2012-05-14 16:16:22

Benedikti XVI në Toskanë: të krishterët të kontribuojnë në lindjen e një etike të re publike. Italia ta mposhtë tundimin e çkurajimit!


Mosbesimit në impenjimin politik e shoqëror, të krishterët duhet t’i kundërvënë impenjimin e dashurisë e të përgjegjësisë qytetare. Kështu u shpreh Papa dje pasdite, duke vizituar qytetin e Sansepolkros, me rastin e njëqind vjetorit të themelimit. Vijonte, kështu, vizitën baritore, nisur paradite në Arezo, ku u prit nga kryeministri italian Monti, për të kryesuar, më pas, Meshën Shenjte në parkun Prato të qytetit, në praninë e tremijë vetëve. Benedikti XVI e nxiti Italinë ta mposhtë, me mbështetjen morale të fesë, tundimin e çkurajimit e, me forcën e traditës humanistike, të rifillojë rrugën e përtëritjes morale dhe etike. Ati i Shenjtë nuk mundi të realizojë, për shkak të kushteve të vështira atmosferike, vetëm një nga takimet e planifikuara, atë me bashkësinë françeskane, në Shenjtëroren e La Vernës.RealAudioMP3

Kanë kaluar njëmijë vjet që nga themelimi i Sansepolkros nga ana e shenjtorëve shtegtarë Egjidi e Arkani, të kthyer nga Jeruzalemi me dëshirën për të hedhur themelet e një qyteti, në të cilin dishepujt e Krishtit të bëheshin forcë lëvizëse e shoqërisë. Një qytezë, ndërtuar mbi bazën e projektit teologjik të drejtësisë e të paqes. Duke vizituar konkatedralen, ku u gjunjëzua para Eukaristisë e para Fytyrës së Shenjtë, kryevepër skulpture në dru e epokës karolinge, e duke u takuar me qytetarët në sheshin mesjetar Torre di Berta, Benedikti XVI uroi që ky mijëvjeçar të japë ndihmesën e vet për të reflektuar mbi rrënjët e krishtera e për t’i rizbuluar, që vlerat ungjillore të vijojnë ta fekondojnë mbarë shoqërinë. E fuqishme, thirrja drejtuar të krishterëve për impenjim qytetar:
“Sot ndjehet posaçërisht nevoja që shërbimi i Kishës ndaj botës, të shprehet përmes besimtarëve laikë mendjendritur, të aftë për të dhënë kontributin e tyre në qytetin e njeriut, me dëshirë për të shërbyer përtej interesave private, përtej vizioneve të njëanshme. E mira e përbashkët vlen shumë më tepër se e mira vetjake. E u takon edhe të krishterëve të japin ndihmesën e tyre për lindjen e një etike të re publike”.
Mosbesimit në impenjimin politik e shoqëror, të krishterët, porositi Ati i Shenjtë, duhet t’i kundërvënë impenjimin e dashurisë e të përgjegjësisë qytetare, të frymëzuar nga dashuria ungjillore, që kërkon të mos mbyllemi brenda vetes, por të marrim mbi vete edhe peshën e rëndë të të tjerëve:
Të rinjve u drejtoj ftesën të mendojnë për gjëra të mëdha: merrni zemër e guxoni! Të jeni gjithmonë gati për t’i dhënë shije të re mbarë shoqërisë civile, me kripën e ndershmërisë e të vetmohimit pa kurrfarë interesi. Është e nevojshme të gjenden përsëri arsye të shëndosha për t’i shërbyer së mirës së qytetarëve”.
Ftesë për të shikuar lart e thirrje për të mos u dorëzuar përballë krizës ekonomike, kjo e Papës, drejtuar tremijë besimtarëve të mbledhur dje paradite në parkun Prato të Arecos, prej nga Benedikti XVI iu lut Zojës së Ngushëllimit, pajtore e qytetit:
I lypim Zotit ngushëllimin moral, që bashkësia aretine, e mbarë Italia, ta mposhtin tundimin e çkurajimit. Të forcuar edhe nga tradita e madhe humaniste, të rifillojnë vendosmërisht rrugën e përtëritjes shpirtërore dhe etike, e vetmja që mund të çojë në përmirësimin e vërtetë të jetës shoqërore e civile”.
Të gjithë mund të japin ndihmesën në këtë përtëritje, duke iu përgjigjur thirrjes së Zotit e duke e dëshmuar me dashuri përmes mikpritjes së atij, që arrin në kërkim të lirisë e të punës, përmes ndihmës së pakursyer ndaj të varfërve, mbrojtjes së jetës, kujdesit për familjen.

