Pakomi lindi në Egjiptin e Epër në vitin e largët 287. Ishte bir i një familjeje pagane.
Sapo i kishte mbushur 20 vjetët, u rekrutua në ushtrinë perandorake. Përfundoi shumë
shpejt në burgjet e Tebës, së bashku me të gjithë rekrutët që u mobilizuan së bashku
me të. Shpëtuan nga vdekja, falë ndihmës së disa të krishterëve vendas të cilët, duke
përfituar nga errësira e natës, u çonin të burgosurve ushqim sa për të mbajtur frymën
gjallë. Ky gjest kaq fisnik nga ana e këtyre njerëzve fare të panjohur, e preku thellësisht
Pakomin, i cili nuk mundi të mos e pyeste veten se kush i shtynte të silleshin kaq
bujarisht. “Zoti i qiellit” - iu përgjigjen të krishterët. Si dëgjoi këtë përgjigje,
Pakomi iu lut Zotit të të krishterëve ta çlironte nga zinxhirët dhe i premtoi se do
t’ia shpërblente, duke ia kushtuar gjithë jetën. Zoti ia dëgjoi lutjen: ai u lirua.
E sapo fitoi lirinë, bëri çmos ta përmbushte kushtin. Hyri, për këtë qëllim, në bashkësinë
e krishterë të një fshati jugor, që sot njihet me emrin Kasr-es-Sajad, ku u përgatit
për të marrë sakramentin e Pagëzimit. Për një farë kohe jetoi si vetmitar, duke iu
kushtuar Zotit e shërbimit të banorëve vendas. Pastaj u lidh ngushtë me murgun Palamon,
i cili u bë për shtatë vjet me radhë ati i tij shpirtëror. U tërhoq pastaj në vetmi
të plotë në shkretëtirë. Një zë misterioz e ftoi të ngulte banesën në këtë vend, ku
do ta ndiqnin shumë dishepuj. E ashtu ngjau. Kur vdiq Shën Pakomi, aty ishin ngritur
nëntë kuvende mashkullore e një femëror. Në sa të dhënat për jetën e shenjtit janë
të sigurta, pak dihet për vdekjen e varrimin e tij. E kjo sepse në prag të vdekjes,
ai vetë i kërkoi dishepullit të tij më besnik ta varroste në një vend të fshehtë,
për të shmangur nderimin nga ana e ndjekësve të tij.