trajtat Pashk, Pashko, Pashuk, Shuk, Paç e Paskal, ndërsa ndër vajza, Pashkë e Paskualina.
Një përkim i posaçëm bashkon ditën e lindjes e të vdekjes së Shën Pashkut Bajloni, që njihet si Pajtor i shoqatave eukaristike: lindi ditën e Rrëshajëve të vitit 1540 në Torre Hermosa të Spanjës e vdiq në afërsi të Valencies, në Villa Real, ditën e Rrëshajëve të vitit 1592. Ky frat i përvujtë, i cili nuk e ndjeu veten të denjë për t’u shuguruar meshtar, ishte vërtetë bir i Rrëshajëve, që do të thotë, i pajisur nga Shpirti Shenjt me dhurata të shumta, ndërmjet të cilave, dhantia e dijes së frymëzuar nga qielli.
Pashk Bajloni ishte i pashkollë. Vitet e jetës rregulltare i kaloi duke kryer shërbimin e portierit. E megjithatë konsiderohet si “Teologu i Eukaristisë”, e jo vetëm për fjalimet që u mbajti kalvinistëve të Francës mbi Eukaristinë, gjatë udhëtimit të tij në Paris, por edhe për shkrimet që i la trashëgim Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.