2012-05-10 16:27:16

Të Lumët e rinj janë martirë. Papa Benedikti XVI miraton dekrete për 39 të Lumë e për 12 Shërbëtorë të Zotit


Sot paradite, Papa Benedikti XVI priti kardinalin Angjelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjen e Shenjtorëve, duke e autorizuar dikasterin të botojë Dekretet për 39 të Lumë të rinj e për 12 Shërbëtorë të ardhshëm të Zotit. Në këtë listë, të shumtë, martirët. Gjithashtu, Ati i Shenjtë e shtriu në të gjithë Kishën universale kultin liturgjik për nderimin e shën Hildegardës së Bingenit, murgeshë benedektine gjermane, që ka jetuar në shekullin XII, emri i së cilës shkruhet tani në katalogun e shenjtorëve. Mistikja është nderuar gjithnjë si shenjtore e Kishës, pavarësisht se procesi i kanonizimit nuk ka përfunduar kurrë. Papa i ka kushtuar dy katekizma të ndjera në shtator të vitit 2010.
Ndër të Lumët e ardhshëm, Tomazo i Olerës, fratel bergamask, që ka jetuar ndërmjet viteve 1500 e 1600, bari e analfabet deri 17 vjeç, më pas, portier në kuvende e për shenjtërinë e jetës, këshilltar shpirtëror i fisnikëve e i perandorëve. Mbrojti me zjarr punëtorët e minierave.
E Lume do të shpallet edhe breshania Maria Tronkati, bijë e Zojës Ndihmëtare, e dërguar me mision në mesin e indiosve të Ekuadorit, në vitin 1922. Katekiste, infermiere, kirurge, ortopede dhe dentiste, u shua për të drejtat e grave indigjene.
Pastaj, Federiko Bahshtajn dhe 13 shokët martirë, të Urdhërit të Fretërve të Vegjël, vrarë barbarisht nga luteranët në Pragë, për shkak të fesë, në vitin 1611. Ndër ta, meshtari spanjoll Gjovani Martinez, i cili u përpoq të fshihte të Shenjtnueshmin Sakrament. I prenë fillimisht dorën e djathtë e, pastaj, kokën.
Ndër të Lumët e rinj, edhe 21 rregulltarë e një laik, vrarë për shkak të fesë, gjatë Luftës Civile në Spanjë. E si martir njihet nga Kisha edhe Odoardo Fokerini, drejtues i një ndërmarrjeje, intelektual katolik, që vdiq në kampin e përqendrimit të Hersbrukut në Gjermani, vetëm sepse mbrojti hebrenjtë.
Së fundi, të Lume do të shpallen edhe dy laike italiane të 1900-ës: venedikasja Maria Bolonjezi, e cila ka rijetuar vuajtjet e Krishtit mbi Kalvar dhe, Rakele Ambrozini, avelineze, ndarë nga kjo botë në moshën 15-vjeçare pas sëmundjes së meningjitit. “Duaje jetën si dhuratë e Zotit – u thoshte Rakele të gjithëve – e shtrëngoje me dashuri, edhe kur ka formën e Kryqit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.