2012-05-16 16:10:00

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: lutja, vepër e Shpirtit Shenjt në ne. Thirrje për të ndihmuar familjen përmes punës.


Thirrja për familjen, që të mos i mungojë kurrë puna, e cila e ndihmon t’i hapë udhën jetës së re dhe një katekizëm kushtuar lutjes, ishin në qendër të vëmendjes, në audiencën e përgjithshme të Benediktit XVI, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit. Javët e kaluara Papa u përqendrua tek roli i lutjes, duke u mbështetur kryesisht tek Veprat e Apostujve, ndërsa sot filloi të fliste për vendin që zë lutja në Letrat e Shën Palit.

Ishte Dita ndërkombëtare e Familjeve, themeluar nga OKB-ja, kremtuar dje, që e nxiti Papën të reflektojë mbi temën e nismave të këtij viti, kushtuar drejtpeshimit ndërmjet familjes e punës:
“Kjo e fundit, nuk duhet ta pengojë familjen, por ta mbështesë, duke e ndihmuar t’i hapë udhën jetës e të krijojë marrëdhënie me shoqërinë e me Kishën. Uroj edhe që e Diela, dita e Zotit e Pashka e javës, të jetë ditë pushimi e rast për të forcuar lidhjet familjare”.
Në katekizëm, duke u ndaluar posaçërisht tek vendi i lutjes në Letrat e Shën Palit, Benedikti XVI shpjegoi kuptimin e dhuratës, që buron prej saj. Për Apostullin e Popujve, lutja është fryt i pranisë së gjallë, reale, frymëzuese të Atit qiellor e të Jezu Krishtit në shpirtin tonë, për virtyt të Shpirtit Shenjt: është, pra, veprim i Shpirtit të Atit e të Birit. Duke analizuar posaçërisht Letrën drejtuar Romakëve, Papa shpjegoi se në lutje mund t’ia hapim zemrën Zotit, duke e lënë gjithë kohën tonë në duart e Tij.
Kështu ne provojmë, më shumë se në përmasa të tjera të ekzistencës e të jetës së krishterë, ligështinë tonë, varfërinë tonë; ndjejmë se jemi krijesa të natyrshme, vënë përballë gjithëpushtetit të Zotit të mbinatyrshëm. Sa më shumë përparojmë në dëgjimin e zërit të Zotit e në dialogun me Të, aq më shumë, shtoi Papa, e perceptojmë ndjesinë e cakut tonë, jo vetëm përballë situatave konkrete të çdo dite, por edhe në vetë marrëdhniet me Zotin. Rritet, kështu, në ne, dëshira për ta lëshuar vetveten në dorë të Hyjit e për t’i besuar gjithnjë më shumë Atij, që ndriçon mendje e zemra:
“E Shpirti Shenjt na ndihmon në paaftësinë tonë, na i ndriçon mendjet e na i ngroh zemrat, duke na marrë për dore, për të na çuar drejt Zotit. Për Shën Palin, lutja është sidomos ndikim i Shpirtit Shenjt mbi natyrën tonë njerëzore. Shpirti i Zotit merr mbi vete ligështinë tonë, për të na shndërruar nga njerëz të lidhur me realitete materiale, në njerëz shpirtëror”.
Prej këndej, Shpirti Shenjt na shndërron e, në praninë e tij realizohet bashkimi ynë me Krishtin, sepse është fjala për Shpirtin e Birit të Zotit, në të cilin edhe ne bëhemi bij. Pra Shën Pali, shpjegoi Benedikti XVI, flet për Shpirtin e Krishtit, e jo vetëm për shpirtin e Hyjit: “Jo vetëm Hyji Atë u bë i dukshëm në Mishërimin e Birit, tha Papa, por edhe Shpirti i Hyjit dëftohet në jetën e në veprimtarinë e Krishtit të kryqëzuar, të vdekur e të ngjallur. Pra është Shpirti ai, që e drejton zemrën tonë kah Jezu Krishti.
Në se shqyrtojmë sjelljet e njeriut kur, në jetën e tij të krishterë, e lë të veprojë Shpirtin e Krishtit në shpirtin e tij, në gjithçka mendon, bën e thotë; në punë e në lutjen e frymëzuar, nënvizoi Papa, vërejmë se ai është në gjendje ta mposhtë çdo lloj frike e skllavërie e të jetojë në lirinë e vërtetë të Bijve të Zotit. Është Shpirti Shenjt ai, që na çliron nga ndeshjet e ashpra shpirtërore, të cilat na mundojnë në çdo hap të jetës. Është Fryma e Shenjtë, e jo vullneti ynë, që na qetëson zemrat e na ndriçon mendjet:
