2012-05-10 15:41:31

Papa Kongresit Amerikanolatin të Hebrenjve: katolikët e hebrenjtë, “miq të mirë” në dialog të vazhdueshëm


“Bashkëpunëtorë të besueshëm” e “miq të mirë”, të aftë për të përballuar krizat bashkë me të krishterët e për t’i kapërcyer pozitivisht konfliktet. Këta janë hebrenjtë, që gjatë 50 vjetëve të fundit, i kanë përmirësuar vazhdimisht marrëdhëniet me katolikët. Papa Benedikti XVI përshëndeti sot në Sallën e Papëve në Vatikan, 30 anëtarë të delegacionit të Kongresit Amerikanolatin të Hebrenjve, për herë të parë në takim me Atin e Shenjtë.
“Në të gjithë Amerikën Latine, ka bashkësi dinamike hebraike, sidomos në Argjentinë e në Brazil, të cilat jetojnë përkrah shumicës katolike. Që nga Koncili II i Vatikanit, marrëdhëniet ndërmjet hebrenjve e katolikëve janë forcuar e, vazhdojnë të ndërmerren nisma për thellimin e miqësisë ndërmjet tyre”.
Në tetor të këtij viti, kremtohet pikërisht 50-vjetori i hapjes së punimeve të Koncilit Ekumenik. Deklarata “Nostra Aetate”, theksoi Papa, mbi marrëdhëniet ndërmjet fesë së krishterë dhe atyre jo të krishtera, udhëheq përpjekjet për mirëkuptimin, respektimin e bashkëpunimin e katolikëve me hebrenjtë. Natyrisht, akoma mbetet shumë për të bërë në fushën e dialogut, sidomos për të përballuar sfidat e sotme:
“Në një botë, gjithnjë e më të kërcënuar nga humbja e vlerave shpirtërore e morale, të vetmet, që mund të garantojnë respektimin e dinjitetit njerëzor dhe paqen e qëndrueshme, dialogu i sinqertë ndërmjet feve e kulturave është themelor për të ardhmen e familjes njerëzore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.