Një mendim për Virgjërën Mari, në muajin maj: Maria në Ungjijtë sinoptikë
Nga tre Ungjijtë sinoptikë, ai që flet më shumë për Marinë, është Ungjilli i Lukës.
Aty tregohet se Maria jetonte në Nazaret të Galilesë e se ishte e fejuar me Jozefin.
E në sa priste dasmën, shtëpinë e Vashës së Nazaretit e vizitoi Kryeengjëlli Gabriel.
Takim fatlum. I padëgjuar. Një Vashë u takua me një Kryeengjëll, i cili iu drejtua
me fjalët: “Të falem hiplote! Zoti është me ty!”. Ajo u trondit, por Kryeengjëlli
e qetësoi: “Mos kij frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!”. Ishte kumti
më i madh i dëgjuar ndonjëherë. Me ndikimin e Shpirtit Shenjt, Maria do të zinte në
kraharor një djalë, Jezusin, Birin e Zotit (Lk 1,26-38). Ajo pranoi e pikërisht
për këtë pranim e për besnikërinë me të cilën e kreu misionin e ngarkuar nga Hyji,
deri tek këmbët e Kryqit, mbetet model për gjithë të krishterët. Në Ungjillin
e Lukës rrëfehet edhe shtegtimi i saj kah malet e Judesë, në qytetin ku jetonte
e kushërira, Elizabeta që, në pleqëri, priste fëmijën e saj të parë, atë që do të
ishte “Më i madh nga të gjithë njerëzit, që kanë lindur prej nëne”, Shën Gjon Pagëzuesin,
Sapo arriti, Elizabeta e quajti “Nëna e Zotit tim”. E Maria u përgjigj “Zemra ime
madhëron Zotin” (Magnificat). E do ta madhëronte përsëri, me gjithë shpirt, kur
do ta nxirrte në dritë, në Betlehem, ku kish shkuar të regjistrohej, së bashku me
Jozefin, që Zoti ia caktoi si rojtar, asaj e të Birit. E quajti Jezus, ashtu siç e
kishte porositur Kryeengjëlli. Ungjilli i Lukës flet edhe për këngët e engjëjve e
vizitën e barinjve në shpellën e mjerë, që u bë vendi më fatlum i botës, e flet edhe
për tre mbretërit dijetarë. Mateu e vijon tregimin, duke na përshkruar
jetën e familjes në Betlehem (Mt. 2,1-11), persekutimin e Herodit; ikjen në
Egjipt; mbytjen e fëmijëve të pafaj dhe rikthimin në shtëpinë e thjeshtë të Nazaretit.
Kur Jezusi mbushi 12 vjet, Maria e Jozefi e çuan për të kremtuar Pashkët në Tempullin
e Jeruzalemit. Duke u rikthyer në Nazaret, prindërit nuk e gjetën ndërmjet karvanarëve
e, të shqetësuar, u kthyen mbapsht, për ta kërkuar. E gjetën në të tretën ditë në
Tempull, në mes të dijetarëve, duke i pyetur e duke u dhënë përgjigje. Maria është
e pranishme edhe kur Jezusi i gjegjet qortimit të saj: “Ç’na bëre kështu, o bir, yt
atë e unë të kërkuam plot pikëllim”, duke shqiptuar për herë të parë fjalët: “A
nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?”. Nëna e dëgjon e mrekulluar
përgjigjen e Birit, po nuk arrin ta rrokë plotësisht kuptimin këtyre fjalëve (Lk
2, 41-50).Në Ungjijtë sinoptikë, Maria paraqitet pranë Jezusit në çaste nga më
të ndryshmet edhe në kohën e predikimit të tij publik.