2012-05-02 18:10:09

Papa në audiencën e përgjithshme: Bashkimi me Krishtin u jep martirëve forcë për t’i përballuar persekutorët.


Benedikti XVI ia kushtoi, sot paradite, katekizmin, dëshmisë dhe lutjes së Shën Shtjefnit, martir i parë i Kishës, para se të flijonte jetën për Krishtin. Përballë gjykatës, që do ta dënonte me vdekje, kujtoi Papa gjatë audiencës së përgjithshme, ndjekur nga më se 40 mijë besimtarë, ai rilexoi gjithë rrëfimin biblik, duke dëshmuar se udha e Shkrimit Shenjt çon në vendin e pranisë përfundimtare të Zotit: në Jezu Krishtin.RealAudioMP3

Shën Shtjefni zvarritet në gjykatë, para Sinedrit, ku akuzohet rëndë. Sipas gjykatësve, ai kishte pohuar se Jezusi do ta rrënonte Tempullin e do t’i përmbyste doket e trashëguara nga Moisiu. I kërkohet përgjigje, e ai pohon me forcë e pa frikë se “Zoti nuk banon në ndërtesa të ngritura nga dora e njeriut”(Vap 7,48). E, në prag të mbytjes me gurë, mban një fjalim të zjarrtë, plot bindje, fjalimi më i gjatë, që lexohet në Veprat e Apostujve, për të mbrojtur, para Sinedrit, profecinë e Krishtit, që është tempulli i ri, që përuron një kult të ri. Jezusi, kujtoi Papa, është vendi i vërtetë i kultit, tempulli i ri. Me dhurimin e vetvetes mbi kryq zëvendëson flijet e lashta të elterit. Shtjefni e hedh poshtë akuzën, që i bëhet, lidhur me përmbysjen e ligjit të Moisiut dhe shpjegon vizionin e tij për historinë e Shëlbimit, për lidhjen e besës së pathyeshme ndërmjet Zotit e njeriut. Rilexon, kështu, gjithë rrëfimin biblik, kujton gjithë udhën e besëlidhjes së Hyjit me njeriun, përshkruar nga Shkrimi Shenjt, besë që të çon kah vendi i pranisë përfundimtare të Hyjit, kah Jezusi, e posaçërisht, kah Mundimet, Vdekja e Ngjallja e Zotit. Kështu e kupton Shën Shtjefni fjalën ‘dishepull i Krishtit’, e po kështu, edhe martirizimin e tij. Meditimi mbi Shkrimin Shenjt e ndihmon ta kuptojë misionin e vet, jetën, mundimet, ringjalljen, që e pret. Për Martirin e parë të krishterimit...:
“Tempulli i ri, në të cilin banon Ati qiellor, është Biri i Tij, që u bë njeri; është Njeriu-Zot, i Ngjalluri, ai që i mbledh popujt e i bashkon në Sakramentin e Korpit e të Gjakut të Vet”.
Zoti e kërkon njeriun, pa u lodhur kurrë, edhe atëherë kur i duhet të përballojë kundërshtime, edhe atëherë kur krijesa merr guximin ta shikojë Krijuesin me sy armiqësor. E kërkon dhe e fton të hyjë në Tempull. Korpi i Krishtit, shtoi Ati i Shenjtë, është Tempulli i ri i Hyjit, vendi i pranisë së Hyjit të gjallë:
... Në Të Zoti është njeri, Zoti e bota takohen; Jezusi merr mbi vete gjithë mëkatin e njerëzimit, për ta çuar në dashurinë e Hyjit e për ta ‘djegur’ në zjarrin e kësaj dashurie. T’i afrohesh Kryqit, të bashkohesh me Krishtin, do të thotë të përfshihesh në këtë shndërrim, do të thotë të takohesh me Zotin, të hysh në tempullin e vërtetë”.
Gjatë martirizimit, Shën Shtjefni dëshmon lidhjen e fuqishme ndërmjet Fjalës së Zotit e lutjes. Janë pikërisht Fjala e lutja që i japin forcë për t’i përballuar persekutorët. Edhe lutja jonë, nënvizoi Papa, duhet ushqyer nga dëgjimi i Fjalës së Zotit:
“Ai, Biri i Zotit, është tempulli i paprekur nga dora e njeriut, në të cilin prania e Atit bëhet aq e afërt, sa të hyjë në korpin tonë njerëzor, për të na hapur Portat e Qiellit”.
Lutja jonë, përfundoi Benedikti XVI, duhet të jetë kundrim i Jezusit në të djathtën e Hyjit Atë; kundrim i Krishtit, si Zot, në jetën tonë të përditshme.

Në përfundim, Papa u drejtoi një përshëndetje të posaçme, shumë të përzemërt, polakëve, ardhur në Romë me rastin e kryevjetorit të Lumnimit të Gjon Palit II.Benedikti XVI uroi që dëshmia e Papës Vojtila, mësimi e dashuria e tij për atdheun, të ruhen si trashëgimia më e çmuar për Kombin polak.







All the contents on this site are copyrighted ©.