2012-05-07 17:46:08

Siria rizgjedh parlamentin, ndërsa vazhdojnë protestat kundër presidentit


Zgjedhje edhe në Siri, ku që prej një viti, vazhdon kriza e rëndë e gjakderdhja, për shkak të shtypjes së revoltave për ndryshime, nga ana e regjimit arabo-socialist të presidentit Bashar Al Asad. Në shkurt u miratua reforma kushtetuese, e cila lejon pluralizmin. Është hera e parë, që zhvillohen zgjedhjet, pas mundësisë për të formuar parti, por opozita kërkoi bojkotimin e tyre, duke i akuzuar si jo demokratike. 7.100 kandidatë janë në garë për 250 vende të Asamblesë së Popullit, siç quhet parlamenti sirian. Ndërkaq, vazhdojnë ndeshjet e protestat. Nga Damasku, gazetari italian, Cristiano Tinazzi:RealAudioMP3
Shumë persona, që kontaktova sot paradite - si alauitë, ashtu edhe të krishterë, që sigurisht nuk bëjnë pjesë në luftën e armatosur kundër Asadit - pyesin pse duhet të votojnë, për çfarë shërben kjo. Kjo është pyetja e të gjithëve, pasi është e vërtetë që ekziston opozita, por faktikisht, fuqia e kreut të shtetit nuk lëkundet. Armëpushimi dhunohet nga të dyja palët, tensioni është i lartë e mund të ketë atentate. 24 vëzhguesit e OKB-së janë pak e nuk arrijnë të kontrollojnë të gjitha qendrat e votimit. Në të vërtetë, ka vëzhgues të tjerë, por nuk janë dhe aq të pavarur: bëjnë pjesë në grupe, që deklarohen si opozitë e moderuar, por, gjithsesi, janë pranë qeverisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.