2012-05-16 16:11:59

Një mendim për Zojën, në muajin maj: Maria në Protestantizëm.


Në Protestantizëm opinionet për Virgjërën Mari kanë ngjyrime të ndryshme, gjithsesi përkojnë në mendimin se Kisha katolike e vë tepër në dukje figurën e Nënës së Krishtit. Me që protestantët nuk e pranojnë kultin e shenjtorëve, besojnë se kulti i posaçëm i Zojës nuk mund të pajtohet me doktrinën, sipas së cilës Jezusi është i vetmi ndërmjetësues i njeriut pranë Hyjit Atë.
Reformatorët e shekullit XVI përgjithësisht i respektuan dogmat e mijëvjeçarit të parë, sipas formulimeve të epokës. Luteri, për shembull, i ruajti kremtimet e festave kryesore në nder të Marisë, në përkim me Ungjillin e sipas kalendarit liturgjik tradicional. Në Kishat protestante vijuan të kremtohen festa e Lajmërimit të Zojës, e Pasisë, e Paraqitjes në Tempull. U la në harresë vetëm të ngjiturit e Zojës në qiell, që vijoi të kremtohej nga Kisha katolike, ndërsa Zoja e Papërlyer asokohe ishte një opinion ende i papërcaktuar përfundimisht e nuk shkaktonte konflikt me katolikët.
Kishat protestante dhe dëshmitarët e Jehovait, përmes leximit fjalë për fjalë të tekstit ungjillor, pa hyrë në thellësitë e interpretimit të tij, besojnë në të zënët e papërlyer të Virgjërës Mari, por duke pohuar se më pas ajo lindi disa fëmijë të tjerë, me Jozefin. E për këtë bazohen mbi Ungjjtë, të cilët flasin për vëllezërit e Jezusit. Prej këndej, nuk i pranojnë as titujt e as nderimet, që i jep Kisha katolike Zojës së Bekuar.Kohët e fundit shumë teologë protestantë, përmes studimit më të thellë të figurave femërore në Bibël, po e shikojnë edhe figurën e Marisë në një dritë të re, në përpjekjen për t’i kuptuar më mirë Shkrimet Shenjte. Vërejnë, kështu, se Maria është e pranishme në të gjitha ngjarjet më të rëndësishme të Besëlidhjes së Re, që nga lindja e Jezusit, tek zbritja e Shpirtit Shenjt për Rrëshajë. Ky proces, ndonëse gradual, ka të bëjë edhe me përpjekjen për të vënë në dukje ndryshimet ndërmjet praktikave të protestantizmit e atyre të katolicizmit, posaçërisht në atë, që njihet si “Mariolatria”, apo hyjnizimi i Marisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.