2012-05-04 18:06:25

Ndihmë për Kishën që vuan: informacion për Kishat e persektuara në web


Nga viti 2005, Fondacioni ‘Ndihmë për Kishën që vuan’ dhe ‘Catholic Radio and Television Network’ (Rrjeti i Radiove dhe Televizioneve Katolike), realizojnë të përjavshme informacioni në Internet, titulluar “Atje ku Zoti qan”. Përshkruajnë me hollësi realitetin e Kishës së persekutuar në botë. E kujton këtë një komunikatë e vetë Fondacionit të së drejtës papnore, që jep edhe disa të dhëna statistikore dramatike lidhur me persekutimin e të krishterëve: nga viti 2003, deri më 2010, sulmet terroriste kundër të krishterëve në Azi, Afrikë e në Lindjen e Mesme, janë shtuar 309%. Për hollësitë, intervistuam Marta Petrozilo-n, zëdhënëse e seksionit italian të ‘Ndihmë për Kishën që vuan’:

Përgjigje: - Ndodh shpesh që pakicat e krishtera lidhen me Perëndimin, prej këndej, jemi para rritjes së dhunës kundër të krishterëve, menjëherë pas disa fakteve, që ndodhin në Perëndim. Një gjë e tillë vërehet gjithnjë më shpesh. E edhe kur bëhen ndryshime ligjore ose ekziston dëshira për ndryshime të tilla. Një shembull, që flet vetë, është ai i Nigerisë, ku Boko Haram dëshiron pikërisht t’u imponojë të 36 shteteve nigeriane sharinë, ligj tashmë në fuqi në 12 shtete të vendit afrikan.

Pyetje: - E përjavshmja informative në Internet “Where God weeps”(Atje ku Zoti qan) flet hapur për persekutimin e të krishterëve, duke u bërë zë i atyre që nuk kanë zë...


Përgjigje: - Mbi të gjitha, titulli i programit “Atje ku Zoti qan”, buron nga vetë misioni, që themeluesi i "Ndihmë për Kishën që vuan", atë Verenfried van Stratten, ia besoi Fondacionit: t’ia terë lotët Zotit, kudo që Ai i Lumi qan! Programi realizon intervista, si në vend - sepse Ndihmë për Kishën që vuan është përherë në shtegtim, posaçërisht në vendet, ku Kisha persekutohet – ashtu edhe në selinë tonë ndërkombëtare në Gjermani, ku presim vazhdimisht vizitorë nga mbarë bota, që vijnë për të kërkuar ndihmë nga Fondacioni. Programi thellohet në njohjen e realiteteve të ndryshme. Vendi, për të cilin do të flitet, në fillim njihet përmes një dokumentari; pastaj u lihet fjala ipeshkvijve. E edhe misionarëve e laikëve, që janë specialistë, të cilët përshkruajnë realitetin e bashkësive të krishtera në vendin, që analizohet. Flitet për realitetin e bashkësive të krishtera të persektuara, por edhe, e sidomos, për realitete të krishtera, që nuk njihen, që injorohen, që vuajnë në heshtje. E nuk duhen kërkuar në fund të botës. I kemi fare pranë nganjëherë. E kam fjalën për bashkësitë e e besimtarëve të Bosnjë-Hercegovinës, për shembull. Pak dihet për vështirësitë, që po kalojnë akoma sot. E dihet edhe më pak për Irakun, ku bashkësia e krishterë gjatë 20 vjetëve të fundit është dhjetuar: në gjysmën e viteve ’80 flitej për 1 milion e 400 mijë të krishterë, sot janë katandisur në 300 mijë.







All the contents on this site are copyrighted ©.