2012-05-07 13:44:01

Betohen rojet e reja zvicerane në Vatikan


Arma e Rojes Zvicerane Papnore kujtoi flijimin e 147 ushtarëve të saj, rënë gjatë “Plaçkitjes së Romës”, më 6 maj 1527, gjatë sulmit të Lancikenekëve, mercenarëve gjermanë të kohës së Rilindjes. Këta ushtarë u vranë për të mbrojtur Papën Klementi VII. Ky përkujtim është gjithnjë rasti i betimit solemn të rojeve të reja zvicerane, ceremoni shumëngjyrëshe, shumë e ndjekur edhe në botë për veçoritë e saj.
Në mëngjes, në orën 7.15, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone kremtoi meshën për Rojet dhe familjarët e tyre në elterin e katedrës së Bazilikës së Shën Pjetrit. Më pas, në orën 10.30, në Oborrin e Shën Damazit të Pallatit Apostolik, u zhvillua ceremonia e betimit të rojeve të reja, ndërsa pasdite, në orën 17.00, orkestra e Policisë Kantonale të Luçernës dha një koncert në sheshin e Galeas, gjithnjë në Vatikan.
Ceremonitë për këtë ditë të shënuar në jetën e Rojeve Zvicerane filluan që dje, me konferencën për shtyp të komandantit, kolonelit Daniel R. Anring, në lagjen zvicerane të Vatikanit, në orën 8.45. Po dje, pasdite, në Kishën e Zojës në Varrezat e Vatikanit , u kremtuan Mbrëmësoret bashkë me prindërit e kandidatëve, ndërsa në orën 18.00, u përkujtuan dhe u nderuan të rënët në sheshin e Protomartirëve Romakë.
Rojet Zvicerane janë në shërbim të papëve, që nga 22 maji i vitit 1506, në kohën e Papës Xhulio II. Përveç rastit që përmendëm, ato morën pjesë edhe në shumë beteja të tjera, por sot qëndrojnë vetëm në hyrje të Shtetit të Vatikanit e në muze e institute të rëndësishme të Selisë së Shenjtë, të armatosur thjesht me alabardën. Ajo është armë e bardhë, një lloj sëpate me teh e majë të mprehtë, montuar mbi një shtizë të gjatë. Është thjesht simbol i kohëve e nuk përdoret kundër vizitorëve të Vatikanit, për të cilët, rojet zvicerane kanë gati vetëm buzëqeshjen dhe mirësjelljen, që i karakterizon. Alabarda plotëson veshjen e rojeve, ngjyrë blu, e kuqe dhe portokalli, që mendohet të jetë ideuar nga Mikelanxhelo i madh.
Mund të bëhet roje zvicerane, çdo mashkull me nënshtetësi zvicerane, katolik, i moshës 18-30 vjeç, i gjatë jo më pak se 174 cm, i pamartuar, i pajisur me çertifikatë për aftësitë profesionale, ose me diplomë të shkollës së mesme, që ka kryer me nder shërbimin ushtarak në Zvicër. Martesa pranohet për kaporalët dhe për ushtarakët me grada më të larta.







All the contents on this site are copyrighted ©.