Ubaldi lindi në gjirin e një familjeje fisnike, me zanafillë nga Gjermania. I humbi
të dy prindërit, kur ishte ende i mitur. E bëri bir në shpirt i ungji, me të njëjtin
emër, i cili u kujdes shumë për formimin e tij shpirtëror e mendor. Si arriti në moshë
të pjekur, vendosi të bëhej meshtar, dëshirë që e realizoi në vitin 1114, kur çoi
meshën e parë në katedralen e Shën Marianit, në Gubio të Italisë. Kujtojmë se në atë
kohë Gubio ishte qendër e Umbries. Pak më vonë, u zgjodh epror i kanonikëve të
kësaj katedraleje, që i kushtonin tepër pak kohë lutjes, e edhe më pak, pendesës.
Vuri rregull të rreptë, ndryshoi zakonet, krijoi atmosferën e lutjes e të agjërimit.
Por, në vitin 1125, në Gubio ra një zjarr i papritur, që u përhap me shpejtësi, duke
bërë hi e pluhur pjesën më të madhe të qytetit, me katedrale e me kisha. Kanonikët
u detyruan të shpërndahen në kishat e tjera e ai mbeti pa bashkësi. I dëshpëruar,
Ubaldi vendosi të bëhej vetmitar, por pastaj ndërroi mendim. U rikthye në qytet e
iu vu punës për rindërtimin e katedrales e të bashkësisë. Një vit më pas, në Perugja
vdiq ipeshkvi e papa e zgjodhi pasardhës të prelatit të vdekur. Ai kundërshtoi e iu
lut ta linte prift të thjeshtë. Lutja iu pranua. Por pak më vonë vdiq edhe ipeshkvi
i Gubios, e këtë radhë Papa nuk pranoi asnjë kundërshtim. E shuguroi ipeshkëv. Iu
desh të pranonte e të përballonte shumë pengesa e vështirësi, shumë thyerje disipline,
që arritën deri në fyerje personale, fizike, kundër ipeshkvit. Ai u përgjigj me një
qetësi për t’u admiruar: pa u frikësuar e pa u zemëruar kurrë. Me këtë frymë e
shpëtoi qytetin nga sulmi i koalicionit të disa prej familjeve të rëndësishme, me
në krye Federik Barbarosën, që dogji Spoleton e rrethoi Gubion. Vdiq si shenjt në
Gubio, më 16 maj 1160. Besimtarët, që nisën të flasin menjëherë për mrekulli e profeci,
e zgjodhën pajtor. Më 1192, Papa Çelestini III e shpalli shenjt. Trupi i shenjtit,
së pari i varrosur në katedralen e tij, më 1194 u mbart në një Kishë të Ingjinos.
Sot Gubio e kremton festën e Shën Ubaldit me rite solemne fetare e me manifestime,
që bashkojnë fe, gëzim e fantazi popullore. I famshëm, vrapimi me qirinj të ndezur,
që duken si yje të zbritur nga qielli, në sa besimtarët i ngjiten me ta në dorë malit
të Ingjinos, për ta rrethuar, pastaj, me dritëza, varrin ku ruhen reliket e shën Ubaldit.