2012-04-30 14:58:32

21 viktima në sulmet kundër të krishterëve në Nigeri e në Kenia. Atë Lombardi: akte të tmerrshme, për t’u dënuar


E dielë e përgjakshme në Afrikë: së paku 21 viktima e dhjetra të plagosur, ndër të cilët dy fëmijë, në dy sulme terroriste kundër të krishterëve në Nigeri e në Kenia. Bashkësia ndërkombëtare e dënoi me forcë këtë akt të patolerueshëm, për të cilën shprehu shqetësim edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone.
Diçka jashtëzakonisht e tmerrshme dhe çnjerëzore, që u realizua njëkohësisht në Nigeri e në Kenia në “Ditën e Zotit”, pra të dielën, duke fyer jo vetëm dinjitetin njerëzor, por edhe ndjenjat fetare të bashkësive të krishtera, të cilat duan të jetojnë në paqe. Në Kano, në veri të Nigerisë, një grup njerëzisht të armatosur sulmuan një teatër brenda universitetit, që përdorej nga studentët e krishterë për kremtimin e meshës. Në Nairobi të Kenias, një granatë shpërtheu brenda kishës, pak para fillimit të kremtimit.
Në rastin e parë, qëllimi është dobësimi i qeverisë së presidentit të krishterë Xhonatan Gudlak, duke shfrytëzuar persona të vendit, por edhe me ndihmën e lëvizjes së Al Kaidës për Magrebin. Ndërsa në Kenia, autorët e sulmit mund të jenë terroristët e Shaabab-it, që akuzojnë qeverinë për pushtimin ushtarak të Somalisë dhe për mbështetjen e ekzekutivit të Mogadishos. Edhe një herë, feja u instrumentalizua për qëllime që s’kanë të bëjnë aspak me të.
Të dëgjojmë deklaratën e drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi:
Sulmet e reja terroriste në Nigeri e në Kenia, me rastin e kremtimeve fetare të krishtera, janë akte të shëmtuara e të urryera, për t’u dënuar vendosmërisht. Duhet t’u qëndrojmë pranë viktimave dhe bashkësive, që vuajnë nga kjo dhunë çnjerëzore, e cila i godet pikërisht kur kremtojnë paqësisht një fe, që predikon dashuri e paqe për të gjithë. Duhet të vazhdojmë ta inkurajojmë krejt popullatën, pavarësisht nga dallimet fetare, të mos tundohet nga ky rreth vicioz i urrejtjes vëllavrasëse.








All the contents on this site are copyrighted ©.