2012-04-30 18:08:34

Benedikti XVI meshtarëve të shuguruar dje, në Shën Pjetër: “Kur Kryqi do të rëndojë më shumë, ajo do të jetë ora më e çmuar”.


“Kur barra e Kryqit do të bëhet më e rëndë se kurrë, kjo do të jetë ora më e çmuar”: këtë u kujtoi Benedikti XVI nëntë seminaristëve të dioqezës së Romës, shuguruar gjatë Meshës Shenjte, kremtuar dje në Bazilikën e Shën Pjetrit, në të Dielën IV të Pashkëve, që njihet si e Diela e Bariut të Mirë, sipas traditës romake.RealAudioMP3

“Bariu i mirë jep jetën për delet e veta”. Jezusi ngul këmbë, kujtoi Papa gjatë homelisë, mbi këtë tipar themelor të bariut të mirë, që është Ai vetë:
“Kjo sjellje e dallon qartë bariun e vërtetë, ashtu si e shpjegon vetë Jezusi, sipas vullnetit të Atit, që e ka dërguar”.
E meshtari, shpjegoi Papa, është ai, që përfshihet në mënyrë të posaçme në mister nga vetë flijimi i Krishtit, që bëhet një me Të, për të vijuar në kohë misionin shëlbues të Zotit. Është bashkim, që realizohet falë Sakramentit të Shugurimit e që kërkon të bëhet gjithnjë më i ngushtë, përmes përgjigjes, që i jep meshtari Zotit:
“Spikat me forcë se, për meshtarin, të kremtojë çdo ditë Meshën Shenjte, nuk do të thotë të kremtojë një funksion ritual, por të kryejë një mision, që ka të bëjë thellësisht me jetën e tij, me shpirtin e tij, në bashkim me Krishtin e Ngjallur i cili, në Kishën e vet, vijon Flijimin shpërblyes”.
Përmasë eukaristike-flijuese kjo, e pandarshme nga ajo baritore. Përbën thelbin e së vërtetës dhe të forcës shëlbuese, nga e cila varet suksesi i çdo lloj veprimtarie tjetër. E jo vetëm në planin psikologjik e shoqëror, nënvizoi Benedikti XVI, por kryesisht në frymëzimin jetik të pranisë së Zotit në thellësi të shpirtit:
“Vetë predikimi, veprimet, gjestet e ndryshme, që kryen Kisha me nismat e saj të larmishme, do ta humbisnin fekonditetin e tyre shëlbues, në se do të mungonte kremtimi i Flijimit të Krishtit. E ky kremtim u besohet meshtarëve të shuguruar”.
Çdo meshtar është i thirrur ta jetojë vetë, atë që jetoi Jezusi, domethënë të jepet i tëri pas predikimit e pas shërimit të njeriut nga çdo sëmundje e korpit dhe e shpirtit, deri në atë masë, sa të jetë gati të japë edhe vetë jetën për njerëzit, gjeste, që gjejnë shprehjen e vet sakramentore në Eukaristi, kujtim i përhershëm i Pashkës së Krishtit:“Të shuguruar të dashur, uroj që kjo Fjalë e Zotit ta ndriçojë gjithë jetën tuaj. E kur pesha e Kryqit do të bëhet më e rëndë, ta dini se ajo është ora më e çmuar, për ju e për njerëzit, që ju janë besuar”.








All the contents on this site are copyrighted ©.