2012-05-01 17:12:00

“CIAO, KAROL”: të rinjtë luten për të kujtuar Gjon Palin II, në njëvjetorin e lumnimit


“Ti na thirre, ne erdhëm. Ne të falenderojmë për gjithçka ke bërë o Papë i madh, o atë i madh, o mik i madh, o engjëll i madh”. Është njëra nga 1500 letrat, që përmblidhen në librin “Ciao Karol”, publikuar nga Shtëpia Botuese “Papaboys” vetëm disa ditë para lumnimit të Gjon Palit II. Ishte 1 maji i vitit të kaluar, festa liturgjike e Mëshirës Hyjnore, dashur nga vetë Papa polak, dita kur Kisha Katolike e njohu Karol Vojtilën si të Lum, duke e lartuar në nderimet e elterit, vetëm gjashtë vjet pas vdekjes. Të rinjtë e “Brezit Vojtila”, siç quhen ata, që kanë marrë pjesë vazhdimisht në Ditët Botërore të Rinisë me Gjon Palin II, kanë mbledhur në këtë libër letrat e mesazhet e lëna në sheshin e Shën Pjetrit, në prillin e vitit 2005, gjatë agonisë e kalimit në amshim të Papës së tyre të dashur. Libër, që nuk ka dalë nga pena e ndonjë shkrimtari të famshëm, por nga mijëra duar fëmijësh e të rriturish, që u kthyen në prozatorë e poetë të shquar për t’i shprehur Karol Vojtilës gjithë dashurinë, shqetësimin, mirënjohjen, që u mbushte zemrat, ndërsa qëndronin në heshtje e në lutje, me vështrimin e ngulur tek e vetmja dritare e ndriçuar e Pallatit Apostolik. Në letrat, në vizatimet, në imazhet shumëngjyrëshe, derdhen ndjenjat më intime të atyre, që në atë çast, vajtonin humbjen e dikujt, me të cilin kishin lidhur një pjesë të jetës, me nyjet e pazgjidhshme të fesë, dashurisë e shpresës.
Edhe mbrëmë, të rinjtë e “Brezit Vojtila”, u mblodhën sërish në lutje në Tor Vergata të Romës, aty ku festuan Jubileun e vitit 2000 së bashku me Gjon Palin II, për të kujtuar tashmë njëvjetorin e lumnimit të Papës së madh. E sërisht, fjalët që u thanë, bisedat që u shkëmbyen, u ngjanin shumë frazave të librit “Ciao Karol”: “Ti na thirre e ne erdhëm”, “Do të jesh gjithmonë në zemrat tona, të lutemi vazhdo të na qëndrosh afër”, “Me vështrimin tënd të thellë e me dashurinë tënde për jetën kujdesu për ne nga lart e na udhëhiq në gjurmët e Jezu Krishtit”. Një euro për çdo kopje të shitur të këtij libri është lënë mënjanë për të ndërtuar një shtëpi për të pastrehët.
Lutja e mbrëmshme u organizua nga vikariati i Romës dhe u kryesua nga kardinali Agostino Valini, mëkëmbës i Benediktit XVI për Qytetin e Amshuar. Mbi rëndësinë e saj, na flet përgjegjësi për baritorinë rinore të dioqezës, don Mauricio Mirili:
E ndjejmë gati si nevojë të domosdoshme përkujtimin e lumnimit! Kanë nevojë të rinjtë dhe ish-të rinjtë, që në një farë mënyre, përjetuan shumë ngjarje të bukura së bashku me Gjon Palin II. Ndjemë nevojën të mblidhemi në atë vend, në Tor Vergata, që ka rëndësi të jashtëzakonshme për ne. Është hera e parë, që organizojmë diçka të tillë nën Kryqin e DBR-së. Është edhe një mënyrë për ta bërë sërish tonën atë hapësirë, kaq domethënëse për të rinjtë. Është vendi nga ku Gjon Pali II i ftoi të rinjtë të mos dorëzohen, por të luftojnë për të mirën. Në një periudhë krize, si kjo aktuale, kemi nevojë ta dëgjojmë sërish këtë mesazh.
Në atë rast, Papa pati thënë: “Sa zhurmë dëgjoi Roma e nuk do ta harrojë më kurrë”. Ishte zhurma e gëzimit, që u kthye në Tor Vergata…
Pikërisht ashtu! Kjo zhurmë e bukur, e pastër, që akoma thotë gjëra të rëndësishme. Në atë vend, miliona të rinj dëgjuan, reflektuan, u gëzuan e u lutën së bashku. Ata, që tani janë 30, 40 vjeç, akoma duan të gëzohen, madje së bashku me më të rinjtë, me më të vegjlit, për t’u thënë se mund të bëhet rrëmujë jo për të shkatërruar, por për të ndërtuar një shoqëri më të mirë.
Të rinjtë e Ditës Botërore të Rinisë 2000 janë tani prindër, që sjellin bijtë e tyre në Tor Vergata. Një i Lum si Gjon Pali II u përket të gjitha brezave…
Shpesh më pyesin për Papën që të rinjtë e donin shumë, ose për Papën e të rinjve. Në të vërtetë, Gjon Pali II është e vazhdon të jetë Papa i të gjithëve. Me zemër të re, ishte i dashuruar me të rinjtë, prandaj është pranë të rinjve të atëhershëm e atyre të sotëm. E kur të rinjtë i ndjejnë shenjtorët afër, ua hapin zemrën.
Gjithçka fillon me lutjen e takimin me Jezu Krishtin. Është kjo arsyeja që zgjodhët lutjen, për të kujtuar Karol Vojtilën?
Po, pikërisht. Gëzimi rrjedh nga lutja, nga ky takim i bukur me Zotin. Papa Gjon Pali II u thoshte të rinjve se mënyra më e mirë dhe më e vërtetë për ta ndryshuar botën, edhe konkretisht, niset nga ky takim personal, që të ndryshon jetën.
“Ciao Karol” i thanë edhe mbrëmë të rinjtë Papës Gjon Pali II, duke e përshëndetur nga poshtë Kryqit të DBR-së. “Shihemi në Parajsë” i shkruante para shtatë vjetësh Rosela e vogël në sheshin e Shën Pjetrit – takim pranë Atit Qiellor, që mbetet shpresë për të gjithë besimtarët, por për vogëlushen, siguri, që tani.








All the contents on this site are copyrighted ©.