2012-04-29 16:52:33

Sulme kundër të krishterëve në Nigeri e Kenia. Më se 20 të vdekur.


Ditë gjaku në Nigeri e në Kenia, ku të krishterët u sulmuan përsëri. Gjatë sulmit mbi Universitetin e Kano, mbetën 20 të vdekur; ndërsa sulmi mbi një Kishë të Nairobit, la pas një të vdekur e 15 të plagosur.

Së pari, u dëgjuan disa shpërthime para sallës së teatrit të Universitetit të Kano, ku të dielave kremtohet Mesha. Pastaj, një breshëri armësh zjarri. Tridhjetë minuta terrori për të rinjtë, që ndodheshin në mjediset e universitetit. Zhvillimi i ngjarjes tregon se sulmi duhet të jetë kryer nga një grup i armatosur. Policia, që ndërhyu menjëherë në mjediset e ndërtesës, gjeti shumë trupa pa jetë e jo më pak, të plagosur, disa, në gjendje të rëndë. Nuk është sulmi i parë, e urojmë të jetë i fundit, kundër të krishterëve në vendin afrikan, ku tashmë prej kohe vijojnë sulmet kriminale të grupit Boko Haram, lëvizje fondamentaliste myslimane, që synon të vendosë sharinë, ligjin islamik, në të 36 shtetet e Nigerisë. Vetëm në Kohën e Pashkëve, më se 50 vetë gjetën vdekjen gjatë një sërë sulmesh të përgjakshme.
Tronditje e thellë edhe në Nairobi të Kenias, pas shpërthimit të një bombe brenda një Kishe, në zonën e Ngarës. Disa dëshmitarë treguan se bomba ishte vendosur poshtë elterit nga një njeri, që iku me vrap, duke shtënë me armë. Thuhet se i vrari është meshtari, por kjo nuk është vërtetuar ende nga kontrollet, që vijojnë, në një mjedis të mbytur në gjak, sipas dëshmitarëve. Edhe ky sulm ka shumë mundësi të jetë vepër e milicëve somalë të Shabaabit, të lidhur me Al Kaedën, disa herë protagonistë të këtij tipi dhune kundër të krishterëve. Vetëm gjatë javës së kaluar, ambasada amerikane tërhoqi vëmendjen e nënshtetasve të saj, nga frika e sulmeve të reja të mundshme.










All the contents on this site are copyrighted ©.