2012-05-05 13:52:27

Papa Benedikti XVI priti në audiencë Presidentin e Shqipërisë Topi


Sot e shtunë 5 maj 2012, Ati i Shenjtë Benedikti XVI priti në audiencë në Pallatit Apostolik në Vatikan Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi. Bisedimet private të përzemërta, në Sallën e Bibliotekës, mes Papës e Presidentit u zhvilluan në gjuhën italiane e zgjatën afër 20 minuta. Gjatë audiencës u fol për marrëdhëniet e mira ndërmjet Selisë së Shenjtë e Republikës së Shqipërisë dhe u fol për tema me interes të përbashkët si për marrëdhëniet ndërmjet bashkësisë Kishtare e bashkësisë civile, për dialogun e harmoninë ndërfetare në Vend, për kontributin e çmuar që Kisha Katolike ofron në fusha të ndryshme shoqërore e arsimore në Shqipëri. U fol edhe për udhën e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian. “Vatikani do të jetë gjithmonë në krah të përpjekjeve e aspiratave të popullit shqiptar për t’u bërë pjesë e rëndësishme dhe e dobishme e familjes së madhe evropiane”- u shpreh Presidenti Topi.
Presidenti Topi e falënderoi Papën Jozef Ratcinger për mbështetjen e dhënë gjatë këtyre viteve jo të lehta nëpër të cilat po kalon Shqipëri në procesin e përforcimit të demokracisë, të ndërtimit të indit të ri shoqëror e të synimit të saj drejt BE-së. Së fundi, pat edhe një shkëmb të pikëpamjeve mbi situatën aktuale ndërkombëtare e atë rajonale, me një vështrim të veçantë mbi krizën ekonomike. Presidenti Topi e ftoi Papën Benediktin XVI për të vizituar Shqipërinë me rastin e Jubileut të 100 vjetorit të Pavarësisë.
Në mbarim, në momentin e shkëmbimit të dhuratave, Presidenti Topi i prezantoi Papës Benediktit XVI anëtarët e delegacionit, mes tyre bashkëshorten. Në takim mori pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, shkëlqesia e tij Rrok Logu.
Pas takimit me Papën, presidenti Topi pat një takim tjetër me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Tarçizio Bertone, shoqëruar nga kryeipeshkvi Dominique Mamberti, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet.







All the contents on this site are copyrighted ©.