2012-05-05 11:59:51

Benedikti XVI në Poliklinikën romake “Gemelli”. Kardinali Skola: Papa na thotë se shkenca është rruga për t’u konfrontuar me fenë


Papa Benedikti XVI të enjten e kaluar shkoi për vizitë në Poliklinikën universitare “Gemelli” të Romës, me rastin e 50-vjetorit të themelimit të Fakultetit të Mjekësisë e të Kirurgjisë të Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit. Nëse mjekësia nuk udhëhiqet nga dashuria, e humb fisnikërinë e vet, u tha Ati i Shenjtë akademikëve, personelit dhe pacientëve të shtruar në këtë spital, që mundohet ta mbajë gjallë frymën e themeluesit, atë Agostino Gemelli-t, françeskan i Urdhërit të Fretërve të Vegjël. Papën e priti edhe kardinali Anxhelo Skola, president i Institutit Toniolo, të cilin e ftuam në mikrofonin tonë për të komentuar fjalët e Benediktit XVI:
Papa deshi të verë në dukje se në vizionin e krishterimit i ka rrënjët aftësia e arsyes dhe e fesë për të bashkëpunuar ndërmjet tyre e që këtej, theksoi rëndësinë e fesë edhe për punën kërkimore-shkencore, pavarësisht nga respekti për autonominë e këtyre dy disiplinave. Një punë kërkimore e zbatuar në botën e mjekimit të të sëmurëve, prandaj, në të gjitha fazat delikate të jetës së njeriut. Në këtë pikpamje, Ati i Shenjtë dha direktiva të sakta për mënyrën e zhvillimit të punës kërkimore-shkencore në fushën e mjekësisë, duke marrë parasysh të gjitha ngjyrimet që merr sot ky realitet.
Puna kërkimore duhet të ketë si qëllim njeriun, gjithnjë, vërejti Papa…
Me të drejtë, Papa foli për humanizëm transhendetal, që duhet të ketë si pikë referimi, si qëllim, si mision, vlerësimin e plotë të njeriut, brenda të cilit – tha Ati i Shenjtë, duke cituar shën Tomën – dëshira për njohjen e së vërtetës është primare, por menjëherë pas vjen dëshira për të vazhduar të jetojë edhe pas vdekjes. Ky është humanizmi për të cilin foli Benedikti XVI.
Ju jeni edhe kryeipeshkëv i Milanos. Po përgatiteni ta prisni Papën me rastin e Takimit Ndërkombëtar të Familjeve, apo jo?
Po, është e vërtetë, jemi shumë të kënaqur. Vë re dy gjëra, që më bëjnë më shumë përshtypje. Nga njëra anë, impenjimin e madh të gjithë dioqezës, por edhe të dioqezave lombarde e natyrisht, të Këshillit Papnor për Familjen. Ky impenjim bëhet çdo ditë e më intensiv për vullnetarët, për familjet, që do të presin mijëra vetë në shtëpitë e tyre, për të krishterët e të pagëzuarit, por edhe për të gjithë ata, që e konsiderojnë pozitive temën e Takimit, e cila ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet familjes, punës e pushimit. Elementi i dytë, që më bën përshtypje, është ndikimi që po ushtron Takimi edhe në nivelin civil. Në këtë çast krize e shndërrimi, që rëndon shumë mbi familjen e njerëzit, fakti që i kemi thirrur të gjithë ta konsiderojnë familjen në aspektet e saj të plota, themeluar mbi martesën e burrit me gruan, e gatshme të pranojë jetën, në lidhjen e saj me botën e punës e me nevojën e pushimit, ka vënë gishtin në plagë, ka prekur një tematikë urgjente dhe jetësore. Hapësira që mass media, si në nivelin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar, po i japin Takimit, bën që familja të vihet në qendër të vëmendjes si një pasuri e jashtëzakonshme, jo vetëm për Kishën, por për të gjithë shoqërinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.