2012-05-14 17:42:28

Në mëse 100 qytete evropiane, manifestimi i të krishterëve “Së bashku për Evropën”


Flamuri i kaltërt i Bashkimit Evropian u valëvit të shtunën në 130 qytete evropiane për edicionin e katërt të manifestimit “Së bashku për Evropën”. Në sheshet kryesore, dëshmi, këngë e valle për të përshkruar kontributin e të krishterëve për të mirën e përbashkët të kontinentit. Protagonistë të kësaj nisme në Romë - njëra nga qytetet pjesëmarrëse - ishin rreth 300 lëvizje e bashkësi të krishtera.RealAudioMP3
“Duhet të përforcojmë çdo ditë filozofinë e marrëdhënieve ndërmjet evropianëve, t’i japim rëndësi gjithnjë e më shumë të afërmit”, u tha pjesëmarrësve nga Brukseli, kryetari i Këshillit të Evropës, Herman van Rompuy. Shpresa për të ardhmen është në vlerën e bashkësisë, që zgjidh të gjitha problemet e në përmasën komunitare, që e pasuron Evropën, theksoi edhe Maria Voce, kryetare e Lëvizjes së Fokolarëve, po nga Brukseli.
Por të dëgjojmë disa dëshmi nga manifestimi i Romës. Së pari, pastori evangjelist Samuel Kpoti, i cili është nismëtar i takimeve ndërmjet fëmijëve e të rinjve të feve e kulturave të ndryshme në kryeqytetin italian:
“ Duhet të jemi gjithnjë gati për të mësuar nga të tjerët. Së bashku, rritemi më mirë e duhet të rritemi së bashku”.
Siç bën Salvatori, që së bashku me të shoqen, Sara, mundohet çdo ditë të gjejë zgjidhje për familjet në krizë, me Tendën e Abrahamit, një lloj familje, që i mban dyert e hapura për të gjithë:
“Kemi vendosur të nisim një veprimtari të re, konkrete, që na detyroi ta lemë shtëpinë, tokën, punën, por jetojmë së bashku, në mënyrë që të formojmë një familje të madhe, e cila pret krahëhapur familjet në vështirësi”.
E si mund të kapërcehet kriza e sotme, cili duhet të jetë funksioni i financës dhe natyra e ndërmarrjes? Na e tregon Rikardi, meksikan, që administron një Institut kërkimor për etikën e bankave e të ndërmarrjeve:
“Sipas nesh, fitimi e dinjiteti i njeriut duhet të gjejnë një pikëlidhjeje. Ne u propozojmë ndërmarrjeve të ndryshojnë mënyrën e administrimit, që të kenë jo vetëm fitime, por edhe punonjës më të kënaqur e më të impenjuar”.
Pra, një Evropë e Bashkuar është e mundur, nëse secili merr përsipër përgjegjësinë për të kontribuar në arritjen e këtij qëllimi. “Nuk mund t’i shmangemi historisë”, siç ka thënë Papa Benedikti XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.