2012-05-09 17:56:49

Trashëgimia e shën Françeskut për ungjillëzimin e ri: imzot Eteroviç dhe atë Kantalamesa.


“Ungjillëzimi i ri dhe frymëzimi françeskan”: për këtë u fol në një ditë studimi, organizuar nga Instituti Françeskan i përshpirtërisë, në kuadrin e Sinodit të ardhshëm të Ipeshkvijve, që do të mbahet tetorin e ardhshëm, me temë: “Ungjillëzimi i ri për përçimin e fesë së krishterë”. Ndërmjet referuesve, ishin edhe imzot Nikola Eterovic, sekretar i përgjithshëm i Sinodit dhe atë Kantalamesa, predikatar i Shtëpisë Papnore.

“T’u jepet përgjigja e duhur shenjave të kohës, të promovohet një kulturë e rrënjosur më thellë në Ungjill”: ky është ungjillëzimi i ri, sipas Lineament-ës së Sinodit të ardhshëmn të Ipeshkvijve e kjo, edhe sfida për familjen e madhe të krishterë, Kishën, që përfshin urdhëra rregulltare e të jetës së shuguruar, por edhe të rinj, laikë, lëvizje kishtare. Të gjithë janë të thirrur për të qenë protagonistë të një mënyre të re të kumtimit të Krishtit e të përhapjes në botë të gëzimit, i cili buron në zemrën e njeriut, kur e ndjen veten bir të Zotit, ashtu si dinte të bënte Shën Françesku. Po ç’ndihmesë mund të japë sot përshpirtëria françeskane për ungjillëzimin e ri? Të dëgjojmë atë Kantalamesën, predikatar i Shtëpisë Papnore, françeskan kapuçin:
Do të thosha se Shën Françesku është ungjillëzues në të gjitha fushat. Mjafton të mendojmë se lëvizte në mjedisin më popullor, që mund të përfytyrohet, në fshatrat e Umbries, të Markeve e të Lacios. Pastaj, dalngadalë, e hapi rrezen e ndikimit të vet, për të arritur në Francë e në vende të tjera; madje nisi edhe dialogun ndërfetar. Nuk duhet harruar se Françseku është i pari, që shkoi të fliste me sulltanin e Egjiptit. Shkoi si mik, jo si kryqëtar. Prej këndej, për ne, françeskanët, është burim frymëzimi e, besoj se ndihmesa jonë sot duhet të jetë të mos vemë në qendër të gjithë kësaj përpjekjeje një ide, një strategji, por vetë Jezu Krishtin: Jezu Krishti na e shpjegon gjithçka, Françeskun, burimin e tij të frymëzimit, përtëritjen e tij personale, veprimtarinë e tij, urdhërin, që themeloi. Është, prandaj, tejet e nevojshme ta rivendosim në qendër të ungjillëzimit Jezu Krishtin, jo si kujtesë historike, por si Vetje, si Krisht të gjallë, që e njohim vetëm në Shpirtin Shenjt. Ndoshta mund të duket e çuditshme, por duhet thënë se Jezusi është mënjanuar nga kuvëndimi aktual: në dialogun me shkencën, Jezusi mungon. Mungon edhe në filozofinë, që merret me koncepte metafizike, jo me persona historike; e, natyrisht, mungon edhe në dialogun ndërfetar, sepse gjë që ndan, ndërsa feja e krishterë është besim në Jezusin, në Krishtin e vdekur e të ngjallur. Françesku na ndihmon të veprojmë në mënyrë të tillë, që forca shtytëse, e heshtur a e shprehur, e të gjithave, të jetë Jezu Krishti”.
Ashtu si Françesku, 800 vjet më parë, edhe të rinjtë françeskanë sot, duhet ta pranojnë mandatin, që i Kryqëzuari i Shën Damianit ia pati besuar Atit Serafik: “Shko e ndreqe shtëpinë time!”, me guximin e të krishterëve të parë, duke thelluar vazhdimisht lidhjen me Zotin.
Detyra e ne, të krishterëve, përballë ungjillëzimit të ri, është të çojmë kudo shpresë, të bëjmë autokritikë, të jemi të bashkuar në përçimin e fjalës së Zotit, duke pranuar të ballafaqohemi edhe me ateizmin më agresiv e me shekullarizmin më fanatik. Po cilat janë skenaret, ku duhet të veprojë ungjillëzimi në Mijëvjeçarin e tretë të krishterë? Të dëgjojmë Imzot Nikola Eterovic, sekretar i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve:
“Në Lineamenta, apo në planin përgatitor të punës, flitet për skenare të ndryshme, si shekullarizimi, emigracioni, sfida e mjeteve të komunikimit, skenari ekonomik, në këtë çast të krizës globale, skenari politik, por veçanërisht, skenari antropologjik, sepse përballë vizionit të krishterë të njeriu, krijuar sipas shembëlltyrës së Zotit, tani propozohen vizione të tjera, që synojnë ta reduktojnë njeriun, ta shkëpusin nga Zoti, domethënë, nga aspekti themelor, duke e bërë të harrojë se u krijua pikërisht për të dashur Zotin e të afërmin e për t’u realizuar në lidhje me të tjerët. Pastaj kemi edhe skenarin fetar, që mund ta ndajmë në skenar ekumenik, domethënë të dialogut me kishat e bashkësitë e krishtera që, me ndihmë të Zotit, pas Koncilit II të Vatikanit ka dhënë shumë fryte, e në dialog ndërfetar. Në këtë drejtim, Kisha ka bërë hapa të mëdha përpara. Mjafton të mendosh për dialogun me Islamin në disa vende të Lindjes së Mesme, por edhe në vende të tjera të Azisë e të Afrikës. E jo më pak, edhe në vendet tona Perëndimore”.
Prej këndej, theksohet se feja duhet transmetuar sipas shembullit të Shën Françeskut e të shumë shenjtorëve të tjerë, por edhe sipas shembullit të familjeve, të edukatorëve e të ungjillëzuesve, që janë dëshmitarë të besueshëm të Ungjillit, i cili duhet rrënjosur në mënyrë të re, në një botë të re, që ndryshon vazhdimisht.







All the contents on this site are copyrighted ©.