2012-05-11 16:47:33

Masakër në Siri: dënimi i Papës, nevoja e impenjimit urgjent të bashkësisë ndërkombëtare.


“Përballë atentateve tragjike, që gjakosën përsëri dje rrugët e Damaskut, Papa, së bashku me të gjithë bashkësinë katolike, nuk mund të mos shprehë dënimin e prerë e, njëkohësisht, edhe afërsinë me familjet e viktimave”. Këtë thekson drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi. “Këto atentate, nënvizon zëdhënësi i Vatikanit, duhet t’i nxisin të gjithë të punojnë për kthesën dhe forcimin e impenjimit, lidhur me vënien në jetë të Planit Annan, pranuar nga palët në konflikt. Atentatet e djeshme vërtetojnë edhe se situata në Siri kërkon impenjim të përbashkët e të vendosur nga ana e gjithë bashkësisë ndërkombëtare, që të vihet në jetë sa më shpejt ky plan e, sa më shpejt, të dërgohen edhe vëzhgues të tjerë. Bëhet gjithnjë më aktuale, përfundon atë Lombardi, thirrja e Atit të Shenjtë Ditën e Pashkëve për rifillimin pa asnjë vonesë të ecjes në rrugën që çon në përfundimin e konfliktit, gjithnjë më të përgjakshëm”.
Kujtojmë lutjen e Papës në Mesazhin Urbi et Orbi, drejtuar Romës e Botës, në Pashkët 2012:
“O Krisht i ngjallur, jepi shpresë Lindjes së Mesme, që të gjithë pjesëtarët etnikë, kulturorë e fetarë të kësaj zone të punojnë për të mirën e përbashkët dhe për respektimin e të drejtave njerëzore. Në Siri, veçanërisht, pushoftë gjakderdhja e rifilloftë pa vonesë rruga e respektit, e dialogut, e pajtimit, siç urohet edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Refugjatët e shumtë, ardhur nga ky vend, në kërkim të ndihmës humanitare, gjetshin mikpritje e solidaritet, që mund t’ua lehtësojnë vuajtjet e tyre të rënda”.
Por pak kohë pas kësaj thirrjeje, situata tragjike vijon e kjo masakër e re e bën edhe më urgjent impenjimin për fundin e gjakderdhjes, rrugën e dialogut e të pajtimit. Ndërkaq autoritetet e Damaskut dhe opozita ia hedhin fajin njëri-tjetrit për atentatet në kryeqytet, ku gjetën vdekjen 55 vetë.
Pas dënimit të prerë nga ana e OKB-së, sot edhe Kina e kritikoi ashpër dhunën terroriste. Dje, veç të vrarëve, mbetën të plagosur edhe 300 vetë, ndërsa përgjigja me plumba, që i dhanë ushtarët e policët njerëzve, të cilët shprehnin revoltën e tyre në qendër e në veri të vendit, e shtoi numrin e viktimave - të paktën me 20 të vdekur të tjerë.







All the contents on this site are copyrighted ©.