2012-05-01 17:12:59

T’i lutemi Zojës në fillim të muajit, që i është kushtuar!


Maji 2012, muaj kushtuar Zojës së Bekuar, nis me ndjetin e lutjes së përgjithshme e misionare të Papës Benedikti XVI:
Të lutemi, që në shoqëri të organizohen nisma, që e mbrojnë dhe e fuqizojnë rolin e familjes;
e të lutemi edhe që Maria, Mbretëreshë e botës e Yll i ungjillëzimit, t’i shoqërojë të gjithë misionarët në kumtimin e Birit të saj, Jezusit.

Po maji nis përsëri edhe nën shenjën e një premtimi, që na mësoi Gjon Pali II: “Totus Tuus”.

“Jam krejt yti, të përkas, o Zojë” përsërisim moton e Gjon Palit II, një vit pasi u lartua në nderimet e elterit, në një të Diele, e cila bashkonte në një, devocionin e tij për Mëshirën Hyjnore, me atë për Nënën e Krishtit.
Ta përsërismin çdo ditë të këtij muaji, me Misteret e Dritës të Gjon Palit II, duke ia kushtuar përsëri vetveten Zojës së Bekuar.

Totus tuus! Më merr për dore, si more Gjon Palin II, atje ku rrjedhin ujërat e Jordanit të lashtë, që panë Pagëzimin e Birit tënd hyjnor. Ma nxir nga Zoti hirin të shoh si hapet qielli, si zbret Shpirti Shenjt e si pushon mbi tënd Bir. Ndihmomë ta dëgjoj zërin e Atit, që më kujton: “Ky është Biri im i dashur. Ndiqe!

Totus tuus! Më merr me vete në Dasmën e Kanës së Galilesë, si mysafir i paftuar, e ndërmjetëso tek yt Bir, që uji i turbull i zemrës sime, i mendimeve të mia, i ndjenjave të mia, të shndërrohet në verë hyjnore, në Gjakun e Krishtit. Më mëso t’i përgjigjem ftesës sate. “Bëj gjithçka të thotë Ai”, duke e pirë me fund kelkun e shëlbimit, trashëgimi më i bukur i Zotit.

Totus tuus! Më nis nëpër shtigjet e pafundme të botës, deri në skajet më të harruara. Më mëso të ec mbi gjurmët e Birit tënd, për t’ia predikuar mbarë botës Ungjillin e për t’i kujtuar se ka ardhur koha të kthehet me gjithë zemër e t’i besojë Lajmit të mirë.

Totus tuus! Më prij kah Mali i Lumturive e premto ta shoh edhe unë Krishtin e shndërruar, që edhe fytyra ime të shndrisë, një ditë, si dielli, e trupi im, si drita.

Totus tuus! Më fto në Darkën e Mbrame të Birit Tënd e bëj të jem e pranishme në çastin sublim, kur then bukën e ma jep, duke më thënë: “Merre, ky është korpi im!”. E në çastin kur larton kelkun e më thotë: “Është gjaku im, gjaku i besëlidhjes, që do të derdhet edhe për ty”.

Totus tuus! Ma mbush edhe këtë maj me aromën e trëndafilave, aromë e hirit hyjnor. Me frymën e Ringjalljes së Krishtit, që është kryevepra e Krijuesit.








All the contents on this site are copyrighted ©.