2012-05-15 16:01:20

U paraqit Shoqata Parlamentare e Miqësisë Itali-Shqipëri


Sot pasdite, në Bibliotekën “Xhovani Spadolini” të Senatit Italian, u paraqit Shoqata Parlamentare e Miqësisë Itali-Shqipëri. Përveç ambasadorit të Shqipërisë, Llesh Kola, ishin të pranishëm e mbajtën relacione edhe Ardian Ndreca, pedagog i historisë së filozofisë moderne në Universitetin Papnor Urbanian të Romës dhe Italo Fortino, pedagog i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Universitetin “L’Orientale” të Napolit. Pala italiane përfaqësohej nga ambasadori i Italisë në Shqipëri, Massimo Gaiani. Presidenti i shoqatës është senatori italian Basilio Giordano, i zgjedhur në kolegjin e Amerikës Qendrore e Veriore, pra, me votat e diasporës italiane.
Në shoqatën e regjistruar që në mars të këtij viti, janë anëtarësuar të paktën njëqind deputetë, me qëllim shkëmbimin kulturor ndërmjet atyre parlamentarëve, të cilët e njohin dhe e vlerësojnë Shqipërinë, vend me lidhje të forta historike e gjeopolitike me Italinë. Këto shkëmbime, sipas idesë së themeluesve të shoqatës, mund të favorizojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, në të gjitha fushat.
Kujtojmë se që nga shekulli XV, në Itali jetojnë arbëreshët, të cilët për ligjin aktual, konsiderohen pakicë etno-gjuhësore. Sot, ata janë rreth 300 mijë, të shpërndarë në 50 fshatra e qytete, 10 provinca e 7 rajone italiane. Emigracioni i ri e ka shtuar numrin e shqiptarëve me 450 mijë vetë të tjerë, bashkësia e dytë pas rumunëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.