Historiku i Shenjtërores së Zojës së Këshillit të Mirë në Shkodër
Shenjtërorja e Zojës së Shkodrës e historika e saj Viti 1467 është viti, kur, si
rrjedhojë e një sulmi turk, qyteti u braktis dhe qytetarët u bartën mbi kodër, brenda
kështjellës, ku jetuan, deri në vitin 1479. Është viti kur në traditën e Shkodrës
kujtohet shpërngulja e Figurës së Shenjtë të Zojës së Këshillit të Mirë. Është viti
kur u shfaq në Gjenacan, e shoqëruar prej dy shkodranëve, Gjergji e De Sklavis.
Pas
traktatit të paqes të 25 janarit 1479, nuk qe më e mundur të kishte lajme që të provonin
shpërnguljen e Figurës së Shenjtë dhe traditën e lidhur me të në Shkodër.
Prandaj
për një kohë të gjatë nuk qe e mundur të kishte as lajme të sakta rreth traditës vendore
shqiptare, në lidhje me shpërnguljen. Ishte e pamundur, sepse të gjithë të huajt shiheshin
me dyshim. Rreth gjysmës së shekullit XVIII diçka lëvizi dhe pati disa hapa nga ana
e njerëzve që mund të jepnin njoftime më të hollësishme.
Pas dy vjetësh, në
1747, gjendej në Romë, në kishën e Aracoelit, në të cilën po kremtohej Nëntëshja për
kanonizimin e Shën Pjetër Ragalatit, Kola i Ndoc Kamsit, “fisnik i Qytetit të Shkodrës,
e Bamirës i nëntë Kishave, që gjenden në afërsi të Qytetit të lartpërmendur”…..
Më
vonë kemi edhe dëshmi të tjera, ndër të cilat ajo e atë Giampiero da Bergamo ofm Prefekt
Papnor i Misioneve të Kastratit dhe i Parë i Kuvendit të Françeskanëve të këtij qyteti,
dëshmi e 16 korrikut 1878, që jep një përshkrim interesant dhe të hollësishëm të rrënojave
të kishës. Një hollësi për t’u vënë në dukje është zgavra që nga përmasat u përgjigjej
atyre të pikturës së nderuar dhe që gjendet në Gjenacan.
Më 17 dhjetor 1878,
imzot Engjëll Radoja, Vikar i Përgjithshëm i Shkodrës, do të lëshonte një tjetër dëshmi
me rëndësi në lidhje me vendosjen e kishës, e quajtur kishëz, në të cilën gjendej
“Figura e Zojës së Shkodrës”.
Kuvendi i III i Arbrit (1895) propozoi si mbrojtëse
e pajtore të Shqipërisë Virgjërën Nënë të Këshillit të Mirë, e njohur përgjithësisht
si Zoja e Shkodrës. Ky vendim u mor njëzëri dhe iu parashtrua Atit të Shenjtë, Papës
Leoni XXIII, prej të cilit u mor pëlqimi dhe 26 prilli u shpall si ditë kremte për
dioqezat e Shqipërisë.
Vetëm pas shpalljes së pavarësisë prej zgjedhës turke
(28 nëntor 1912) mundi të niste rindërtimi i Shenjtërores së kushtuar së nderuarës
Zojë së Shkodrës. Punimet nisën pikërisht në vitin 1917, në kulmin e Luftës I Botërore.
Më
23-26 prill 1917 u kremtua me madhështi 450 vjetori i shpërnguljes prej Shkodrës i
Figurës së Shenjtë.
Toka mbi të cilën gjendeshin gërmadhat e shenjtërores së
lashtë, i dhurohej prej Komandës së Lartë të Korparmatës XIX austriake, Arqipeshkvisë
së Shkodrës. Për ta ligjëruar këtë akt, u hartua një dokument pronësie që, më 7 korrik
1917 iu dorëzua arqipeshkvit të Shkodrës, Imz. Jak Serreqit. Pastaj më 31 korrik u
bekua guri i parë.
Me vitin 1944 erdhën kohë të zymta për Kishën dhe Kombin
shqiptar. Shteti komunist, marksist-leninist e prandaj ateist, u sul me furi kundër
gjithçkaje që përfaqësonte katolicizmin në Shqipëri. Të njëjtin fat pati edhe Shenjtërorja
e Zojës së Këshillit të Mirë, që do të pësonte barbarizmin “kultural”. Përveçse u
shkatërrua ndërtesa, u nxorën dhe u hodhën në lumin aty pranë mbetjet e Arqipeshkvit
të Shkodrës, Jak Serreqi, që kishte qenë i varrosur brenda kishës.
Me kthimin
e ligjshmërisë në Shqipëri, me shembjen e regjimit komunist dhe vendosjen e demokracisë
aq të pritur, filloi një punë e vazhdueshme dhe e dendur për të rindërtuar gjithçka
që mund të shpëtohej. Do të rilindte kështu edhe Shenjtërorja e Zojës së Shkodrës.
Me projekt e përmasa të njëjta, siç kishte qenë para shembjes. Ky vend i shenjtë kulti
pati mecenatin e vet te një shqiptar, mosn. Simeone Duca, i Kolonisë Arbëreshe (Borgo
Erizzo), pranë Zare, koloni shqiptarësh që në shekullin XVIII. Më 25 prill 1993
u bekua gurthemeli nga Papa Gjon Pali II, i cili na dhuroi edhe Kopjen autentike të
Figurës së Zojës, që nderohet në Shenjtërore.
Me nxitjen e Arqipeshkvit Imzot
Frano Illia, filluan punimet e rindërtimit. Nga emërimit si Administrator Apostolik
të Imzot Angelo Massafra, të ndihmuar nga imzot Lucjan Avgustini, Famullitari i Katedrales,
punimet u përshpejtuan deri në kushtimin e Shenjtërores, që u bë më 24 maj 1998 nga
Kardinali Jozef Tomko, Prefekti i kongregatës “Propaganda Fide”. (nga broshura
“Shenjtnorja e Zojës së Shkodrës Willy Kamsi)