2012-05-07 13:43:45

Statute të reja për Karitasin Ndërkombëtar: koment i Sekretarit të Përgjithshëm


Javës që kaloi, u publikuan Statutet e reja dhe Rregullorja e Brendshme e Karitasit Ndërkombëtar, shoqëruar me një Dekret të Përgjithshëm, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarcizio Bertone, ku shpjegohet se organizmi, që koordinon bamirësinë e Kishës Katolike, vihet nën udhëheqjen e Këshillit Papnor “Cor Unum” dhe të vetë Sekretarisë së Shtetit, përgjegjëse për aspekte të ndryshme të punës së Caritas Internationalis. Rregullat e reja, të përcaktuara që në Kirografin e vitit 2004, nënshkruar nga i Lumi Gjon Pali II, janë miratuar pas një rruge të gjatë, për të cilën na flet në mikrofonin tonë, Sekretari i përgjithshëm i Karitasit Ndërkombëtar, francezi, Mishel Rua:
Ky është rezultati i një pune të gjatë, filluar me nismën e Selisë së Shenjtë, kur Gjon Pali II i dha Karitas Internationalis “personalitet juridik publik”. U deshën disa vjet për ta shndërruar në realitet këtë dhuratë të Atit të Shenjtë. Më 15, 16 e 17 maj kemi mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv: një pjesë e saj do t’i kushtohet studimit të Dekretit e të Statutit të ri. Selia e Shenjtë ka ndryshuar vetëm një pjesë të vogël të Statutit, që ky Komitet miratoi në dhjetorin e kaluar. Në një intervistë, kardinali Sarah, kreu i Këshillit Papnor “Cor Unum”, deklaroi qartë se misioni i Karitasit do të vazhdojë të jetë po ai. Është themelore, ajo që bën Karitasi për t’i nxjerrë të varfërit nga gjendja ku ndodhen e për t’u kthyer atyre dinjitetin; për të promovuar më shumë drejtësi në shoqëri; për ta vendosur njeriun në qendër të debateve politike e ekonomike ndërkombëtare. Egjithë kjo pra, nuk vihet aspak në diskutim, përkundrazi, inkurajohet. Ndryshimet kanë të bëjnë me mënyrën e qeverisjes së Konfederatës.







All the contents on this site are copyrighted ©.