2012-05-05 11:58:52

Atë Federiko Lombardi: Inteligjencë, fe e dashuri!


Vizita e Papës Benedikti XVI në Poliklinikën universitare “Gemelli” të Romës. Zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi ia kushton komentin e tij javor pikërisht fjalëve që tha Papa të enjten e kaluar gjate vizitës së tij në këtë qendër të njohur shëndetësore. Ja fjalët e tij:
“Pa dashuri, edhe shkenca e humb fisnikërinë e vet. Vetëm dashuria garanton humanitetin e punës kërkimore”. Kështu e mbylli Papa Benedikti XVI fjalimin e tij, të enjten paradite, në Fakultetin e Mjekësisë e të Kirugjisë së Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit. Përgjigje e thellë dhe prekëse për nevojën e ndjerë të orientimeve të qëndrueshme, që shohin lart.
“I pasur me mjete, por jo dhe aq me qëllime, njeriu i kohës sonë, gati i verbuar nga teknika, harron horizontin themelor, ku e çon pyetja për kuptimin e jetës”. Edhe një herë, Papa flet për besimin në inteligjencën, në arsyen; flet për krishterimin si “fe e Logos”, që nuk e mënjanon fenë, duke e lënë vetëm në sferën e irracionales, por e sheh zanafillën dhe kuptimin e krejt realitetit në “Arsyen krijuese”, në Zotin. Bashkimi i arsyes me fenë është garanci për frytet e të dyjave, ndërsa ndarja e tyre çon drejt “varfërimit etik”, i cili nuk na lejon të vlerësojmë nëse ç’është teknikisht e mundur, është edhe moralisht e mirë e për të mirën e njerëzimit.
Por Papa tha edhe më shumë, sepse shkenca dhe puna kërkimore mjekësore janë kaq të lidhura me kujdesin për njeriun, sa në to duket krejt qartë sa e nevojshme është dashuria, sa jetësore është lidhja ndërmjet impenjimit shkencor dhe përkushtimit plot pasion për të mirën e njeriut; njeri, që vuan e që ndodhet përballë pyetjeve më thelbësore për kuptimin e jetës. Atëherë, “përkushtimi i inteligjencës dhe i zemrës bëhet shenjë e mëshirës së Zotit dhe e fitores së Tij mbi vdekjen”.
Cili frymëzim është më entuziazmues e më i fortë se ky, për çdo impenjim të inteligjencës në favor të njeriut? E për ç’tjetër do të duhej ta impenjonim inteligjencën, në fund të fundit?”







All the contents on this site are copyrighted ©.