Komunikatë e Komisionit vatikanas për Kishën Katolike në Kinë: "qëndrojini besnikë
Krishtit e Papës"
Nga data 23 deri më 25 prill u mblodh në Vatikan, në takimin e tij të pestë, Komisioni
i ngritur nga Papa Benedikti XVI në vitin 2007 për të studiuar çështjet më të rëndësishme
të jetës së Kishës Katolike në Kinë. Kësaj radhe, u diskutua gjerësisht për formimin
e besimtarëve laikë, duke pasur parasysh “Vitin e Fesë”, që do të fillojë më 11 tetor
2012. Fjalët e Ungjillit: “Ndërkaq Jezusi përparonte në dije, në moshë e në hir para
Hyjit e para njerëzve” (Lk 2,52) tregojnë më së miri detyrën, që kanë përpara katolikët
në Kinë. Së pari, u tha në mbledhje, ata duhet të thellohen në studimin e Katekizmit
të Kishës Katolike. Së dyti, duhet të japin kontributin e tyre në punë e në shoqëri,
duke treguar se e duan jetën dhe e respektojnë atë që nga zënia deri në fundin e saj
të natyrshëm, se e duan familjen, se e duan atdheun dhe përpiqen për të mirën e përbashkët.
Së treti, ata duhet të impenjohen në famulli e të mbështesin veprimtarinë e shoqatave
e të lëvizjeve kishtare, që favorizojnë formimin e tyre shpirtëror. Komisioni vuri
në dukje se po rritet gjithnjë e më shumë numri i të pagëzuarve në Kinë, sidomos numri
i të rriturve, që kërkojnë Sakramentin e Pagëzimit, prandaj vuri theksin mbi nevojën
e formimit të tyre e të ndjekjes së të krishterëve pas marrjes së Pagëzimit, në mënyrë
që besimtarët katolikë të jenë në gjendje të ungjillëzojnë popullin dhe kulturën në
të cilën bëjnë pjesë. Në mënyrë të veçantë, gjatë mbledhjes, u fol për ipeshkvijtë
dhe meshtarët e burgosur, si edhe për ata, që regjimi akoma komunist kinez nuk u lejon
ta kryejnë misionin e tyre si duhet. I kërkohet Kishës Katolike në mbarë botën të
lutet për këta vëllezër në Krishtin, në mënyrë që të mos u mungojë feja dhe dëshira
për të qëndruar të bashkuar me Papën e Romës. Gjendja në vend nuk është e lehtë. Akoma,
organizma të krijuara nga Pekini, quajtur “Një shoqatë dhe një konferencë”, përpiqen
të komandojnë jetën e bashkësisë kishtare pa pyetur për ipeshkvijtë. Gjithashtu, direktivat
e qarta të Atit të Shenjtë, përshkruar në Letrën, që Benedikti XVI i ka drejtuar popullit
kinez, nuk janë respektuar nga persona që kanë marrë shugurimin ipeshkvnor, pa pyetur
Vatikanin e pa u ligjëruar prej tij. Në ditët e kaluara, disa prej tyre morën pjesë
në shugurimet ipeshkvnore të autorizuara nga Kisha, ashtu siç bënë edhe disa ipeshkvij
të ligjshëm, që morën pjesë në shugurime ipeshkvnore të pamiratuara nga Selia e Shenjtë.
Komisioni vatikanas për Kinën vë në dukje se këto raste shkaktojnë shkandull në gjirin
e popullit të Zotit dhe i fton ipeshkvijtë t’i kërkojnë falje Papës për këtë, siç
kanë bërë disa prej sivëllezërve të tyre. Pavarësisht nga vështirësitë e situatës
në Kinë, ungjillëzimi nuk mund të bëhet duke flijuar elemente thelbësore të fesë e
të disiplinës katolike. Vërtet që vitet e fundit numri i thirrjeve për meshtari e
për jetën e shuguruar është në rënie të ndjeshme, por kjo duhet t’i nxisë të gjithë
besimtarët ta lusin Zotin të çojë punëtorë në vreshtin e vet. 24 maji i ardhshëm,
festa e Zojës Ndihmëtare dhe Dita e Lutjes për Kishën në Kinë, do të jetë rasti i
përshtatshëm për këtë.