2012-04-27 18:45:54

Dita e thirrjeve meshtarake. Teologu Ratcinger në vitet ‘70-të: Kryqi, themel i meshtarisë.


Të dielën e ardhshme do të kremtohet Dita e 49-të botërore e lutjes për thirrjet meshtarake. Benedikti XVI do të shugurojë nëntë diakonë të dioqezës së Romës, gjatë një Meshe solemne, në Sheshin e Shën Pjetrit. Me këtë rast, po rikujtojmë disa fragmente të një artikulli, shkruar nga teologu i asokohshëm, Jozef Ratcinger, botuar në gazetën vatikanase ‘L’Osservatore Romano’, më 28 maj 1970.

“Çështja e misionit meshtarak në Kishë është bërë, papritmas, problem tejet i mprehtë. A ekziston ligjërisht meshtaria sakramentore?”. Nis, kështu, me këtë pyetje themelore, një artikull i gjatë i Papës së ardhshëm, botuar në pranverën e vitit 1970 në ‘L’Osservatore Romano’. Profesori i asokohshëm i teologjisë pranë Universitetit të Regensburgut nënvizon, që në fillim, se kriza e sotme duhet kapërcyer, duke dëgjuar me vëmendje mesazhin e zanafillës, për t’u frymëzuar e për t’u udhëhequr përsëri prej tij. Jozef Ratzinger i prin lexuesit në një analizë të apasionuar të Letrave të Shën Palit, për të arritur tek pohimi: “nuk është e vështirë të vërtetohet se vetë Besëlidhja e Re e dëshmon, prej kohe, bashkimin e apostullimit me meshtarinë. Kjo strukturë, shton, paraqitet si realitet i përhershëm në Kishë, e duket që në shkrimet e Lukës. Ja, pra, shkruan teologu gjerman, mund të themi se meshtaria në Kishë nuk është në kundërshtim me dëshminë e Besëlidhjes së Re, por lidhet thellësisht me të”. Në këndvështrimin e historisë së feve, vëren Ratcinger, meshtaria paraqitet si diçka krejtësisht e re, që nuk vjen nga shërbimi priftëror në Tempull, sipas Besëlidhjes së Vjetër, e as nga ideja e “Meshtarisë mbretërore”, e së njëjtës Besëlidhje. Vjen nga lidhja mesianike-apostolike. Është mision, për vijimin e misionit të Krishtit.
Askush, shton, nuk e kundërshton faktin se në historinë e Kishës ka pasur shenja errësimi, gjë që nuk e vë në diskutim meshtarinë si e tillë, por ne, njerëzit të cilëve u është transmetuar si detyrë. Në të vërtetë, pyet, a jemi ne të sigurtë se paqartësia ekzistonte vetëm në kohë të tjera? Apor çdo kohë duhet ta pranojë përsëri dhuratën e Zotit? Në pjesën përfundimtare të reflektimti të tij, Papa i ardhshëm pohon se forca pastruese e hulumtimit historik është e rëndësishme, por nuk mjafton, sepse mendimi e ka selinë e vet në jetë, e nga ajo i merr premisat e edhe kufizimet. E shton: “Vetëm në se e pranojmë gjithnjë e përsëri në këtë tërësi, detyrën që na ngarkon Zoti, mendimi ynë mund ta gjejë udhën e drejtë”. Meshtaria e Krishtit, përfundon, përmbushet mbi kryq. Prej këndej, Kryqi mbetet themeli e qendra e vazhdueshme e meshtarisë së krishterë, që mund të përmbushet vetëm duke e dhuruar gjithë vetveten për Zotin e për njerëzit.







All the contents on this site are copyrighted ©.