Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 4-të kohës së Pashkëve ‘B’
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të Liturgjisë Hyjnore të së dielës.
Kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së
Fjalës Hyjnore të dielës së 4-të të kohës liturgjike të Pashkëve. E diela e 4-të e
Pashkëve është e diela e “Bariut të Mirë”, e vërtetë, në pjesën ungjillore të kësaj
së diele, Jezusi prezantohet si "bari i mirë" që e "dhuron jetën për delet" e veta.
Në këtë të diele të Pashkëve, Jezu Krishti i Ngjallur na paraqitet në takim me fytyrën
e Bariut të mirë. Ky imazh, kaq i dashur për dëftimin (zbulimin) biblik, shpreh përkushtimin
e Zotit ndaj nesh. Nëse Zoti është bariu ynë, ne jemi grigja e tij. Në librin biblik
të Daljes (Dl 19,5) lexojmë: “Tani, nëse do të ma dëgjoni zëri tim e do ta ruani dhe
mbani Besëlidhjen time, ndër të gjithë popujt, ju do të jeni për prona ime e veçantë”. Fjalën
hebraike segullah që do të thotë “pronë”, mund ta përkthejmë edhe me
fjalën “grigjë”. Izraeli, para besëlidhjes solemne në Sinaj, është pranuar
e njohur si grigjë e Zotit, e mira e tij e patjersueshme (e tillë është grigja për
bariun). Segullah pastaj ngushtë e lidhur me fjalën akadike sikiltu,
që do të thotë thesar i çmueshëm i Zotit. Prandaj kur Jezusi pohon: “Unë jam bariu
i mirë” (Gjn 10.11), jo vetëm mishëron përkushtimin e Hyjit Atë ndaj popullit, por
shpall çdo njeri si pasuri të çmueshme të Atit Qiellor, si e mirë tejet e çmueshme
e Tij. Jezusi nënvizon edhe një aspekt tjetër të rëndësishëm të fjalës “bari”,
kualifikimin i “mirë” (kalos). Fjala greke kalos nuk do të thotë vetëm i “mirë”
(cilësi morale) por edhe i “drejtë”, i “përshtatshëm”. Jezusi është pra bariu i drejtë,
që realizon në vete dhe rreth vetes përhap dashurinë e butë e përdëllyese të Atit
Qiellor; një dashuri që dhuron jetën deri në vdekje. Ja se pse kalos përkthehet edhe
me epitetin tjetër i “bukur”. Krishti është “i bukur” sepse është mishërimi i shkëlqyeshëm
i dashurisë dhuruese të Atit Hyjnor. Jezu Krishti pra është bariu i mirë që na mbledhë
e na bashkon për të formuar prej popullit të tij një grigjë të vetme. Ta dëgjojmë
zërin e Tij, të mblidhemi rreth Tij, për të jetuar si bijë e bija të Zotit e për të
zbuluar kuptimin e vërtetë të jetës sonë. Çdo të diel në kohën e Pashkëve, leximet
biblike të Meshës së Shenjtë na flasin për dashuri, për mirësi dhe përdëllim të Zotit
Jezus. Këtë Ai e ka treguar e pohuar me mundimet, vdekjen dhe ngjalljen e Tij. Ky
është misteri i Pashkëve. Dashurinë që Jezusi e ka për ne, në pjesën ungjillore të
kësaj së diele, e shfaq përmes shembullit të Bariut të Mirë, titull me të cilin Ai
paraqitet si Udhë, e Vërtetë dhe Jetë për njerëzit. Bukuria magjepsëse e Bariut është
mirësia e tij e guximi i tij. Ai i mbron delet kundër ujqve duke e ofruar, madje dhuruar
jetën e tij për jetën e tyre, sikur dëshmon kryqi i tij.
Liturgjia e Fjalës së Zotit Leximi i parëVap 4, 8-12
Mrekullia
e kryer nga Pjetri dhe Gjoni duke shëruar të paralizuarin është shenjë e fuqisë së
Jezusit, ai Jezus që autoritetet fetare e kanë kryqëzuar dhe që Hyji Atë e ka ringjallur.
Mrekullia është prova se Jezusi është gjallë dhe që kohrat e fundit kanë filluar:
do të thotë koha e kishës. Pjetri fillon predikimin e emrit të Zotit Jezus: kush
beson në emrin e tij beson se fitorja e tij mbi vdekjen dhe mëkatin vazhdon akoma
edhe sot. Kush është i pagëzuar bashkëpunon sot me Krishtin për shpëtimin e çdo njeriu.
