2012-05-14 13:14:04

Shqipëria në guidën e Veprës Romake të Shtegtimeve


Shqipëria vlerësohet për thesarin shpirtëror e kulturor nga Vepra Romake e Shtegtimeve. Në katalogun e udhëtimeve të këtij viti 2012, organizata kishtare e përmendur u propozon shtegtarëve italianë e ndërkombëtarë, edhe vendin e shqiponjave si pikë shtegtimi shpirtëror e kulturor, pas marrëveshjes ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë, për ta konsideruar këtë të fundit vend pushimi në rrugën e shtegtarëve, sidomos të atyre italianë, për në Tokën e Shenjtë. “Shtegtimi në Shqipëri, tokë e Nënë Terezës – thuhet në libretin e agjencisë kishtare, që merret me organizimin e shtegtimeve e të turizmit fetar – do t’ju japë rastin për të prekur me dorë, një nga karakteristikat më të jashtëzakonshme të popullit krenar të këtyre trevave: pasurinë e tij shpirtërore dhe takimin ndërmjet feve. Bashkëjetesa e harmonishme ndërmjet tri besimeve fetare përfaqësohet nga shumë tempuj kulti, të pranishme në rajone të ndryshme të Shqipërisë – xhami, kisha, teqe – që ekzistojnë njëra pranë tjetrës, dëshmi e qartë se feja në Zotin është shoqe jete për këtë popull. Kjo përvojë do të vlerësohet edhe më tej nga takimi me përfaqësuesin katolik të njërës nga katedralet më të njohura të Shqipërisë, si ajo e Shkodrës, gjë që do t’ju ndihmojë ta kuptoni më mirë kulturën e një vendi, kaq afër nesh (italianëve)”, shkruhet më tej në katalogun e shtegtimeve botuar nga Vepra Romake e Shtegtimeve.
Çmimi i udhëtimit përfshin edhe nisjen e kthimin me avion në Romë, të gjitha transferimet në qytete të ndryshme, fjetjen në hotele me 3-4 yje, ushqimin dhe ujin për tre vakte, guidën në italisht, vizitat dhe ekskursionet e të gjitha shpenzimet e tjera, si edhe sigurimet. Shtegtimi zgjat 8 ditë e kushton 990 euro.
Itinerari është interesant dhe nis nga Durrësi, me vizitën në Manastirin e Ardenicës, në Apolloninë e lashtë e në Vlorë, ku grupi ndalet në manastirin ortodoks të Zvërçanit. Më pas, transferimi në Sarandë, përgjatë bregut të detit Jon, duke shijuar të gjitha bukuritë që shtrihen para syrit. Parashikohet vizita në Kalanë e Lëkurësit, në gjirin e Sarandës e në qytetin e lashtë të Butrintit. Në ditën e katërt, grupi i shtegtarëve shkon në Gjirokastër. Gjatë rrugës, ndalet në kishën ortodokse të Mesopotamit e në atë të Labovës së Kryqit. Dita e pestë i takon Beratit, qytetit të njëmijë dritareve, me një nga kalatë e pakta, akoma të banuara në botë. Pas Beratit, grupi transferohet sërish në Durrës, por kësaj radhe viziton amfiteatrin dhe Muzeun Arkeologjik, për të shkuar më pas në Tiranë, ku guida do t’i tregojë monumentet kryesore të qytetit. Ditën e mëpasme, shtegtarët nisen për në qendrën e katolicizmit shqiptar, për në qytetin verior të Shkodrës, ku do të vizitojnë katedralen e Shën Shtjefnit dhe do të takohen me një përfaqësues të katolikëve vendorë. Më pas, kthesë drejt Krujës, qyteti i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Dita e tetë dhe e fundit, në Tiranë, në Parkun Kombëtar të Dajtit, ku dreka e lehtë do të pasohet nga transferimi për në aeroport e nisja për në Romë.







All the contents on this site are copyrighted ©.