2012-04-26 15:23:18

Çelësi i fjalëve të Kishës: këshilla e Nënës së Këshillit të Mirë


Të dashur dëgjues, sot është një ditë e veçantë për katolikët shqiptarë, pasi pikërisht sot, më 26 prill, ata nderojnë Pajtoren e tyre, Zojën e Shkodrës, Nënën e Këshillit të Mirë. Kush nuk e njeh historinë e figures së Zojës, që më 25 prill 1467, pikërisht ndërsa Shkodra kërcënohej nga turqit, pas vdekjes së Skënderbeut, u ngrit mrekullisht në qiell e shkoi në Gjenacan të Italisë, e ndjekur nga dy shqiptarë, që në analet italiane përmenden si De Giorgis e De Sclavis, pasardhësit e të cilëve akoma jetojnë pranë shenjtërores së Zojës. Por ç’do të thotë “Nëna e Këshillit të Mirë”? Ç’është kjo dhuratë e çmuar e “këshillit”, që na jep Nëna e Krishtit? Po përpiqemi ta shpjegojmë me pak fjalë.
Para së gjithash, “këshilli” është një nga dhuntitë, apo dhuratat e Shpirtit Shenjt, që “në plotësinë e tyre i përkasin Krishtit”, na mëson Katekizmi i Kishës Katolike. Pra, njësoj si ideja e ngulitur tashmë, se Krishti është “Urtia e amshuar dhe e mishëruar”, siç thotë shën Luigji i Monfortit duke iu referuar një dhurate tjetër të Shpirtit Shenjt, mund të themi se Krishti është edhe “Këshilli i amshuar e i mishëruar”.
Teologu Fabiàn Rodero shpjegon më tej: “Zoja është nënë e këshillit të mirë, sidomos sepse është Nënë e ‘Këshilltarit të mrekullueshëm’ (Is 9,5), siç e quan Izaia profet Shëlbuesin e botës”.
Pra, duke e identifikuar Jezu Krishtin me Këshillin e Mirë, kur ia kërkojmë këtë dhuratë Zojës, kur e lusim të na këshillojë për të mirë, i themi edhe të na bashkojë plotësisht me Birin e vet, vepër, për të cilën Ajo është mjeti më i përshtatshëm e më i përsosur.
Këshillë është edhe ajo që na ofron Zoti, kur i thotë secilit: Do të të bëj të ditur, do të ta mësoj rrugën që duhet ndjekur, sytë e mi do t’i përqëndroj mbi ty” (Ps 32,8).
Teologët, që kanë hartuar Enciklopedinë Katolike, na mësojnë se dhuratat e Shpirtit Shenjt i bëjnë më të përsosura virtytet e njerëzve, që i pranojnë ato. E në rastin e veçantë të “Këshillit”, kjo dhuratë e bën më të përsosur virtytin e maturisë, duke na nxitur “të bëjmë menjëherë e me siguri, për hir të një intuite të mbinatyrshme, atë që duhet, sidomos në raste të vështira”.
Mungesa e një dhuntie të tillë, “na pështjellon mendimet, na bën të ngutemi në zgjidhjen e problemeve, të jemi të pakujdesshëm kur flasim, ta vemë veten në rrezik nga veprat tona”. Në të kundërtën, me dhuratën e “Këshillit”, “shpirti i krishterë e ndan me siguri shapin nga sheqeri, e sheh jetën e vet dhe e përballon pa frikë, sado e vështirë, ose e mangët të jetë ajo”. “Tani, kush më shumë se Maria – hirplotë, që “ruante gjithçka në zemër e meditonte, që të gjithë brezat e quajnë të Lume” - duhet të na shndrisë me “këshillat” e saj?”, shkruan pikërisht njëri nga rektorët e shenjtërores së Gjenancanit, atë Amedeo Eramo, augustinian.
Prandaj, nuk është për t’u çuditur që Papë, shenjtorë, burra e gra me fe të madhe janë ulur në gjunjë para Zojës së Këshillit të Mirë në Gjenancan, duke i kërkuar këtë dhuratë të madhe, duke e lutur t’u japë një “këshillë”, sidomos kur kanë pasur vështirësi, pasiguri, rrezik për veprimtarinë e tyre? Shenjtorë si Don Bosko dhe Don Orioni mund të radhiten ndërmjet tyre e, jo më pak, e Lumja Nënë Terezë e i Lumi Gjon Pali II. Papa Vojtila shkoi në Gjenacan pikërisht një ditë para nisjes për në udhëtimin e tij të paharruar, që e çoi në Shqipëri më 25 prill 1993. Ai e solli sërish Zojën në Shkodër, në një figure-kopje të asaj të Gjenacanit, të bekuar prej tij, që ndodhet edhe sot në shenjtëroren e re, aty ku Buna bashkohet me Drinin, në rrëzë të kalasë së Rozafës. Nënë Tereza ka shkuar disa herë në Gjenacan, por e fundit qe pikërisht po atë vit, më 10 qershor. Në gjunjë për një këshillë të Zojës, e Lumja, që sapo kishte hapur shtëpitë e “Misionareve të Bamirësisë” në Shqipërinë e pas komunizmit, linte të shkruar këtë lutje: “O Zojë, Nënë e Jezusit, kthehu në shtëpi, në Shqipëri. Ne të duam, ne kemi nevojë për ty. Ti je Nëna jonë. Kthehu në shtëpi, në Shqipëri. Të lutemi”. Pasi siç këndon Shkodra: “Qysh at ditë që na u largove, të tana të zezat na kan ra” e kemi nevojë për atë këshillë të mirë, që na kthen në rrugën e Zotit e të Birit të Tij, Jezu Krisht.







All the contents on this site are copyrighted ©.