2012-05-07 17:44:31

Socialisti Hollande është presidenti i ri i Francës. Humb Sarkozi.


Zgjedhjet, në plan të parë të politikës evropiane. Në Francë, Fransua Holonde konfirmohet si presidenti i ri francez, duke mënjanuar nga posti Nikolas Sarkozì, i cili shpresoi deri në çastin e fundit. Por ballotazhi i djeshëm i jep socialistit 51,6% të votave, 31 vjet pas fitores historike të një socialisti tjetër, me të njëjtin emër, Fransua Miterrand. “Do të jem presidenti i të gjithëve”, deklaroi presidenti i shtatë i Republikës së pestë franceze. Pas një muaji, në zgjedhjet politike, e majta shpreson të ketë edhe shumicën në parlament. Cilat janë sfidat, që ka përpara Franca dhe presidenti i saj i ri? Nga Parisi, komenton i dërguari i gazetës kishtare italiane “Avvenire”, Luigji Gjeninaci:RealAudioMP3
E presin sfida shumë të vështira. Më në fund, mbyllet një fushatë e gjatë dhe e ashpër zgjedhore, e cila u karakterizua nga polemika të shumta dhe vuri në dukje ankthin e frikën e elektoratit francez. Kjo shihet qartë nga rritja e përqindjeve të së djathtës e të së majtës ekstreme. Prandaj, Holondë duhet të impenjohet sa më shpejt në reforma e kjo është shumë e vështirë. Ai ka bërë shumë premtime, me 60 pikat e programit të tij, por do t’i duhet sidomos të shkurtojë shpenzimet publike, gjë jo e natyrshme për një qeveri socialiste. Do të shohim se ç’vendime do të marrë Holondë, pas masave të para popullore, ndoshta pak demagogjike si: bllokimi i çmimit të benzinës, shkurtimi i shpenzimeve të Elizeut e të tjera si këto.
Sipas jush, Hollande, sot kreu i padiskutueshëm i Francës, do të jetë në gjendje të ndikojë për ta ndryshuar politikën evropiane të sakrificave në investime e zhvillim?
Kjo është thënë para zgjedhjeve e dje, Hollande e përsëriti qartë, duke deklaruar se dëshiron të bëjë një kthesë të rëndësishme në Francë, në këtë vend të madh të Evropës, themelues e motorr i Bashkësisë Evropiane në këto 60 vjet, së bashku me Gjermaninë. Por, sinjali i tij për ndryshime është kundër Merkelit, kundër politikës së rreptë gjermane. Këtë do ta shohim edhe pas pak ditësh, kur, i ftuar nga kancelarja Merkel në Berlin, do të flasë për paktin evropian të bilancit, që Hollande dëshiron ta diskutojë a së paku, ta ratifikojë si nga Franca, ashtu edhe nga vendet e tjera të Evropës.
Duke parë edhe rezultatin e zgjedhjeve në Greqi e gjetiu e në pritje të administrativeve në Itali, cili është sinjali, që vjen nga qytetarët evropianë?
Sinjal pakënaqësie të madhe, por edhe konfuzioni, pasi nuk është e qartë se ç’duhet të bëjmë. Tashmë të gjithë, nga presidenti i Bankës Evropiane, deri tek qytetari i fundit i Evropës, e kanë kuptuar se masat për kapërcimin e krizës globale nuk godasin vetëm financat, por edhe jetën e përditshme të secilit. Thjesht rigoroziteti, shtimi i taksave e shkurtimi i fondeve nuk japin rezultat. Masat për zhvillimin, për të cilat, deri tani, është folur pak si tepër në përgjithësi, duhen bërë realitet. Sfida më e vështirë është të kalohet nga fjalët tek veprat.







All the contents on this site are copyrighted ©.