2012-05-05 09:37:04

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 5-të të Pashkëve ‘B’


Ja përsëri në takim tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 5-te të Pashkëve, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.
Të mbesim të bashkuar me Krishtin në mënyrë që të lidhim fryte. Kjo është sfida e Ungjillit sot. Të lidhësh fryte do të thotë në fund të fundit të duash. Të duash me një dashuri të plotë, të përsosur, të duash me të njëjtën forcë dashurie me të cilën na do Zoti. Vetëm nëse jemi të bashkuar me Krishtin do të kemi pjesë në këtë dashuri Hyjnore e do të mund ta zbatojmë Urdhërimin e Tij. Ungjilli i kësaj së diele ka si qëllim të na bind se çdo fryt i jonë rrjedh nga bashkimi ynë me Krishtin, sikurse janë shermendet me hardhinë, që jetojnë nga limfa që u vjen prej saj.
Shenja e gjallërimit, e vitalitetit tonë është bashkimi me Krishtin, “Hardhinë”. Eukaristia – Mesha Shenjte është moment i privilegjuar për ta realizuar këtë bashkim, si në nivelin individual ashtu edhe në atë kolektiv. Shëmbëlltyra e hardhisë dhe shermendeve që na propozon Ungjilli i kësaj së diele, na tregon se limfa e jetës së besimtarëve është prania a Jezusit në mesin e tyre. Ai është burimi i jetës së besimtarëve dhe i veprave të mira që ata mund dhe duhet të bëjnë.
“Kush mbetet me mua dhe unë në të, ai jep shumë fryt.” – thotë Jezusi në Ungjillin e kësaj të diele (Gjn. 15, 1-8), ndërsa Shën Gjoni apostull në leximin e dytë na porosit: “mos të duam vetëm me fjalë e me gjuhë, por me vepra e në të vërtetë.” Vetëm kështu, duke qenë të lidhur për dhe me Krishtin do ta ndjejmë rrjedhjen e limfës ndër damarët e jetës sonë.

Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Vap 4, 8-12

Mrekullia e kryer nga Pjetri dhe Gjoni duke shëruar të paralizuarin është shenjë e fuqisë së Jezusit, ai Jezus që autoritetet fetare e kanë kryqëzuar dhe që Hyji Atë e ka ringjallur. Mrekullia është prova se Jezusi është gjallë dhe që kohërat e fundit kanë filluar: do të thotë koha e kishës. Pjetri fillon predikimin e emrit të Zotit Jezus: kush beson në emrin e tij beson se fitorja e tij mbi vdekjen dhe mëkatin vazhdon akoma edhe sot. Kush është i pagëzuar bashkëpunon sot me Krishtin për shpëtimin e çdo njeriu.

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në atë ditë, Pjetri, plot me Shpirt Shenjt, tha: “Kryetarë të popullit dhe pleq! Pasi ju sot po na merrni në përgjegjësi për një vepër të mirë që ia bëmë një të sëmuri e po na pyesni si ky njeri u shërua, le të dijë secili prej jush dhe mbarë populli i Izraelit: ky njeri qëndron para jush shëndosh në saje të Emrit të Jezu Krishtit Nazarenas, që ju e kryqëzuat, por që Hyji e ngjalli prej së vdekuri. Jezusi është ‘guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit’, e vetëm nëpër Të fitohet shëlbimi. Sepse, për të vërtetë, s’ka asnjë person tjetër nën këtë kupë qielli që Hyji ua dha njerëzve me anën e të cilit do të mund të shëlbohemi.”
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin

Psalmi 118
Guri i qitur jashtë përdorimit,
u bë gur i këndit

Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë,
sepse e përjetshme është dashuria e tij!
Më mirë është të strehohesh te Zoti
se të kesh besim në njerëz.
Më mirë është të strehohesh te Zoti
se të kesh besim në princa.

Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar,
dhe u bëre Shpëtimtari im.
Guri, që e qitën jashtë përdorimit
ndërtuesit, erdhi e u bë guri këndit;
Zoti e bëri këtë gjë:
sa mrekulli për sytë tanë!

Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!
Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
Ti je Hyji im, ty të falënderoj;
Ti je Hyji im, unë të madhëroj!
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë,
sepse e përjetshme është dashuria e tij

Leximi i dytë i dytë 1 Gjn 3, 1-2
Ringjallja e Krishtit nuk është për të gjithë, por vetëm për ata që besojnë. Ata që refuzojnë t’i besojnë Krishtit mbyllen ndaj mundësisë për të njohur jetën e Hyjit të pranishme në besimtarët. Hyji na ka dashur aq shumë saqë mund të quhemi bijtë e tij dhe ka shpërndarë në ne bamirësinë e tij prej Ati. Nëse me të vërtetë jetojmë si bij të Hyjit dëshmojmë dashurinë e Atit dhe i ftojmë të tjerë ta njohin.

Lexim prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull
Fort të dashur, shikoni ç’dashuri të madhe na dhuroi Ati sa që quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi! Bota nuk na njeh sepse nuk e njeh Atë. Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim ashtu siç është.
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin!

Aleluja, Aleluja!
Unë jam Bariu i mirë, thotë Zoti: i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua.
Aleluja

Ungjilli Gjn 10, 11-18

Jezusi, bariu i vërtetë që kujdeset për delet e tija (njerëzit e të gjitha kohërave) dhe i mbron nga “ujku” (djalli dhe mëkati) që gjithmonë i kërcënon. Jezusi është një bari që na lë të lirë ta zgjedhim dhe të vendosim. Ai është bariu i mirë që nuk kërkon interesat dhe lavdinë e tij; nuk është një kryetar që manipulon turmat: i propozon secilit miqësinë e Atit. Ai nuk pretendon të bëjë një grigjë të mbyllur dhe të përsosur, por kërkon delet e largëta dhe të sëmura.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi tha: “Unë jam Bariu i mirë. Bariu i mirë e jep jetën e vet për dele. Rrogëtari, - që s’është bari, të cilit nuk i përkasin dhentë – kur sheh se po vjen ujku, lë dhentë e ikën – e ujku i rrëmben dhe i shpërndan: është rrogëtar dhe s’është në kujdes për dhen.
Unë jam Bariu i mirë: i njoh të miat dhe ato më njohin mua. Sikurse Ati më njeh mua dhe unë e njoh Atin edhe jetën e jap për dele. Kam edhe tjera dele, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato më duhet t’i bashkoj dhe do ta dëgjojnë zërin tim, do të bëhet një grigjë e vetme e një Bari i vetëm. Prandaj edhe më do Ati, sepse e jap jetën time që ta marr përsëri. Askush nuk mund të ma marrë: por unë e jap prej vetes. Kam pushtet ta jap jetën e kam pushtet ta kthej prapë atë. Këtë urdhër e mora prej Atit tim.”
Fjala e Zotit.
Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Më tepër mbi liturgjinë e Fjalës Hyjnore të kësaj së diele, mund të dëgjoni Radio Vatikanin.......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.