2012-05-15 16:01:01

Dom Nikollë Mini, famullitar i katedrales së Prizrenit, në përvjetorin e vdekjes


Prifti i jashtëzakonshëm kosovar, dom Nikollë Mini, lindi më 9 korrik 1924, në Ferizaj. Ishte më i vogli ndër katër fëmijët, që Zoti u fali prindërve, Kolë Mini dhe Monika Kajtazi.
Shumë shpejt mbeti jetim dhe iu desh të strehohej në dyert e të afërmve. Fëmijë i mençur, jashtëzakonisht i shkathët, tërhoqi vëmendjen e meshtarëve vendas, që e përcollën në seminarin e Prizrenit e pastaj në Seminarin e Shkodrës e të Zagrebit, ku kreu studimet filozofike e teologjike.
U shugurua meshtar njëherësh me priftin Don Milorad Defarin, misionar kroat i mirënjohur ndërmjet shqiptarëve me emrin Dom Mila, në vitin 1950. Nisi menjëherë shërbimin meshtarak kudo e kërkoi Kisha e nevojat shpirtërore të besimtarëve shqiptarë: nga Shenjtërorja e Zojës së Bekuar të Crnagorës në fshatin Letnicë, në fshatin Novoselë të Gjakovës, në Bec, Zym, Velezhë si dhe në katedralen e Zojës Ndihmëtare të Prizrenit, ku mbylli sytë më 15 maj 1992 në elter, ndërsa kremtonte Meshën Shenjte, duke vulosur kështu përkushtimin themelor ndaj Zotit e popullit, për çka ishte përpjekur gjithë jetën.
Figurë poliedrike, monsinjor Nikollë Mini u dallua si prift, si ndërtues Kishash, si organizator i rinisë katolike, si mjeshtër i korit kishtar, si gojëtar, publicist, autor i fletëpalosjes "Zani i Zojës së Crnagorës" dhe i katekizmit me titull "Besimi katolik", themelues, bashkë me imzot Nikë Prelën, i revistës fetare-kulturore "Drita" e cila më vonë pati edhe shtëpinë e vet botuese prej nga dolën shumë botime të reja. Në përvjetorin e vdekjes, mons. Nikollë Minin, e kujtojmë si njeri që jetoi për Zotin e me Zotin, për popullin e me popullin; si meshtar që jetoi për elterin e mbylli sytë në elter, duke lënë kështu gjurmë të pashlyeshme në jetën e Kishës e të kulturës shqiptare kosovare, si model që meriton të ndiqet nga breznitë e reja.







All the contents on this site are copyrighted ©.