Festa e Shën Jozefit Punëtor. Papa: pikësynimi i parësor, të sigurohet puna!
Sot, 1 Maj, Kisha kremtoi festën e Shën Jozefit Punëtor, themeluar nga Piu XII, më
1955 për t’i dhënë kuptim të krishterë Ditës Ndërkombëtare të Punës, që sivjet kremtohet
në atmoferën e krizës së rëndë. Sipas të dhënave të fundit statistikore, në sa flitet
për festën e njerëzve të punës, më se 200 milionë prej tyre janë të papunë në mbarë
botën. Gjatë shtatë vjetëve të Papnisë, Benedikti XVI ka folur shumë herë, e me shqetësim,
për botën e punës dhe njerëzit e saj.
Për Papën, në politikat ekonomike, vendin
e parë duhet ta kenë punëtorët e familjet e tyre, sepse kapitali më i çmuar, që duhet
mbrojtur e duhet vlerësuar, është pikërisht njeriu. Prej këndej, pohon Papa, pikësynimi
parësor i qeverive duhet të jetë sigurimi i punës për të gjithë. Prandaj Papa mendon
gjithnjë me shqetësim të thellë për të papunët e njerëzit, që jetojnë në kushte të
vështira: “Të dashur punëtorë e punëtore... Kisha nxit, përkrah e
inkurajon çdo përpjekje që synon t’u sigurojë të gjithëve një punë të sigurtë, dinjitoze,
të vazhdueshme. Papa është pranë jush, pranë familjeve tuaja, fëmijëve tuaj, të rinjve
tuaj, pleqve tuaj e ju çon të gjithë, me zemër, para Zotit” (Fjalim pjesëmarrësve
të shtegtimit të dioqezës së Ternit, 26 mars 2011). Benedikti XVI denoncon
spekullimet e flet për përdorim të keq, a shpërdorim, të financës, gjë që e ka dëmtuar
rëndë ekonominë reale; nënvizon se vitet e fundit është rritur një klasë kozmopolite
drejtuese, e cila shpesh u përgjigjet vetëm interesave të aksionistëve. Një nga shkaqet
kryesore të krizës, për Papën, është rendja e ethshme pas parasë, pas fitimit me çdo
rrugë e me çdo kusht: “Kurnacëria njerëzore është idhujtari. Ne duhet
ta denoncojmë këtë idhujtari, që është kundër Zotit të vërtetë, është zëvendësim i
fytyrës së Zotit me një Zot tjetër, “mamonën”. Duhet ta bëjmë këtë trimërisht, por
edhe konkretisht” (Takimi me klerin romak, 26 shkurt 2009). Papa
flet kundër shfrytëzimit të punëtorëve, posaçërisht të emigrantëve, të cilët gjithnjë
më shpesh përdoren si të mos ishin njerëz, por mall tregu; kërkon që puna, posaçërisht
për gratë, të harmonizohet me familjen, e të respektohet pushimi i së dielës, sepse
njeriu nuk duhet të shndërrohet kurrë në skllav të punës. Kriza e sotme, me gjithë
pasojat saj, mund të krijojë edhe mundësi të reja për rishikimin e modeleve të zhvillimit
e të stileve të jetesës: “Ndoshta sot, më shumë se kurrë, shoqëria
civile e ka kuptuar se vetëm me stile jetese të frymëzuara nga thjeshtësia, solidariteti
e përgjegjësia, është e mundur të ndërtohet një shoqëri më e drejtë e një ardhmëri
më e mirë për të gjithë” (Fjalim administratorëve të Lacios, 12 janar 2009). Puna,
për të krishterët, bëhet lutje e përditshme, ashtu siç bëhej edhe për Jezusin: Biri
i Zotit, kujton Papa, iu kushtua për shumë e shumë vjet punës së krahut, aq sa të
njihej si ‘biri i marangozit’. Por pa e harruar kurrë lutjen, madje duke e kthyer
vetë punën në lutje. E Benedikti XVI ua besoi mbarë punëtorët pajtorit të tyre,
Shën Jozefit, duke theksuar edhe stilin e tij të jetesës: “Nga shembulli
i Shën Jozefit buron për ne të gjithë ftesa për ta kryer me besnikëri, thjeshtësi
e modesti detyrën, që na e ka ngarkuar Provania Hyjnore” (Lutja e Engjëllit
të Tënzot, 19 mars 2006).