2012-05-02 15:27:45

Statute dhe Rregullore të brendshme të reja për Karitasin Ndërkombëtar: intervistë me kardinalin Sarah


U publikuan sot Statutet e reja dhe Rregullorja e brendshme e Karitasit Ndërkombëtar, së bashku me Dekretin e Përgjithshëm përkatës, të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone. Që prej 61 vjetësh, me 162 organizmat e tij, të shpërndarë në 200 vende të botës, Karitasi u jep ndihmë viktimave të emergjencave humanitare, të konflikteve e të fatkeqësive natyrore, duke ndërtuar ura dialogu edhe në situata të vështira politike. Kujtojmë se qe veçanërisht i rëndësishëm në vitet e para pas rënies së komunizmit në Shqipëri, si edhe gjatë e pas luftës në Kosovë. Që para tetë vjetësh, Papa Gjon Pali II, përmes Kirografit “Gjatë Darkës së Mbrame”, dokument i shkruar dhe i nënshkruar me dorën e tij, i jepte Karitasit Ndërkombëtar personalitet publik, juridik e kanunor. Pas reflektimit e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, Këshillit Papnor “Cor Unum” dhe vetë Karitas Internationalis, u publikuan Statutet e reja dhe Rregullorja e Brendshme, që forcojnë rolin e Këshillit Papnor “Cor Unum”, përgjegjës për veprimtarinë e Karitasit dhe sqarojnë kompetencat e Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit në caktimin e në miratimin e drejtuesve e të këshilltarëve. Në këtë mënyrë, normativa e re plotëson Kirografin e shkruar nga Gjon Pali II në vitin 2004. Statutet dhe Rregullorja nuk kanë të bëjnë me Karitaset kombëtare, apo dioqezane, pasi ato e ruajnë autonominë e tyre, meqenëse varen nga Konferencat ipeshkvnore përkatëse. Por ç’është Karitasi Ndërkombëtar dhe si ka lindur ai? Ftuam në mikrofonin tonë kryetarin e Këshillit Papnor “Cor Unum”, kardinalin Robert Sarah:RealAudioMP3
Karitas Internationalis është Konfederatë e formuar nga Karitaset kombëtare, për koordinimin e veprimtarive në nivel ndërkombëtar. Papët e mbështetën gjithnjë, pasi ai është shprehje e veprimtarisë së madhe bamirëse të Kishës Katolike. Karitasi Ndërkombëtar vepron sidomos në fushën e emergjencave humanitare, por vlerësohet edhe për impenjimin në shoqëri. Ishte Papa Piu XII ai, që në Jubileun e vitit 1950, ngriti në Romë një organizëm, i cili përmblidhte të gjitha agjensitë bamirëse kombëtare të njohura nga ipeshkvijtë e çdo vendi, me qëllim që të nxiste njohjen e ndërsjelltë dhe të mundësonte koordinimin e bashkëpunimin e veprimtarive në çdo anë të botës. Për nga origjina dhe natyra, ky organizëm është i lidhur ngushtë me Barinjtë e Kishës e sidomos, me Pasardhësin e Shën Pjetrit. Veprimtaria e tij frymëzohet nga Ungjilli e nga tradita e Kishës.
Cilat janë marrëdhëniet ndërmjet Karitasit Ndërkombëtar e Këshillit Papnor “Cor Unum”?
Në vitin 2004, Papa Gjon Pali II i dha Karitasit Ndërkombëtar personalitet juridik kanunor publik, prandaj, Këshillit Papnor “Cor Unum” (themeluar nga Papa Pali VI më 1971), iu caktua detyra e ndjekjes së veprimtarive, si në nivel ndërkombëtar, ashtu edhe në nivel rajonal. Ky Këshill duhet të promovojë identitetin dhe frymën kishtare brenda Konfederatës e, në veçanti, duhet të vigjëlojë që veprimtaria e anëtarëve, e koordinuar në nivel ndërkombëtar, të realizohet në bashkëpunim me Kishat lokale e me Barinjtë përkatës.
Pse janë të nevojshme Statutet e reja dhe Rregullorja e Brendshme?
Rishikimi i Statuteve dhe i Rregullores së Brendshme qe i nevojshëm për t’iu përshtatur më mirë Kirografit “Gjatë Darkës së Mbrame”, nënshkruar nga Papa Gjon Pali II më 16 shtator 2004. Ky status i ri juridik duhej përfshirë – në të gjitha aspektet e veta – në Statutet e Konfederatës. Përveç kësaj, disa çështje me karakter doktrinor e administrativ – përveç komunikimit me Selinë e Shenjtë – vunë në dukje nevojën e qartësisë përsa i përket rolit dhe kompetencave të vetë Vatikanit, i cili është pikë referimi për strukturën dhe veprimtarinë e Karitasit Ndërkombëtar. Në këtë mënyrë, marrëdhëniet mund të përmirësohen, që bashkëpunimi të jetë më i plotë dhe më i frytshëm. Statutet e reja dhe Rregullorja e Brendshme shoqërohen me një Dekret të Përgjithshëm, nënshkruar nga kardinali-Sekretar i Shtetit. Është një dokument, që ka për qëllim të integrojë dhe të interpretojë Kirografin e vitit 2004 e përbën pikë referimi për Statutet e reja. Në veçanti, Dekreti i Përgjithshëm thekson kompetencat e dikastereve e të zyrave të Selisë së Shenjtë, që kanë për detyrë ta shoqërojnë e ta udhëheqin veprimtarinë e Karitasit Ndërkombëtar. Me dëshirën e Atit të Shenjtë, Dekreti përfshin edhe elemente të tjera të dobishme për përballimin e sfidave, që ka përpara Karitasi, i cili duhet të punojë me autonomi të ligjshme e të jetë mjet i rëndësishëm për të shprehur bamirësinë dhe mëshirën e Konferencave Ipeshkvnore e të Selisë së Shenjtë.
Çfarë ndryshime ka me Statutet e mëparshme?
Statutet e reja dhe Rregullorja e Brendshme e ruajnë, për sa është e mundur, tekstin e mëparshëm. Por ato theksojnë jo vetëm ç’thuhet në Kirografin e 2004-ës për rolin e Këshillit Papnor “Cor Unum”, duke përcaktuar më mirë kompetencat dhe pushtetin në miratimin e teksteve me përmbajtje doktrinore e morale, por edhe ndihmojnë për ta kuptuar më mirë misionin kishtar të Karitasit Ndërkombëtar dhe unitetin e fesë me bamirësinë në ndërhyrjet humanitare.








All the contents on this site are copyrighted ©.