2012-05-02 17:08:34

Benedikti XVI shkon nesër për vizitë në Universitetin Katolik të Zemrës së Krishtit në Romë


Vlojnë përgatitjet në Universitetin Katolik të Zemrës së Krishtit në Romë, i cili nesër paradite do të presë Papën Benedikti XVI, në vizitë për 50-vjetorin e themelimit të Fakultetit të Mjekësisë e të Kirurgjisë, që mban emrin e themeluesit “Agostino Gemelli”. Papa takohet për herë të pestë me bashkësinë universitare, pikërisht në Ditën e Punës Kërkimore, organizuar nga ky fakultet me temë “Jeta për punën kërkimore, puna kërkimore për jetën”. Ati i Shenjtë do të mbërrijë në orën 10.45 e do t’u flasë studentëve e pedagogëve të Universitetit Katolik në orën 11.05 në sheshin përballë Auditoriumit të Poliklinikës. Në orën 12.00 do të largohet për t’u kthyer në Vatikan.RealAudioMP3
Po kush ishte Agostino Gemelli, fillimisht agnostik e pastaj françeskan i Urdhërit të Fretërve të Vegjël? Për figurën e meshtarit të shquar, intervistuam historianen italiane Maria Bocci:
Themelimi i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin Katolik të Romës ishte “ëndrra e shpirtit të tij”, siç thoshte vetë shpesh. Por pse e tërhiqte mjekësia? Gemelli është i laureuar në mjekësi, në Universitetin e qytetit të Pavisë, student i një mjeku e shkencëtari shumë të famshëm, çmim Nobel për mjekësinë, që quhej Camillo Golgi. Në jetën e tij, përveç interesit për zhvillimin e mjekësisë bashkohore, siç thoshte shpesh, duke iu drejtuar mjekëve katolikë: “një rol shumë të rëndësishëm ka luajtur praktika mjekësore”.
Atë Gemelli pati së pari kontakte me këtë praktikë në kuadrin e mjekësisë për ushtrinë, ku shembulli i kapelanit e bëri të kthehej në rrugën e Zotit…
Mjekësi për ushtrinë, por edhe për Spitalin e Madh të Milanos, ku bëri praktikën. Qe një hap i madh përpara në përvojën e tij; nga laboratori në repartet e spitalit, ku kuptoi se nuk ekziston aq sëmundja, sa njeriu i sëmurë. Prej këndej vjen ideja e tij për mjekësinë. Për të, ushtrimi i mjekësisë hyn në detyrat e meshtarit. Në kontakt me të sëmurët, atë Gemelli nuk e sheh më sëmundjen si diçka abstrakte, por ka parasysh njerëzit e sëmurë, me mish e kocka. Kupton se ‘i sëmuri’ – siç do ta quante më pas – ishte njeri global, me shumë nevoja, me shumë kërkesa të paplotësuara, prandaj mjekimi i trupit, pa marrë parasysh kërkesat e shpirtit – siç do të theksonte – nuk sjell rezultate as nga pikpamja terapeutike. Përveç kësaj, Gemelli bëhet edhe psikolog. Prandaj, priret gjithnjë e më shumë ta konceptojë mjekësinë, sëmundjen, por sidomos njeriun e sëmurë, si një sërë kërkesash materiale, psiqike, organike, shpirtërore, të cilat mjeku duhet t’i kuptojë mirë.
Si e pati zgjidhur atë Gemelli problemin e së drejtës për t’u mjekuar, që duhet ta kenë të gjithë, pavarësisht nga burimet financiare? Sot do të thoshim: si i zgjidhi problemet e kostos së shëndetësisë?
Besoj se për atë Gemellin nuk mund të flitet aq për të drejtën e mjekimit, sa për detyrën e shoqërisë civile që të marrë parasysh nevojat e anëtarëve të saj. Ai thoshte shpesh se ashtu si shoqëria civile ka për detyrë t’i bëjë më të drejta marrëdhëniet shoqërore, të reformojë marrëdhëniet ekonomike, në mënyrë që të mos i përgjigjen vetëm leverdisë personale, ashtu edhe shteti, po kjo shoqëri, duhet të interesohet për mirëqënien e shëndetin e qytetarëve.
Atë Gemelli deshi dhe ia arriti të ngrejë Fakultetin e Mjekësisë, që sot, kremton 50-vjetorin e themelimit…
Sigurisht. E deshi me gjithë shpirt e unë mendoj se e kishte këtë ide që kur u kthye në rrugën e Zotit e u bë françeskan i Urdhërit të Fretërve të Vegjël në vitin 1903, duke e kuptuar mirë vlerën e mjekësisë jo vetëm për shëndetin, por – do të thosha – edhe për shëlbimin e njerëzve. Ka faqe të mrekullueshme, ku Gemelli shkruan si duhet të jetë atmosfera në një fakultet, apo në një poliklinikë katolike. Profesorë, studentë, asistentë, që jetojnë përditë së bashku, për të cilët çdo problem shkencor, çdo problem njerëzor, çdo i sëmurë është rast për reflektim. Madje edhe trupi pa jetë, sipas tij, nuk mund të analizohet pa marrë parasysh se në të është ndikuar Fryma e Zotit. Fati i atij trupi është amshimi, prandaj duhet trajtuar në këtë këndvështrim.








All the contents on this site are copyrighted ©.