2012-05-07 18:07:15

Vatikani shënon 37 vjetorin e vdekjes së kardinalit hungarez Mindszenty


Kardinali José Saraiva Martins, prefekt nderi i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kryesoi, pranë Kishës romake të Shën Shtjefnit në Çelio, që njihet me emrin Santo Stefano Rotondo, për shkak të formës së rrumbullaktë të shenjtërores, një Meshë me rastin e 37 vjetorit të vdekjes së Shërbëtorit të Zotit, kardinalit József Mindszenty, që u persekutua një herë nga nazistët, më pas edhe nga komunistët. Kremtimin eukaristik e organizuan hungarezët e Romës, në bashkëpunim me Ambasadën e Hungarisë pranë Selisë së Shenjtë, Institutin Papnor Kishtar Hungarez dhe Fondacionin Shën Shtjefni.
E intervistuam kardinalin Martins, duke e pyetur, në radhë të parë, në se në kohët e shugurimit të tij meshtarak, në Romë, ishte në dijeni të ngjarjeve, që po trondisnin rëndë jetën e njerëzve të thjeshtë, e, sidomos, të klerikëve, në Hungari:

Përgjigje: - Natyrisht isha i informuar për atë, që po ndodhte në Hungari. Edhe nga që Hungarinë e kam pasur gjithnjë për zemër. I kam ndjekur, sa kam mundur, ngjarjet e trishtuara, që trondisnin Kishën në këtë vend, kështu kam pasur rastin ta njoh mirë situatën e ta admiroj thellësisht kardinalin Mindszenty.
Sigurisht ishte një personalitet i madh, e jo vetëm për Hungarinë, por për mbarë Kishën katolike. Model i vërtetë bariu, për guximin e tij të jashtëzakonshëm, për bindjet e palëkundshme, për guximin në mbrojtje të vlerave të Kishës, të vlerave të Ungjillit, të vlerave të krishterimit. Për mua mbetet një personalitet i madh historik, jo vetëm si civil, por edhe, e sidomos, si klerik. Shembull e model për ne, njerëzit e Kishës.

Pyetje: - Hirësi, kardinali është rehabilituar plotësisht, si juridikisht, ashtu edhe moralisht. A ndikon ky fakt, në ndonjë farë mënyre, mbi Çështjen e lumnimit të Tij?

Përgjigje: - Sigurisht ky rehabilitim, përveçse i merituar, i jep fund një historie shumë të trishtuar, vuajtjes së madhe, që provoi kardinali. Ky rehabilitim në rendin politik, në rendin moral, e edhe në atë politik, ishte një ngjarje vërtet e madhe. Përsa i përket ndikimit të tij mbi Lumnimin, duhet të them se Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve e studion thellë kandidatin, duke ndjekur të vërtetën historike të fakteve. E kjo e vërtetë del në dritë, natyrisht, duke studiuar dokumentacionin, që lidhet me ngjarjet. Prandaj mund të them se rehabilitimi, në vetvete, nuk ndikon: megjithatë, është një e dhënë shumë pozitive, që konfirmon edhe vijën e Kishës, mendimin e Kishës lidhur me personalitetin e kardinalit Mindszenty, e mund të themi, është edhe vërtetim i saj.

Pyetje: - Kujtoj se ai njihej si kardinali i çeliktë, mbrojtës sypatrembur i fesë. Ç’kuptim mund të ketë për Evropën e sotme?

Përgjigje: - Kardinali është model edhe për shoqërinë e sotme. Në një shoqëri, ku indiferenca fetare përhapet gjithnjë më shumë; në një shoqëri, në të cilën injorohen gjithnjë më shumë vlerat njerëzore e edhe vlerat e krishtera, atëherë sigurisht kardinali Mindszenty është model i një aktualiteti të jashtëzakonshëm, e jo vetëm për Kishën e sotme, por edhe për mbarë shoqërinë. Vlerat e krishtera e ato njerëzore nuk mund të mos takohen. Nuk duhet t’i veçojmë këto dy aspekte: vlerat humane e vlerat e krishtera. Kardinali Mindszenty është model jo vetëm për të krishterët, por edhe për mbarë shoqërinë. E kjo, sepse vlerat njerëzore e ato të krishtera lidhen në mënyrë të pandashme. Gjithçka vërtet njerëzore, është, në zanafillë, e krishterë. E gjithçka, në zanafillë e krishterë, është edhe vërtet njerëzore. Shenjtorët nuk janë vetëm modele shenjtërie, por edhe humanizmi. Shenjtorët janë ata njerëz, që e jetuan përsosurisht humanitetin e tyre.

Pyetje: - Hirësi, përsa e i përket kardinalit Mindszenty, është diskutuar shumë lidhur me bindjen ndaj Kishës. A është provuar, pa asnjë dyshim, se i është bindur gjithnjë Papës Pali VI?
Përgjigje: - Po, është një nga karakteristikat e kardinalit Mindszenty. Sigurisht, në studimin e dokumentave, që lidhen me të, për Lumnimin e ardhshëm, vihet në dukje pikërisht kjo dëgjesë ndaj Kishës. Sepse për të, Kisha nuk ishte shoqëri, e aq. Kisha, për kardinalin Mindszenty, ishte vetë Krishti i cili, i mishëruar në një bashkësi feje, shprese e dashurie, vijon misionin e shërbimit ndërmjet njerëzve pas arritjes së tij tek Ati. E ai i bindej plotësisht Kishës, duke e ditur mirë se bindja ndaj Kishës, është bindje ndaj Krishtit. Kisha është Korpi mistik i Krishtit, është Krishti vetë, që vijon të jetë i pranishëm në histori.







All the contents on this site are copyrighted ©.