2012-05-17 15:10:54

Abetarja e përbashkët Shqipëri-Kosovë


Nxënësit e klasave të para të Shqipërisë dhe te Kosovës do të mësojnë tashmë me një Abetare të përbashkët. Sot në Prizren në Qendrën Sportive "Sezai Surroi", u mbajt ceremonia e promovimit të Abetares së përbashkët, ku morën pjesë Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjafa, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha e Kryeministri kosovar Hashim Thaçi.
Projekti për Abetaren e re të përbashkët mbarëshqiptare është një projekt historik, që paraqet sakrificën dhe rezultatin e qindra atdhetarëve dhe intelektualeve të sakrifikuar për udhën e diturisë që nga koha e Skënderbeut e deri tash. Kështu vlerësuan autoritet më të larta të Kosovës e Shqipërisë, të enjten, në manifestimin solemn për prezantimin e librit të Abetares, që u mbajt në kontekstin e shënimit të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Promovimi i Abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë, u cilësua nga kryeministri kosovar, Thaçi si një ngjarje historike për të gjithë shqiptarët. Ndërkohë, kreu i qeverisë së Shqipërisë, Sali Berisha pohoi se kjo është dhurata më e bukur që i bëhet kombit tonë në 100-vjetorin e Pavarësisë dhe shqiptarët kudo që ndodhen janë të vendosur të bashkohen në BE, ndërsa nuk nguroi t’i bëjë thirrje fqinjëve të çlirohen nga shqiptarofobia dhe veprimet primitive.
Teksti fitues për Abetaren e përbashkët Shqipëri-Kosovë u përzgjodh më 24 prill. Teksti i përzgjedhur ka si bashkëautorë, Shezai Rrokaj, Mimoza Gjokutaj dhe 2 përfaqësuesit nga Kosova Islam Krasniqi e Saranda Kumonova Pozhegu. Grafika është realizuar nga Lorenc Buzi.
Përzgjedhja e tekstit të Abetares është bërë nga komisioni vlerësues me përfaqësi të dy palëve. Në garë ishin 13 Shtëpi Botuese, nga të cilat fituese është shpallur Shtëpia Botuese “Pegi” dhe shoqëria “Dukagjini”. Unifikimi i teksteve shkollore është një nisme mes dy ministrive të arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, që do të vijojë edhe me tekste të tjera shkollore.
BERISHA: ABETARJA E NJËHESUAR, KRYEVRPRA E DIJES, FQINJËT TË CLIROHEN NGA SHQIPTAROFOBIA
Kryeministri Berisha i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të Abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë, që u mbajt në Prizren, deklaroi se kjo është dhurata më e bukur që i bëhet kombit tonë në 100-vjetorin e Pavarësisë.
“Falënderoj përzemërsisht hartuesit për këtë kryevepër që i dhuruan sot fëmijëve të kombit tonë Abetaren e parë të njëjësuar,të bashkuar, e cila vjen so këtu në këtë sallë si një vepër e rrallë e shqiptarëve që ka endur në shekuj për të ardhur tek ju, fëmijët e Prizrenit, fëmijët e kombit shqiptar. Ajo mban ëndrrën e dhjetëra qindra gjeneratave të shqiptarëve, të cilët donin të kishin një Abetare të përbashkët. Mban sakrificat që në kohët e Skënderbeut e deri në luftërat për çlirim të Kosovës e Maqedonisë. Mban idealin e bashkimit si ideali i përjetësisë kombëtare”, deklaroi Berisha.
Duke iu drejtuar nxënësve që kishin mbushur plot e përplot sallën, Berisha tha: “Nuk duhet të harroni kurrë se ka me qindra, mijëra jetë të flijuara që ju të jeni të lirë, që në të jemi të lirë të ndërtojmë të ardhmen tonë të shkëlqyer. Abetarja është margaritari i kurorës së 100 vjetorit të Shqipërisë së pavarur, dhurata më e bukur që njerëzit e lirë mund t’ju bënin Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha ai.
Kryeministri Berisha deklaroi se shqiptarët kudo që ndodhen janë të vendosur të bashkohen në BE, ndërsa nuk nguroi t’i bëjë thirrje fqinjëve të çlirohen nga shqiptarofobia dhe veprimet primitive.
“Ne nuk jemi kombi i zgjedhur i zotit, por jemi në të drejtën tone, ne jemi në trojet tona. Sot më të vendosur se kurrë që të punojmë për projektin e bashkimit të shqiptarëve në kuadër të projektit të BE. Të punojmë për paqen e stabilitetin në rajon e më gjerë. I themi fqinjëve, çlirohuni nga shqiptarofobia, ajo është plehrë e primitivizmit të së kaluarës suaj! Shqiptarët janë komb miqësor, ndërsa ata me skena si ato të Preshevës faktojnë se janë në ende në stadet primitive”, komentoi ai.

THACI: DITË HISTORIKE, NJË ABETARE, NJË GJUHË

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaci gjatë fjalës së tij në në ceremoninë e promovimit të abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë, e cilësoi një ditë historike për të gjithë shqiptarët.
"Më lejoni të uroj këtë ditë të madhe për shqiptarët. Sot është një ditë historike për kombin, kulturën dhe qytetërimin shqiptar. Sot ju prezantojmë abetaren e përbashkët të shqiptarëve, të ardhmen e kombit shqiptar. Kjo është arritje historike. Është abetarja e parë e përbashkët e autorëve nga Shqipëria dhe Kosova. Urime”,- uroi kryeministri i Kosovës.
Thaçi deklaroi se jo rastësisht ceremonia po mbahet në Prizren kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve, pasi sipas tij ai është qyteti i bashkimit të shqiptarëve në një komb.

“Sot të gjithë shqiptarët ku jetojnë, janë me ne, janë me abetaren e përbashkët. Jemi mbledhur në kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve në qytetin mes kryeqyteteve politike dhe administrative, Tiranës dhe Prishtinës, në qytetin e bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm. Sot në vitin jubilar të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë institucionet po promovojnë librin e përbashkët. Kjo është abetarja e kombit, kjo është arritje për të gjithë shqiptarët. Këtë mund ta bëjë një shtet i lirë dhe sovran”,- deklaroi Thaçi.

Sipas Thaçit fati i abetares është i njëjtë me fatin e shqiptarëve, dhe falë përpjekjeve shekullore tashmë shqiptarët do keni një gjuhë dhe një flamur.
“Në themele të Rilindjes qëndron patrioti Naum Veqilharxhi, fati i librit ishte i ngjashëm me fatin e popullit shqiptar. Sot pas 100 vjetësh shteti shqiptar është vend demokratik anëtar i NATO dhe me perspektivë për në BE. Sot Kosova ka hyre në 13 vjetorin e lirisë dhe 5 vjetorin e pavarësisë. Kosova ka të ardhme të ndritur. Abetarja e përbashkët është një përpjekje e jonë shekullore, dhe shqiptarët tashmë do kenë abetare të përbashkët gjuhë dhe flamur”,- deklaroi Thaçi.
(BalkanWeb)







All the contents on this site are copyrighted ©.