2012-04-28 18:05:15

Afrika shikon Evropën: shkëmbim përvoje udhësh të ndryshme drejt pavarësisë


Filli i kuq i veprimtarisë me temë: “Afrika dëgjon Evropën, përvoja e Shqipërisë në 100 vjetorin e Pavarësisë”, që u organizua të martën e kaluar në selinë e Radio Vatikanit, ishte shkëmbimi i përvojës së një vendi të vogël ballkanik, të pavarur prej njëqind vjetësh, me një Kontinent të pakufishëm, që ecën në këtë udhë tejet të dëshiruar. Shkëmbim përvoje, në një mjedis si ky i Radio Vatikanit, ku simbolikisht takohen mbarë vendet e botës. I hap udhën takimeve të ardhshme ndërmjet viseve e kontinenteve të ndryshme, për të jetuar, për të ndarë e për të njohur, së bashku, historinë, traditat e kulturat e njëri tjetrit. Pavarësi të kremtuara e liri të fituara, që vihen shërbim të pavarësive të paarritura e të lirive të pajetuara. Duke pasur parasysh se Shqipëria e vogël e ka mbrojtur dhe vijon ta mbrojë Afrikën e madhe, në tryezën e e Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork. Një mësim historie, që do të rrokë të pesë kontinetet, me shtetet e kombet e tyre të panumërta. Po kjo i takon së ardhmes.
Afrika shikoi Evropën, e posaçërisht historinë e Shqipërisë, e cila sivjet kremton 100 vjet pavarësie, me dëshirën që të nxjerrë mësim, të marrë shtytje në ecjen me ritme të shpejta për të fituar atë vlerë të paçmuar, që quhet liri, e cila u mohohet akoma shumë zonave të Kontinentit të zi, e edhe të kontinenteve të tjera. Të dëgjojmë fjalën e hapjes, mbajtur nga drejtori ynë, atë Federiko Lombardi:

“Është e mjaft i pazakontë, mendimi për t’i afruar udhët e pavarësisë, e prej këndej, identitetet e popujve, përmes kontinenteve, të cilët shpesh jemi mësuar të mos i shikojmë me të njëjtin sy. Takim domethënës, ky, shumë i mirëpritur në këtë shtëpi, që dëshiron të jetë shtëpi e popujve të ndryshëm dhe e kulturave të ndryshme, të cilat këtu takohen, për t’u njohur, për të folur në mënyrë të tillë që, prej këndej, jo vetëm të nisen, në gjuhë të ndryshme, mesazhe në drejtime të ndryshme, por edhe që ky vend të jetë vend i vërtetë dialogu e takimi ndërmjet popujve, pavarësisht nga larmia e traditave të tyre. Ja, pra, këtu kemi njëqind vjet pavarësie të një vendi, që i përket një Kontinenti tjetër, një vendi evropian, ballë për ballë me udhën e pavarësisë së Kontinentit afrikan. Më duket gjë e bukur të kesh aftësinë t’i vësh pranë e pranë këto histori e këto çaste themelore për historinë e këtyre popujve e edhe të pasurohesh, duke shkëmbyer përvojën e anasjelltë. Përveç këtij konteksti të përgjithshëm, dua të them edhe se gëzohem shumë që shikoj këtu një takim kushtuar posaçërisht Shqipërisë. Kemi pasur edhe takime të tjera, vitet e kaluara, në kujtim të Nënë Terezës e në raste festive. Kujtoj shpesh, e me krenari, se Radio Vatikani është nderuar nga Shteti shqiptar me Urdhërin më të lartë “Nënë Tereza”, pikërisht për shërbimin që i bëri popullit shqiptar, me transmetimet e veta, për dhjetra vjet me radhë. Prandaj jemi shumë të kënaqur, duke pasur parasysh se pikërisht ky është misioni ynë, i Programit tonë shqip: të vihet në shërbim të popullit e të kulturës shqiptare”.

