2012-04-28 18:03:46

Kishës Katolike i shtohen dy të Lumë të rinj


Nesër, në Romë dhe në Kutansë të Francës, do të lartohen në nderimet e elterit, dy të Lumë të rinj. Në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, në Romë, i dërguari i Papës, kardinali Salvatore De Xhorxhi, kremton Meshën për lumnimin e Xhuzepe Toniolos, laik italian, sociolog, ekonomist me famë botërore, i cili, në vitin 1889, themeloi Bashkimin Katolik për Studimet Shoqërore në Itali. Ndikoi fuqimisht në lëvizjen katolike shoqërore italiane të fillimit të viteve ‘900, duke hedhur bazat e partisë së mëvonshme “Demokracia e Krishterë”. Në traktatin e tij të njohur mbi ekonominë, Toniolo përvijon teorinë e tij personale, sipas të cilës etika dhe fryma e krishterë duhet të mbizotërojnë përmbi ligjet e ekonomisë. Në një epokë, kur po merrte hov lëvizja sindikaliste dhe po dukej në histori diktatura e proletariatit, Xhuzepe Toniolo propozoi një zgjidhje të problemeve shoqërore, që e refuzonte individualizmin e sistemit kapitalist, por edhe kolektivizimin e skajshëm të sistemit socialist. Parashikonte bashkëpunimin ndërmjet punëdhënësve dhe punëtorëve në korporata të njohura nga shteti. Propozonte gjithashtu pushimin javor, shkurtimin e orëve të punës, mbrojtjen e pronës së vogël private e kujdesin për punën e grave e të fëmijëve. Sot, këto arritje duken të zakonshme, por në kohën e Toniolos, ishin çështje shtruar për zgjidhje në beteja jo të lehta shoqërore. Lumnimi i sotëm i sociologut të shquar u parapri nga një mbrëmje lutjeje në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit, në orën 21.30 të ditës së djeshme.
Ndërkaq, në Katedralen e Zojës së Kutansës në dioqezën e Kutansës e të Avranshës në Francë, kardinali Anxhelo Amato, Prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kremton Meshën e lumnimit të Shërbëtorit të Zotit Pietro-Adriano Tulorzh. Meshtar i Urdhërit të Rregulltarëve Kanonikë Premonstratens, martir, i vrarë me gijotinë gjatë Revolucionit Francez, vetëm sepse ishte prift. Pak para se të vdiste, pati thënë: “O Zot, në duart e tua po e lëshoj shpirtin tim. Fali armiqtë e mi!”








All the contents on this site are copyrighted ©.