Lexim
prej Veprave të Apostujve
Në atë ditë, Pjetri, plot me Shpirt Shenjt,
tha: “Kryetarë të popullit dhe pleq! Pasi ju sot po na merrni në përgjegjësi për një
vepër të mirë që ia bëmë një të sëmuri e po na pyesni si ky njeri u shërua, le të
dijë secili prej jush dhe mbarë populli i Izraelit: ky njeri qëndron para jush shëndosh
në saje të Emrit të Jezu Krishtit Nazarenas, që ju e kryqëzuat, por që Hyji e ngjalli
prej së vdekuri. Jezusi është ‘guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por
që u bë gur i këndit’, e vetëm nëpër Të fitohet shëlbimi. Sepse, për të vërtetë, s’ka
asnjë person tjetër nën këtë kupë qielli që Hyji ua dha njerëzve me anën e të cilit
do të mund të shëlbohemi.” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.
Psalmi
118 Guri i qitur jashtë përdorimit, u bë gur i këndit
Lavdërojni
Zotin, sepse është i mirë, sepse e përjetshme është dashuria e tij! Më mirë
është të strehohesh te Zoti se të kesh besim në njerëz. Më mirë është të strehohesh
te Zoti se të kesh besim në princa. Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar
dhe
u bëre Shpëtimtari im. Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, erdhi
e u bë guri këndit; Zoti e bëri këtë gjë: sa mrekulli për sytë tanë!
Bekuar
qoftë ai që vjen në emër të Zotit! Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
Ti
je Hyji im, ty të falënderoj; Ti je Hyji im, unë të madhëroj! Lavdërojeni Zotin,
sepse është i mirë, sepse e përjetshme është dashuria e tij!
Leximi
dytë1 Gjn 3, 1-2 Ringjallja e Krishtit nuk është
për të gjithë, por vetëm për ata që besojnë. Ata që refuzojnë t’i besojnë Krishtit
mbyllen ndaj mundësisë për të njohur jetën e Hyjit të pranishme në besimtarët. Hyji
na ka dashur aq shumë saqë mund të quhemi bijtë e tij dhe ka shpërndarë në ne bamirësinë
e tij prej Ati. Nëse me të vërtetë jetojmë si bij të Hyjit dëshmojmë dashurinë e
Atit dhe i ftojmë të tjerë ta njohin.
Lexim prej Letrës së parë të
shën Gjonit apostull
Fort të dashur, shikoni ç’dashuri të madhe na
dhuroi Ati sa që quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi! Bota nuk na njeh sepse nuk e njeh
Atë. Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq
dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim ashtu siç
është. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin
Aleluja,
aleluja. Unë jam Bariu i mirë, thotë Zoti: i njoh delet e mia dhe ato më njohin
mua. Aleluja
Ungjilli Gjn 10, 11-18
Jezusi,
bariu i vërtetë që kujdeset për delet e tija (njerëzit e të gjitha kohrave) dhe i
mbron nga “ujku” (djalli dhe mëkati) që gjithmonë i kërcënon. Jezusi është një bari
që na lë të lirë ta zgjedhim dhe të vendosim. Ai është bariu i mirë që nuk kërkon
interesat dhe lavdinë e tij; nuk është një kryetar që manipulon turmat: i propozon
secilit miqësinë e Atit. Ai nuk pretendon të bëjë një grigjë të mbyllur dhe të përsosur,
por kërkon delet e largëta dhe të sëmura.
Leximi i Ungjillit shenjt
sipas Gjonit
Në atë kohë, Jezusi tha: “Unë jam Bariu i mirë. Bariu
i mirë e jep jetën e vet për dele. Rrogëtari, - që s’është bari, të cilit nuk i përkasin
dhentë – kur sheh se po vjen ujku, lë dhentë e ikën – e ujku i rrëmben dhe i shpërndan:
është rrogëtar dhe s’është në kujdes për dhen. Unë jam Bariu i mirë: i njoh të
miat dhe ato më njohin mua. Sikurse Ati më njeh mua dhe unë e njoh Atin edhe jetën
e jap për dele. Kam edhe tjera dele, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato më duhet
t’i bashkoj dhe do ta dëgjojnë zërin tim, do të bëhet një grigjë e vetme e një Bari
i vetëm. Prandaj edhe më do Ati, sepse e jap jetën time që ta marr përsëri. Askush
nuk mund të ma marrë: por unë e jap prej vetes. Kam pushtet ta jap jetën e kam pushtet
ta kthej prapë atë. Këtë urdhër e mora prej Atit tim.” Fjala e Zotit. Lavdi
të qoftë ty, o Krisht.
T’i dëgjojmë leximet biblike të kësaj së diele
nga Vap 4,8-12; Ps 118(117); 1Gjn 3,1-2; Gjn 10,11-18 e pastaj komentin nga prifti
shqiptar i dioqezës së Sapës, dom Mark Shtjefni...........