2012-05-10 14:58:37

Fe e atdhe: letra e ipeshkvijve të Shqipërisë për 100-vjetorin e Pavarësisë


Ipeshkvijtë katolikë të Shqipërisë i drejtohen kombit me një Letër baritore për 100-vjetorin e Pavarësisë së vendit. Titullohet “Fe e atdhe” e që në fillim, Konferenca Ipeshkvnore sqaron pse e ka quajtur kështu. “Fe e atdhe – thuhet në Letër – është binomi që, për shekuj me radhë, ka frymëzuar shumë vëllezër e motra atdhedashës, të cilët kanë punuar pa lodhje e pa pushuar për të mirën shpirtërore dhe materiale të atdheut tonë, Shqipërisë”.

Pikërisht për kontributin e dhënë në shpalljen e pavarësisë, më 28 nëntor 1912, përmenden dom Nikoll Kaçorri dhe Luigj Gurakuqi, imzot Luigj Bumçi dhe atë Gjergj Fishta o.f.m, “personalitete, që i bëjnë nder jo vetëm Kishës, por edhe kombit”. Më pas, duke përshkruar historinë e Shqipërisë, ipeshkvijtë katolikë vënë theksin në disa tema, për të cilat kërkohet kontributi i të gjithëve, si familja, dialogu e harmonia në sferën publike, fundi i fenomenit të gjakmarrjes, drejtësia dhe ligji, integrimi evropian, rinia.

Para se t’i japim fjalën zëdhënësit të Konferencës Ipeshkvnore, don Gjergj Meta, po citojmë porosinë e barinjve të Kishës Katolike për të rinjtë, në fund të Letrës, e cila ia beson të ardhmen e vendit Pajtores së Shqipërisë, Nanës së Këshillit të Mirë. Shkruajnë ipeshkvijtë: “Mos harroni asnjëherë sakrificat e shumta, që kanë bërë të parët tanë, traditat dhe virtytet më të bukura të trashëguara prej tyre. Pa virtyt nuk ka atdhe”. E tani të dëgjojmë intervistën e kryeredaktorit tonë don David Gjugja me zëdhënësin e ipeshkvijve, don Gjergj Meta….RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.