2012-05-03 14:27:14

Papa për vizitë në Poliklinikën “Gemelli”: pa dashuri, edhe shkenca e humb fisnikërinë e saj


Papa Benedikti XVI ishte sot paradite për vizitë në Poliklinikën “Gemelli” në Romë, për të festuar 50 vjetorin e themelimit të Fakultetit të Mjekësisë e të Kirurgjisë së Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit. Në fjalimin e tij para bashkësisë akademike, personelit shëndetësor dhe pacientëve, Papa theksoi se “shkenca e feja e ushqejnë reciprokisht njëra-tjetrën”. Për herë të pestë në këtë Poliklinikë, Ati i Shenjtë i falenderoi punonjësit për kujdesin që tregojnë ndaj të sëmurëve dhe reflektoi me pasion për kuptimin e punës kërkimore-shkencore e të mjekësisë në dritën e fesë. Çdo kurë mjekësore duhet të udhëhiqet nga dashuria, nënvizoi Benedikti XVI:
“Pa dashuri, edhe shkenca e humb fisnikërinë e saj. Vetëm dashuria garanton humanitetin e punës kërkimore”.
Papa vuri në dukje më pas, se teknologjitë e reja, vërtet e kanë shndërruar botën, por jo rrallë kanë pasoja shqetësuese. Njeriu i kohës sonë jeton shpesh i kushtëzuar nga relativizmi. I verbuar nga teknika, harron horizontin themelor, ku e çojnë pyetjet mbi kuptimin e jetës, harron përmasën transhendentale. Kështu, mendimi njerëzor dobësohet e madje, bëhet gjithnjë e më i dukshëm edhe një lloj varfërimi etik, që ngre mjegull mbi normat e vlerat e vërteta:
“Mendësia kryesisht teknopraktike, shkakton një çekuilibër të rrezikshëm ndërmjet asaj, që është e mundur teknikisht dhe, asaj, që është moralisht e mirë, duke sjellë pasoja të paparashikueshme”.
Prandaj, pohoi Papa, duhet rizbuluar vlera dhe dinamizmi i trashendencës, duhet kërkuar Zoti:
“Shkenca dhe feja e ushqejnë reciprokisht njëra-tjetrën, e kjo është gati një kërkesë që plotëson inteligjencën e realitetit. Por, për paradoks, vetë kultura pozitiviste, duke i përjashtuar pyetjet mbi Zotin nga debati shkencor, përcakton edhe zvetënimin e mendimit e dobësimin e aftësisë së inteligjencës së realitetit”.
Krishterimi, shpjegoi më pas Benedikti XVI, nuk e lë fenë mënjanë, nuk e lidh vetëm me sferën private, larg arsyes, por e interpreton realitetin duke u nisur nga Arsyeja Krijuese, nga Zoti, i cili u duk me gjithë dashurinë e vet, përmes Birit të Tij, Jezu Krishtit. Pikërisht, duke ecur në shtigjet e fesë, nënvizoi Papa, njeriu sheh të mirën e jetën edhe në vuajtje e në vdekje:
“Kujdesi për ata që vuajnë bëhet atëherë, takim i përditshëm me Fytyrën e Krishtit, e përkushtimi i inteligjencës e i zemrës bëhet shenjë e mëshirës së Zotit e të fitores së Tij mbi vdekjen”.
Puna kërkimore-shkencore për të shëruar të sëmurët, për të gjetur ilaçe e kura të reja, ndriçohet nga teoritë shkencore, por edhe nga feja, vazhdoi Ati i Shenjtë. Vetëm kështu, ajo është në gjendje t’i kuptojë kufijtë e vet. Prandaj, Universiteti Katolik i Zemrës së Krishtit, sidomos Fakulteti i Mjekësisë duhet të jetë:
“…vend në të cilin marrëdhëniet me të sëmurin për ta kuruar nuk bëjnë pjesë në zanatin e mjekut, por në misionin e tij; vend ku bamirësia e Samaritanit të Mirë është katedra e parë dhe fytyra e njeriut të vuajtur është vetë Fytyra e Krishtit”.
Papa kujtoi marrëdhëniet e veçanta të Poliklinikës universitare “Gemelli” me Selinë e Shën Pjetrit, si rezultat i të cilave, kohët e fundit është ngritur edhe një Qendër e re e këtij Universiteti për jetën. Përmendi atë Agostino Gemellin, themeluesin e Fakultetit të Mjekësisë, për të cilin njeriu, me dobësinë e madhështinë e tij, duhet vendosur në qendër të vëmendjes. Ashtu siç bëhet me të sëmurët e shtruar në këtë spital të madh, në të cilët, përfundoi Benedikti XVI, pasqyrohet Fytyra e Krishtit të vuajtur.








All the contents on this site are copyrighted ©.