Në Areco, dreka me ipeshkvijtë e Toskanës në Kryeipeshkvni, e, para ndarjes, muzika, ngjyrat e ndezura të valëvitësve të flamujve, ngrohtësia e madhe e njerëzve që ngarendën për ta përshëndetur Papën, ishin në kontrast me qiellin, ngarkuar me re të bardha, e me uljen e menjëhershme të temperaturës. Benedikti XVI iu përgjigj turmës në festë, me një përshëndetje jashtë programit, nga dritarja e Pallatit ipeshkvnor:
“Të dashur miq, ju falënderoj me gjithë zemër për këtë paraqitje tepër të bukur të kulturës suaj rilindase, që e preku thellë zemrën time. Kush është i aftë ta paraqesë në mënyrë kaq të përkryer kulturën e së kaluarës, është i aftë edhe të krijojë kulturën e së ardhmes, sepse e njeh njeriun, e do njeriun, me dinjitetin e tij tepër të madh, si shembëlltyrë e Zotit. E nëse jemi shembëlltyrë e Zotit, jemi edhe të aftë të ecim përpara, t’i zgjidhim problemet e së sotmes e të hapim shtigje të reja drejt së ardhmes”.
Pavarësisht nga koha e muzgët, zemra jonë është plot me dritë, tha Papa, duke përshëndetur dioqezin e Areco-Kortonës e të Sansepolkros.
Por, për fat të keq, retë e dendura, që pushtuan qiellin, në sa Benedikti XVI përgatitej të nisej për etapën e fundit të shtegtimit, e detyruan ta anulonte takimin aq të pritur me françeskanët dhe klariset, në Shenjtëroren e La Vernës, vend, në heshtjen e thellë e të patrazuar të të cilit, flet vetë Zoti. Aty, buzë greminës së frikshme, më 1224 Françesku mori plagët e Krishtit, duke i përngjarë plotësisht Jezusit të tij aq të dashur:
“Nuk mjafton të deklarojmë se jemi të krishterë, për të qenë të krishterë të vërtetë, e as të përpiqemi për të bërë vepra të mira, janë fjalët e Papës, në mesazhin drejtuar bashkësisë së Shenjtërores. Duhet t’i përngjajmë Jezusit, me një impenjim të ngadalshëm, shkallë-shkallë, që e shndërron gjithë qenien tonë”.

“Me shembullin e jetës suaj, të frymëzuar nga vlerat ungjillore, lexohet akoma, çojani dashurinë e Zotit njeriut të kohës sonë, shpesh të mbyllur në individualizmin e tij, e bëhuni shenjë e mëshirës së pakufishme të Zotit për njeriun”.

“Ngulmoni, si Varfanjaku i Asizit, në përngjasimin me Krishtin, në mënyrë që kush t’ju takojë, të takojë Shën Françeskun, e duke takuar Shën Françeskun, të takojë vetë Zotin”.
Ishte një ditë, e një vizitë, e para e Benediktit XVI në Toskanë, që u dha zemër jo vetëm mijëra besimtarëve, mbledhur për ta takuar, por edhe mijëra italianëve, që po kalojnë një periudhë të vështirë, ngarkuar me retë e dyshimit të motit të keq, ashtu si qielli i këtij shtegtimi, që gjithsesi, u ndriçua fort nga prania e nga fjala inkurajuese e Papës.







All the contents on this site are copyrighted ©.