2012-05-01 17:11:37

Një vit më parë, më 1 maj, Papa Vojtila shpallej i Lum


Një vit më parë, Gjon Pali II u radhit ndërmjet të Lumëve të Kishës katolike. E Lumnoi pasardhësi i Tij, Benedikti XVI, gjatë një kremtimi solemn në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e dhjetra presidentëve e kryeministrave. Më se një milion e gjysëm, shtegtarët. Mijëra njerëz, lëviznin pa pushim rreth Vatikanit: lëvizja u ndal vetëm kur nisi kremtimi i Lumnimit: atëherë Sheshi e rrugët rreth tij u bënë të pakalueshme, e turma u shtrëngua fort, me sytë ngulur tek elteri.
Festa e të Lumit të ri, u kremtua për herë të parë më 22 tetor 2011 në Kishën e Romës e në atë të Polonisë, në pritje që Papa Vojtila të shpallet shenjt, për t’u nderuar nga mbarë Kisha universale.
Në kremtimin e lumnimit, ashtu si ditën e salikimeve, menjëherë pas shqiptimit të Formulës dhe zbulimit të portretit të Papës Vojtila në fasadën e Bazilikës së Shën Pjetrit, turma vigane e njerëzve shpërtheu në brohorinë: “Shenjt, menjëherë!”, duke e shoqëruar thirrjen me një stuhi duartrokitjesh, me shpalosjen e flamujve të kombeve të ndryshme të botës, me lot e lutje.
Ndërkaq relikja e Gjon Palit II, ena e vogël me gjak, mbyllur në një relikuar argjendi, u vendos në elter nga Motra Tobiana, e cila ka shërbyer në apartamentin papnor për 20 vjet me radhë, dhe nga Mari Simon-Pierre, rregulltarja që, duke u shëruar me ndërmjetësinë e Papës Vojtila nga sëmundja e Parkinsonit, i çeli udhën Lumturimit.
Edhe arka me trupin e Papës së Lum, u vendos që në mëngjes heret para Elterit të Rrëfimit, në bazilikën e Shën Pjetrit.
Menjëherë pas Meshe, Benedikti XVI tha lutjen drejtuar Mbretëreshës Qiellore, për t’i hapur rrugën procesionit të besimtarëve, që prisnin në radhë të pafundme, në Sheshin e Shën Pjetrit, për të hyrë në Bazilikë e për ta përshëndetur nga afër, Papën e Lumnuar. Ashtu si presin përsëri këto ditë, për të kërkuar ndërmjetësimin e tij.

Gjon Pali II, në shekull Karol Wojtyla lindi në Wadovice (Në Poloni, dioqeza e Krakovisë) më 18 maj të vitit 1920. I shuguruar meshtar më 1 nëntor 1946; ipeshkëv më 28 shtator 1958, më 26 qershor 1967 u emërua Kardinal nga Papa Pali VI.
I zgjedhur papë më 16 tetor 1978, po mbushte 27 vjet papnie, e treta për gjatësi në historinë e Kishës.
Me 2 prill 2005, në ora 21:37 zemra e madhe e Gjon Palit II pushoi së rrahuri. Që aso kohe, tek lumnimi, kaluan vetëm 6 vjet. Kohë rekord, përjashtim nga ligji i Kishës, mbi bazën e të cilit duhet të kalojnë pesë vjet pas vdekjes së Shërbëtorit të Zotit, që të nisë procesi, i cili mund ta çojë në nderimet e elterit.
Më 14 janar 2011, Papa Ratcinger nënshkroi Dekretin e Lumnimit: Gjon Pali II do të shpallej i Lum më 1 maj 2011. Kremtimi do të mbahej në Vatikan e do të kryesohej nga Benedikti XVI, në të Dielën e Mëshirës Hyjnore, lidhur fort me shenjtoren polake Faustina Kovalska, që të dyja tejet të dashura për Papën Vojtila e për mbarë popullin polak.

"Një gjigant, që me dëshmimin e fesë, me dashurinë e me guximin apostolik, shoqëruar me ndjenja të thella njerëzore, i ndihmoi të krishterët e mbarë botës ta pohojnë fenë pa frikë, t’i përkasin Kishës e të flasin për Ungjillin”: ky është mendimi kryesor, që Papa Benedikti XVI i kushtoi Gjon Palit II gjatë homelisë së Meshës, me të cilën, një vit më parë e shpalli solemnisht të Lum, paraardhësin e tij. Një milion e gjysëm shtegtarë e besimtarë, ardhur nga të katër anët e Planetit, ishin korniza e kësaj ceremonie tejet prekëse, që u ndërpre shumë herë nga brohoritë e duartrokitjet.

E njëjta turmë pa fund e 8 prillit 2005, që qante e kërkonte, në shumë gjuhë, të shpallej menjëherë shenjt, u rikthye për ta mbushur cep më cep Sheshin e Shën Pjetrit, Rrugën e Pajtimit dhe sheshet romake, ku ishin krijuar të gjitha kushtet për të ndjekur kremtimin, për të dëgjuar Formulën e Lumnimit e për të shikuar portretin (gjigant, edhe ky) e Papës së shumëdashur nga të gjithë. E është edhe sot, një vit pas Lumnimit, në procesion kah vendi ku pushon në paqe, duke e nderuar me një emër, të cilin besimtarët ia njohën që nga dita e salikimeve.

E pasur, homelia e Bendiktit XVI, i cili kujtoi, me admirim në rritje e me dashuri të ndjerë, parabolën e jashtëzakonshme, që e çoi Papën Vojtila nga toka, në qiell: “Gjon Pali II është i Lum për fenë e tij, të fortë, të fisme, apostolike” pohoi Papa Ratcinger, duke kaluar nga gjuha italiane, në atë polake, për të skalitur, me një frazë të vetme, thelbin e figurës së të Lumit të ri, që priu për 27 vjet me radhë, e duke nënvizuar vlerën e tij për Kishën e për botën:
“Me dëshminë e tij të fesë, të dashurisë e të guximit apostolik, shoqëruar me një forcë të madhe njerëzore, ky bir shembullor i Kombit polak i ndihmoi të krishterët e mbarë botës ta pohojnë pa frikë fenë e tyre, t’i përkasin Kishës, të flasin për Ungjillin. Me një fjalë, na ndihmoi të mos kemi frikë nga e vërteta, sepse e vërteta është garancia e lirisë”.
Emocioni i atyre që dëgjonin, u bë gjithnjë më i fuqishëm, duke arritur një kulm, kur Papa Benedikti rikujtoi fjalët e Gjon Palit II, të paharrueshme për ata, që nuk pushuan kurrë së ecuri sipas mësimeve të Tij:
“Mos kini frikë! Hapjani, madje, në të dy kapakët, portat Krishtit. Këtë, që Papa i sapozgjedhur ua kërkonte të gjithëve, e bëri vetë, i pari: ia hapi Krishtit shoqëritë, kulturat, sistemet politike dhe ekonomike, duke përmbysur me forcë vigani – forcë që i vinte nga Zoti - një tendencë, të cilën shumkush e shikonte si të përjetshme”.








All the contents on this site are copyrighted ©.