Për më se katër shekuj sundimi otoman, Historia e Shqipërisë qe një kuadër plot dritë-hije, plot britma kushtrimi e dhimbjeje, plot robëri e etje për liri.
Shpresat e shqiptarëve për rifitimin e lirisë së humbur u rindezën vetëm në vitin 1878, kur Evropa ua dëgjoi përsëri zërin, përmes Lidhjes së Prizrendit, që kërkoi liri, mbrojtje e pavarësi të trojeve kombëtare.
Interesat gjeopolitike, etnike e fetare të fuqive e shteteve të ndryshme evropiane do ta zvarritnin deri më 28 nëntor 1912, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, duke lënë jashtë kufijve, gjysmën e tokave shqiptare. Por, ç’mund të mësojnë afrikanët nga e kaluara e shqiptarëve? Përgjigjet Ardian Ndreca, pedagog i Filozofisë moderne në Universitetin Urbanian:

“Munden, para së gjithash, të mësojnë nga gabimet, që kemi bërë ne, e të mos i përsërisin. Një nga këto gabime ishte se në Shqipëri pushteti u nda ndërmjet fraksioneve të ndryshme, në vend që të ngriheshin menjëherë institucionet demokratike. Ky ishte gabimi më i madh, që u bë në Shqipëri, si në gjysmën e parë të ‘900-tës, ashtu edhe në gjysmën tjetër. Gjëja e dytë, që mund të mësohet nga përvoja shqiptare, ka të bëjë me lidhjen e ngushtë të shqiptarit me trojet e veta, me traditat e veta, me të kaluarën, me dëshirën për ta rijetuar të kaluarën, për ta shikuar të kaluarën, për të përfituar nga gjithçka ishte e mirë e për ta vënë në themelet e së ardhmes: vlera, tradita, gjithçka që ndriçojet nga drita e proceseve pozitive ekonomike, kulturore e shoqërore të së kaluarës”.

Ajo që duhet të bëjnë afrikanët, shpjegoi Filomeno Lopes, përfaqësues i “Qendrës së reflektimit Afrika 2000”, është përpjekja për të kërkuar modele të reja dialogu, siç uron edhe Benedikti XVI.
“Papa Benedikti XVI po i nxit kontinentet, posaçërisht konferencat ipeshkvnore, ato të Afrikës e të Evropës, të kërkojnë mënyra e rrugë të reja dialogu, të bashkëpunojnë më mirë, në shërbim të ungjillëzimit të ri, që e ardhmja t’i ndihmojë të gjithë të kuptojnë se epoka e fateve të veçanta dhe e mbrojtjes së vetvetes, ka marrë fund”.

Tinguj, që dëgjuat në sfond të këtij programi, ishin një nga pjesët më emocionuese të takimit të Shqipërisë së Pavarur me Afrikën, në kërkim të pavarësisë, drejtuar nga kryeredaktori i Programit shqip pranë Radio Vatikanit, dom David Xhuxha. Janë të violinës së Elvin Dhimitrit, që e pasuroi këtë pasdite, të mbushur me kujtimet e njëqind vjet historie, të pranishme në Sallën Markoni të Radio Vatikanit përmes pamjeve të një filmi dokumentar me temën e Udhës së përpjekjeve për Pavarësi dhe të bisedave me të njëjtën temë, mbajtur nga Ardian Ndreca, docent në Universitetin Urbanian të Romës; Federiko De Renzi, specialist për Perandorinë Otomane, bashkëpunëtor i revistës ‘Limes’ dhe Filomeno Lopes, përfaqësues i “Qendrës së reflektimit Afrika 2000”. Elvin Dhimitrit luajti me mjeshtri të rrallë, “Balladën” e Pjetër Gacit dhe “Vallen Hungareze” të Brahms, me tingujt e së cilës po e mbyllim këtë informacion festiv.









All the contents on this site are copyrighted ©.