2012-05-16 14:27:01

Zoja e Fatimës në Romë. Imzot Fizikela: “na fton t'ia ngulim sytë Krishtit”


Të shumta janë iniciativat, që i kushtohen Zojës së Bekuar, në këtë muaj të majit, muaji i saj. Që nga e hëna e deri të dielën, në Romë, në kishën e shën Marisë së Hireve në rrugën Fornaci, pranë Vatikanit, po nderohet nga besimtarët shtatorja e Zojës së Fatimës dhe reliket e të lumëve Xhaçinta e Françesku, dy nga tre barinjtë, që e panë Nënën e Hyjit në Portugali. Dje, kremtoi meshën e mbrëmjes në këtë kishë, kryeipeshkvi i Vienës dhe kreu i ipeshkvijve austriakë, kardinali Kristof Shënborn. Ndërkaq, ardhja e shtatores u kremtua me një meshë, të kryesuar nga kryetari i Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, imzot Rino Fizikela. Gjatë homelisë, ai theksoi se Zoja e Fatimës na fton t'ia ngulim sytë Krishtit. Po ta dëgjojmë, në mikrofonin tonë:
Shpeshherë, na kujtohen vetëm sekretet e Fatimës, por Fatima mbart një mesazh shumë më të qartë se ato: ftesën për pendesë, pra, ftesën për t’u kthyer në rrugën e Zotit. Të mos harrojmë se fjalët e para të Jezusit, kumtimi i Jezusit, predikimi i parë i Jezusit kanë të bëjnë pikërisht me këtë temë të rëndësishme: “kthehuni dhe besojini Ungjillit”. Prandaj, mesazhi që vjen nga Virgjëra e Fatimës na çon mu në zemër të Fjalës së Hyjit. Zoja, duke u kërkuar tre barinjve të Fatimës nëse dëshironin ta dhuronin jetën e tyre, na kërkon edhe ne të jemi të vetëdijshëm për fenë e krishterë, të marrim përsipër plotësisht përgjegjësinë e shpalljes së Ungjillit. Kumtimi nuk është gjithnjë i thjeshtë e i lehtë, sidomos në rrethanat e ndryshme të botës së sotme, por Zoja na fton të shpallim shpresën, të kumtojmë dashurinë. E të mos harrojmë edhe format e ndryshme të martirizimit, që pësojnë të krishterët edhe sot, në anë të ndryshme të botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.