2012-04-30 18:09:57

Dje, në Bazilikën romake të Shën Palit jashtë Mureve, u lartua në nderimet e elterit, Gjuzepe Toniolo “ekonomist i Zotit”.


U kremtua dje paradite në Bazilikën romake të Shën Palit jashtë Mureve, Mesha Shenjte me ritin e lumnimit të Gjuzepe Toniolo-s, që njihet si “Ekonomist i Zotit”. Figurë tejet e rëndësishme, pati meritën të tregonte udhën e përparësisë së njeriut e të solidaritetit, siç e kujtoi edhe Benedikti XVI në lutjen drejtuar Mbretëreshës Qiellore, duke përshëndetur shtegtarët, që morën pjesë në ritin, kremtuar nga kardinali Salvatore De Giorgji, i cili u shpreh kështu për këtë figurë madhore të Kishës katolike, nga radhët e intelektualëve, lartuar në nderimet më të larta, ato të elterit:RealAudioMP3
“Ai ishte i bindur se të gjithë, pa përjashtim, jemi të thirrur të ecim në rrugën e shenjtërisë, domethënë, të përsosurisë së jetës së krishterë e të dashurisë së krishterë, në kushtet e gjendjet e zakonshme të jetës. Ishte i bindur edhe se kjo shenjtëri krijon, në gjirin e vetë shoqërisë tokësore, kushte jetese më njerëzore e se laikët shenjtërohen në botë, për shenjtërimin e botës, pa ikur nga bota e njëkohësisht, pa i përkitur asaj, përmes ushtrimit të detyrës së tyre, atje ku punojnë, duke i gjallëruar me frymën e krishterë, realitetet tokësore”.
I Lumi i ri e vuri në jetë këtë bindje në mënyra nga më të ndryshmet, duke nisur nga familja, të cilën e shikonte si shkollë kryesore për shenjtërimin dhe frymëzimin misionar të njerëzve.
Toniolo ishte profesor universitar në Padovë, Modenë e sidomos në Pizë. Prej këndej, kryeipeshkvi i Pizës, imzot Gjovani Paolo Benoto, i pranishëm në kremtim, i priu procesionit të relikeve, së bashku me postulatorin e çështjes së lumnimit dhe me të riun, shëruar mrekullisht me ndërmjetësinë e të Lumit, që mbeti në kujtesë të studentëve si mësues dhe edukator, i vetëdijshëm se ata duheshin formuar edhe krishterisht e i bindur për domosdoshmërinë e pranisë së katolikëve në veprimtari shoqërore e politike, për të mirën e vendit.
Toniolo e deshi Kishën dhe i shërbeu me gjithë zemër, si qytetar model, duke u bërë shembull laiciteti për mbarë botën katolike, që ai nuk donte ta shikonte të përçarë, por të bashkuar:“Shoqëria e Rinisë Katolike, bërthamë e parë e Veprimit Katolik Italian, Fuci, Vepra e Kongreseve, Bashkimi Katolik për Studimet Shoqërore, Bashkimi Popullor, Javët Shoqërore, patën në të ideatorin e shkëlqyer, animatorin, koordinatorin e projekteve kulturore, shoqërore e politike, të frymëzuara nga feja e krishterë e po ashtu edhe strukturat katolike publike, si Universiteti i Zemrës së Krishtit, ku çoi frymën e re, që vijon të burojë në shekuj nga Fjala e Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.