2012-05-07 17:43:17

Benedikti XVI në lutjen e Mbretëreshës Qiellore: “Jemi të lirë, kur jemi të Krishtit”.


I krishteri nuk mund të bëjë asgjë, në se nuk është i bashkuar me Krishtin. Benedikti XVI e pohoi këtë mendim dje, në reflektimin, që i parapriu kremtimit të lutjes së Mbretëreshës Qiellore, në Sheshin e Shën Pjetrit. Në përfundim të lutjes, Papa kujtoi e përshëndeti organizatorët e Takimit Botëror të Familjeve, në program kah fundi i muajit, në Milano; falënderoi edhe Shoqatën ‘Meter’ për impenjimin në mbrojtje të fëmijëve, viktima të dhunës.RealAudioMP3
Liria për të zgjedhur, mund të hapë para njeriut rrugë pa fund, duke e nxitur të bëjë punë të mëdha. Liria për të zgjedhur Krishtin, e shtyn njeriun të bëjë punë tepër të mëdha, që i kalojnë caqet njerëzore. Është premtimi i Ungjillit e edhe kuptimi i liturgjisë të së Dielës V të Pashkëve, mbi të cilën reflektoi Papa. Shermendi, i bashkuar me hardhinë, sjell shumë fryt, në sa ai, që nuk është, bëhet shterp. Për të krishterin, ta kuptosh këtë të vërtetë, do të thotë të kesh kuptuar thelbin e udhës në fe. Do të thotë të kesh kuptuar se dega e ngjitur pas trungut, sipas fjalëve të Shën Françeskut të Sales, cituar nga Papa, prodhon fryte jo në sajë të vetvetes, por falë trungut:
“Ditën e Pagëzimit tonë, Kisha na sharton si shermendët, në Misterin e Pashkëve të Jezusit, në vetë Jezusin, në Vetjen e Tij. Nga kjo rrënjë e marrim limfën e çmuar, për të bërë pjesë në jetën hyjnore. Si dishepuj, edhe ne, me ndihmën e Barinjve të Kishës, rritemi në vreshtin e Zotit, lidhur ngushtë me dashurinë e tij”.
Vreshti i Zotit është figurë shumë e dashur për Benediktin XVI. E, duke zhvilluar më tej kuptimin e figurës, Ati i Shenjtë vërejti se prej këndej mund të na lindë pyetja: “Si është e mundur të bashkëjetojnë liria e njeriut, me faktin se ai nuk mund të bëjë asgjë pa Zotin?”. Pyetje tejet e lashtë, aq e lashtë, sa vetë bota, kjo, mbi vullnetin e lirë, së cilës Benedikti XVI iu përgjigj duke bërë të vetën urtinë e Gjonit Profet, murg i shekullit V:
Në se njeriu e prir zemrën kah e mira e i kërkon ndihmë Zotit, nuk do t’i mungojë forca e nevojshme, për ta çuar deri në fund veprën e vet. Liria e njeriut dhe pushteti i Hyjit ecin krah për krah. E kjo është e mundur, sepse e mira vjen nga Zoti, në sa bëhet realitet falë besimtarëve të tij”.
E ky është edhe kuptimi i krishterë i dhuratës së lirisë dhe i përdorimit të saj. E këtë liri, kujtoi Papa, duhet t’ia besojmë gjithnjë më shumë Krishtit e ta lidhim ngushtë me Të, përmes lutjes e pjesëmarrjes në sakramente:
Është e domosdoshme të mbesim gjithnjë të lidhur me Jezusin, të varemi nga Ai, sepse pa Të nuk mund të bëjmë gjë prej gjëje”.
Qielli i ngarkuar me re të zeza e pikat e shiut, që s’pushuan asnjë çast mbi Sheshin e Shën Pjetrit, në një ditë maji, kur pritej shumë kaltërsi, nuk i penguan besimtarët ta mbushnin përplot hapësirën nën dritaren e studios së Papës, si në ditët me diell. Atyre Benedikti XVI iu drejtua, pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, duke i përshëndetur në shtatë gjuhë e duke u kujtuar edhe ngjarjen e madhe kishtare, Takimin e shtatë botëror të familjeve, në Milano:
“Falënderoj dioqezin ambrozian dhe dioqezat e tjera lombarde, që po bashkëpunojnë në përgatitjen e kësaj ngjarjeje të madhe kishtare, organizuar nga Këshilli Papnor i Familjes, kryesuar nga kardinali Ennio Antonelli. Edhe unë, në dashtë Zoti, do të kem gëzimin të marr pjesë; e për këtë, do të shkoj në Milano nga 1 deri më 3 qershor”.
Edhe një përshëndetje, e fundit, e tepër e përzemërt, ajo, që Papa i drejtoi Shoqatës “Meter”, e cila , theksoi, punon në ndihmë të fëmijëve, viktima të dhunës.







All the contents on this site are copyrighted ©.