“Përmes lutjes provojmë lirinë e dhuruar nga Shpirti: liri e vërtetë, e çliruar nga e keqja e nga mëkati, për të mirën e jetës, për Hyjin. Liria e Shpirtit, vijon Shën Pali, nuk njëjtësohet kurrë me shthurjen, e as me mundësinë për të zgjedhur rrugën e së keqes; ajo njëjtësohet me frytin e Shpirtit Shenjt, që është dashuri, është gëzim, paqe, shpirtmadhësi, bujari, mirësi, besnikëri, butësi e vetësundim. Kjo është liria e vërtetë. I lirë është ai, që mund të realizojë vërtetësisht dëshirën për të bërë mirë, ai që mund të provojë gëzimin e vërtetë të bashkimit me Zotin, që nuk shtypet nën peshën e rrethanave, të cilat i prijnë në drejtime të tjera”.
Në se e lëmë Shpirtin e Krishtit të veprojë në shpirtin tonë, shtoi Papa, edhe vetë lidhja me Zotin bëhet tejet e thellë. Atë nuk mund ta këpusë më asnjë realitet e asnjë situatë. Kuptojmë, atëherë, se përmes lutjes u çliruam nga provat e vuajtjet, ndërsa mund të jetojmë në bashkim me Krishtin, me vuajtjen e tij, të bindur se në të ardhmen do të mund të jetojmë edhe me lumninë e Tij.
Shumë herë në lutjen tonë, kujtoi Papa, i lypim plot besim Zotit hirin të na çlirojë nga e keqja fizike e shpirtërore e nga i keqi, e megjithatë, shpesh kemi përshtypjen se Ai nuk na e vë veshin. Atëherë e humbasim guximin, dëshpërohemi, e britma jonë drejtuar nga qielli, bëhet lot i hidhur në sy:
“Por, s’ka britmë njerëzore, që nuk arrin para fronit të Zotit, e pikërisht gjatë lutjes së përhershme e besnike, kuptojmë, njëherësh me Shën Palin, se vuajtjet e së sotmes, nuk e pengojnë lumninë e së ardhmes, që do të rrezatojë dritë në shpirtin tonë”.
Prej këndej, mund të themi se lutja nuk na e shkarkon barrën e provës e të vuajtjes, por na ndihmon ta jetojmë e ta përballojmë me forcë të re, me atë besim, që pati vetë Jezusi në ditët e shtegtimit të tij tokësor, kur lartonte sytë nga Ati e i lutej me gjithë zemër të mos e braktiste:
Përgjigjja që Hyji Atë i dha Birit, britmave të tij tronditëse e lotëve të tij, nuk ishte çlirimi i menjëhershëm nga vuajtjet, nga kryqi, nga vdekja, por përmbushje e një dëshire shumë më të madhe, shumë më të thellë. Përmes Kryqit e vdekjes, Hyji iu përgjigj Birit me Ngjalljen, me jetën e re. Lutja e frymëzuar nga Shpirti Shenjt na ndihmon edhe ne ta jetojmë plot shpresë e besim çdo ditë të shtegtimtit mbi tokë, me provat e vuajtjet e saj, të bindur se Hyji do të na përgjigjet një ditë, ashtu si iu përgjigj të Birit”.
Përveç kësaj, duhet kujtuar se lutja, e ndihmuar nga Shpirti i Krishtit, nuk mbyllet kurrë në vetvete, por e nxit njeriun t’ia hapë zemrën të mjerëve, t’ua dëgjojë britmat e të marrë pjesë në vuajtjet e tyre e të botës sonë. Bëhet, kështu, vijoi Benedikti XVI, ndërmjetësim për të tjerët, kanal shprese për gjithë krijesën, shprehje e asaj dashurie, me të cilën Zoti i mbush përplot zemrat tona, përmes Shpirtit Shenjt, që na u dhurua.
Pikërisht me urimin për t’i kushtuar sa më shumë kohë lutjes, si prani e veprimtarisë së Shpirtit Shenjt, që na bashkon me Zotin me gjithë zemër e me gjithë vetveten, e përfundoi Ati i Shenjtë audiencën e sotme, duke u kujtuar besimtarëve se Shpirti Shenjt bëhet forca e lutjes sonë të ligshtë e se nuk duhet të ndjehen kurrë vetëm.
Në përfundim, sipas traditës, Ati i Shenjtë përshëndeti grupet e pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit, në gjuhë të ndryshme.Në italisht, u drejtoi një përshëndetje të posaçme besimtarëve të kryedioqezës së Akuilës dhe të Roka Santo Stefano, si dhe bashkësisë katolike të Shalomit, duke u kujtuar edhe se nesër, në shumë vende të botës, do të kremtohet të Shëlbuemit.







All the contents on this site are copyrighted ©.