Muajin maj Kisha ia kushton nderimit të figurës së Zojës së Bekuar
Kemi filluan muajin e majit të cilin Kisha katolike ia kushton nderimit të Zojës
së Bekuar dhe lutjeve drejtuar Hyjit përmes ndërmjetësimit të Saj amnor . Kështu,
kur thuhet maj, mendja të shkon menjëherë te Zoja e Bekuar. Maji është muaji që i
kushtohet Zojës, është koha e bashkimit më të ngushtë me Nënën e ne të gjithëve, e
cila na prin tek Jezusi. Muaji i majit, vetvetiu, i është kushtuar Zojës, sepse
është muaji i bukurisë, muaji i shpërthimit të jetës e asnjë krijesë nuk është më
e bukur se Maria; asnjë krijesë nuk i ka kënduar jetës si Maria. Prandaj muaji i majit
është muaj marian. E muaji maj ka disa elemente kryesore që karakterizojnë. Besojmë
se çasti më i rëndësishëm i muajit maj duhet të jetë ai i rizbulimit të lutjes mariane
e posaçërisht i thënies së Rruzares në shtëpi, në gjirin e familjes. Mund të themi
se dikur Rruzarja ishte një element i domosdoshëm për jetën e përditshme të familjes
së krishterë. Familja e krishterë shqiptare e ka traditë të mblidhet çdo mbrëmje për
të thënë Rruzaren Shenjte. Kur nuk kishte televizor, madje as dritë; gjithsesi nën
dritën e kandilit (që ndizet shpesh herë edhe sot) familja ndjehej mrekullisht e lume.
Sa binte muzgu, këmbanat e Kishës këndonin Ave Marinë, e familjet ishin përplot me
Zotin, në sa luteshin së bashku me Zojën e Bekuar. Ç’ i pengon të mblidhen edhe sot
e ta thonë së bashku Rruzaren? E me që sot çdo familje ka edhe televizor, mund të
lutet bashkë me Papën. Kujtojmë se të shtunën e ardhshme, më 3 maj, Benedikti XVI
do t’i prijë Rruzares së besimtarëve nga bazilika më e vjetër e krishterimit kushtuar
Zojës së Bekuar: ajo e Shën Marisë së Madhe. Kujtojmë se Rruzarja me Papën mund të
thuhet edhe duke përdorur videot, që tashmë mund të gjinden kudo. E gjatë këtij
muaji Kisha na fton të gjithë e këndej edhe dëgjuesve e besimtarëve shqiptarë për
ta thënë sa më shpesh e më mirë Rruzaren Shenjte Për ta thënë mirë Rruzaren është
e nevojshme që në shtëpi të ndjehet atmosfera e lutjes. Lutja nuk vjen vetvetiu. Në
se në shtëpi ndjehet fryma e fesë, është e lehtë të krijohen kushtet e nevojshme për
të thënë me gjithë zemër Ruzaren. Para së gjithash duhet që të mblidhen të gjithë
së bashku, babai, nëna, bijtë e bijat e në se janë, edhe gjyshi e gjyshja, sepse Rruzarja
është e bukur, kur e thotë gjithë familja së bashku, kur luten të gjithë një zëri.
Duke thënë së bashku Rruzaren, ndjehet zëri i popullit të Zotit, familja bëhet një
gjë e vetme me të, ndjen misterin e Jezusit të pranishëm në mes të atyre që janë mbledhur
në emër të Tij.
E duhet të kujtojmë edhe faktin se si lindi devocioni për Zojën
e Bekuar! Devocioni për Zojën e Bekuar lind nga vetë historia e shëlbimit, është vepër
e vetë Zotit. Shën Luka ungjilltar i paraprin tregimit mbi Lajmërimin e Zojës me disa
fjalë, që kanë një kuptim jashtëzakonisht vendimtar. Thotë Ungjilltari: “Engjëlli
Gabriel qe dërguar nga Zoti në një qytet të Galilesë, të quajtur Nazareth, tek një
virgjër me emrin Mari”. Kjo shtesë ka rëndësi vendimtare: na tregon se është Zoti
ai që e dërgoi Engjëllin. Prej këndej, edhe se është Zoti ai që e zgjodhi Marinë.
Ishte Zoti ai që trokiste te porta e zemrës së Marisë; kjo portë u hap dy kanatash
përpara Hyjit e që atë çast Maria u bë bashkëpunëtorja më e madhe në planin e shëlbimit.
Maria është vazhdimisht pranë Jezusit, nuk ndahet kurrë nga ai. Në se ndahet Biri
nga Nëna ose Nëna nga Biri, bëhet diçka që është kundër zgjedhjes së Zotit. Prandaj
themi se Maria na merr për dore e na çon te Krishti.