2012-05-07 15:22:40

Don Lukë Matrënga në përvjetorin e vdekjes


Më 6 maj të vitit 1619 u nda nga jeta prifti arbëresh don Lukë Matrënga (1560-1619) në Horë (Fshat) të Arbëreshëve. Ai është personalitet i shquar i Kishës e kulturës së vjetër arbëreshe. Don Lukë Matrënga u lind në Horë (Fshat) të Arbëreshëve në Sicili, mbi Palermo, e pasi kreu studimet filozofike e teologjike në kolegjin e Shën Athanasit në Romë, u kthye në Sicilinë e tij të lindjes, ku shërbeu si prift.
Në vitin 1592 përktheu nga italishtja dhe botoi në Romë katekizmin me titull "E mbesueme e kërshterë" ( Doktrina e Krishterë). Kjo vepër me 28 faqe që ka rëndësi shpirtërore e katekistike për historikun e kishës arbëreshe, kjo vepër përfshin një vjershë me tetë vargje që përbën llojin e parë të vargut të shkruar shqip, si dhe vetë katekizmin: një doracak fetar për doktrinën e krishterë në formë pyetje-përgjigje.
Përveç përmbajtjes fetare doktrinore, kjo vepër është e rëndësishme edhe për dokumentimin e të folmeve të vjetra të arbëreshëve të Sicilisë; ajo paraqet interes edhe për vjershën në lutje të shkurtër botuar në atë vëllim, dokument i parë e botuar i vjershërimit shqip.
Duhet kujtuar se ‘Doktrina e krishterë’ është vepër e jezuitit Atë dr. Ledesma, pra rregulltar jezuit dhe është përkthyer nga italishtja në gjuhën arbëreshe nga don Lukë Matrënga.

Vepra e Matrëngës përmban një hyrje në italishte, një vjershë me tetë vargje që përbën llojin e parë të vargut të shkruar në shqip, si dhe vetë katekizmin, që është një udhëzim fetar për njohjen e doktrinës së krishterë e mësimet kishtare në formën e pyetje -përgjigjeve. Në hyrje, duke ia kushtuar veprën kardinalit Ludovico II de Torres, argjipeshkëv i Monreales, Matrënga shpjegon se përkthimi ishte bërë për t'u përdorur nga besimtarët e krishterë arbëreshë që nuk e kuptonin variantin italisht të katekizmit në qarkullim, duke theksuar se ai do t'u vlente "qindra familjeve në Kalabri e në Pulje" me prejardhje shqiptare për përforcimin e fesë së tyre të krishterë.

Ndonëse e shkurtër në krahasim me vepra të tjera të letërsisë së hershme shqiptare, vetëm me 28 faqe, Doktrina e Krishterë e Matrëngës është me rëndësi historike e letrare jo vetëm si botimi i dytë më i vjetër i letërsisë shqiptare, por edhe si vepra e parë nga një arbëresh dhe e para vepër e shkruar në toskërishte. Të gjithë autorët e tjerë të hershëm shqiptarë, don Gjon Buzuku, imzot Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe imzot Pjetër Bogdani, kanë shkruar në dialektin e gegërishtes. Me sa duket, Matrënga në Sicilinë e vendlindjes nuk do ta ketë njohur Mesharin e Buzukut të botuar tridhjeteshtatë vjet më parë. Ai nuk u ndikua nga drejtshkrimi i don Gjon Buzukut. U mjaftua me shkronjat e alfabetit latin, ndërkohë që shkrimtarët shqiptarë veriorë në Ballkan përdornin veç tyre edhe disa shkronja cirilike. Matrënga përdori ae për zanoren e pazëshme që tani shkruhet ë, italishten sc(i) për sh dhe ishte i pari që përdori th për frikativen dentale. Shqipja e tij ka një ngjyrim të fortë me leksik të greqishtes, jo vetëm sepse greqishtja ishte gjuha e kishës ortodokse, por edhe sepse pikërisht nga Greqia kishin ikur arbëreshët e Sicilisë gjashtëdhjetë vjet më parë. Në atë eksod duhet të kenë marrë pjesë gjyshërit e tij, në mos edhe prindërit. Ky shtresim nga leksiku i greqishtes në dialektet arbëreshe ka ardhur duke u dobësuar ashtu si ka ndodhur me leksikun turqisht në shqipen e Ballkanit, i cili pak nga pak ka dalë jashtë përdorimit. Vepra e Matrëngës përmban një leksik të përgjithshëm prej 450 fjalësh.

Vjersha e parë që i takoi të botohet në gjuhën shqipe, përbëhet nga tetë vargje në njëmbëdhjetërrokësh me rimë të këmbyer. Ajo përmban një mesazh të çmueshëm e prekës shpirtëror dhe një ide prekëse e titullohet thjesht 'Canzona spirituale' – 'Këngë e përshpirtshme':

"Cghithaeue u thaerés cux do ndaegliésae,
Tae mirae tae chraextée bura e gràa,
Mbae fiàaet tae tinaezòt tae xichi méxae,
Sé sixtae gnerij néx cciae mcà¡tae scàa,
Elum cux e cuiton sé càa tae vdésae,
E mentae bà¡xcae mbae taenaezònae i càa,
Sé chrixti ndae parràisit i baen piésae,
E baen paer bijr tae tij e paer vaelàa."

(Gjithëve u thërres, kush do ndëljesë,
Të mirë të krështee burra e graa,
Mbë fjalët të tinëzot të shihi meshë,
Se s'ishtë njeri nesh që mkatë s'kaa;
E lum kush e kujton se kaa të vdesë,
E mentë bashkë mbë tënëzonë i kaa;
Se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë,
E bën për bir të ti e për vëllaa.)







All the contents on this site are copyrighted ©.